Apeli shtyn afatin për krerët e UÇK-së: Aktgjykimi 2,089 faqe ende nuk është përkthyer

Mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ketë më shumë kohë për të dorëzuar njoftimin për apelim ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. Paneli i Apelit, i caktuar më 22 shtator nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka vendosur që afati për paraqitjen e apelit të jetë 27 nëntori, duke e zgjatur atë përtej datës 16 tetor, e cila parashihej nga rregulloret si afati fillestar. Paneli përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen. Në kërkesën për shtyrje, Mbrojtja ka theksuar se përmasat dhe kompleksiteti i aktgjykimit e bëjnë të nevojshme kohën shtesë, ndërsa ka vënë në dukje edhe faktin se dokumenti ende nuk është në dispozicion në gjuhën shqipe. Sipas saj, përkthimi kërkon angazhim të konsiderueshëm të burimeve dhe ndikon drejtpërdrejt në përgatitjen e ankesës. Apeli ka kërkuar ndërkohë nga Zyra e Regjistrimit që brenda 10 ditësh të japë informacion për ecurinë e përkthimit dhe të tregojë se kur pritet të jenë të gatshme versionet paraprake dhe përfundimtare në shqip. Në arsyetimin për zgjatjen e afatit është marrë parasysh edhe shtrirja e çështjes, e cila përfshin ngjarje dhe incidente në 16 komuna të Kosovës, në gjashtë zona operative të UÇK-së dhe në disa pjesë të Shqipërisë së Veriut, për periudhën nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999. Aktgjykimi përmban 2,089 faqe dhe, sipas Apelit, është dokumenti më i gjatë i nxjerrë deri tani nga Dhomat e Specializuara. Përpara se versioni i tij të jetë i qasshëm për publikun, parashihet edhe një proces redaktimi: ZPS-ja duhet të shpërndajë deri më 7 tetor një version të propozuar me redaktimet, ndërsa palët dhe pjesëmarrësit do të diskutojnë për to deri më 19 tetor 2026.

Kontrolloni gjithashtu

Altin Krasniqi i përgjigjet ambasadorit britanik: “Verifikoni faktet, kjo nuk i bën nder as juve, as Britanisë”

Djali i ish-kryeparlamentarit dhe njërit prej krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqit, i ka reaguar ambasadorit …