Arian Tahiri kërkon urgjencë për Ligjin e Dhomave të Specializuara: “Tani është koha për veprime konkrete”

Shefi i deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që sa më shpejt të procedohet në Kuvendin e Kosovës Ligji për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ndryshimet tashmë janë draftuar dhe janë dërguar në Qeveri.

Në një konferencë për media, Tahiri i bëri thirrje Qeverisë që të veprojë me urgjencë dhe ta sjellë projektligjin në Kuvend, ndërsa kërkoi që institucionet e Kosovës të ofrojnë mbështetje të plotë për procesin që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Ligjin e kemi draftuar dhe e kemi procedu në Qeveri. I bëj ftesë Qeverisë që sa më shpejt ta sjellë Ligjin në Kuvend, dhe Kuvendi ta argumentojë vullnetin që e shprehi dje”, ka thënë Tahiri.

Ai ka deklaruar se institucionet duhet të kalojnë nga deklaratat në veprime konkrete, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë angazhimin e saj në këtë drejtim.

“Ata burra duhet të jenë sa më shpejt të lirë. Nuk do të ndalemi si grup parlamentar dhe si parti, për të bërë më të mirën për të kontribuuar për këtë proces, e kemi obligim”, është shprehur Tahiri.

Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për, siç tha, “maturi, përgjegjësi, unitet dhe kontribut konkret”, duke theksuar se UÇK-ja është e të gjitha partive politike dhe e popullit.

Kontrolloni gjithashtu

Rrustem Mustafa propozon “Koalicionin e Madh për Kosovën” mes VV-së, PDK-së dhe partive të tjera

Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, …