Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se në Kuvend ekziston vullnet politik për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ka kërkuar nga Qeveria që ta procedojë atë në Kuvend. Pas miratimit të deklaratës politike, Tahiri tha se votimi i deputetëve dëshmon se ekziston mbështetja për të ndërmarrë edhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë çështje. “Ka vullnet politik t’ia mbështetë ligjin. Kjo është dëshmi e qartë që Kuvendi ka vullnet politik t’ia mbështetë ligjin dhe të bëjë veprimet e duhura rreth kësaj çështjeje”, tha ai. I pyetur nëse çështja lidhet me zgjedhjen e presidentit, Tahiri tha se kjo e fundit varet nga vullneti i partive politike dhe përgjegjësia e deputetëve. Ai bëri thirrje për qasje proaktive dhe konsensus, duke thënë se institucionet duhet të shmangin një tjetër cikël zgjedhjesh. “Mos me e leju e mos me u bë shkaktarë të zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, deklaroi Tahiri.