Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se kjo parti është për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Ajo, tha se PDK-ja beson në funksionimin e rendit kushtetues dhe se nuk do të qëndrojë pasive nëse ai cenohet. “Ne besojmë në shtet demokratik, ne besojmë në funksionimin e rendit kushtetues dhe në momentin që këto cenohen, PDK-ja nuk do të qëndrojë duarkryq, ashtu siç nuk jemi duke qëndruar. Tani përgjegjësinë nuk e ka PDK-ja, e ka LVV-ja”, deklaroi ajo. “Ne jemi për formimin e institucioneve dhe çështja tjetër është legjitimiteti i formimit të këtyre institucioneve. Pastaj kjo është e kontestueshme dhe ne e mbështesim të parën, por ne nuk do të heshtim për të dytën”, tha ajo. Ajo theksoi se PDK-ja vazhdimisht ka bërë thirrje për vazhdimin e seancës konstituive, duke vlerësuar se pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të ketë përparim institucional. Sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Musliu-Shoshi tha se PDK-ja ka qenë vazhdimisht kundër tyre, por përgjegjësinë për shmangien e tyre, sipas saj, e ka partia që ka fituar zgjedhjet. “Ne gjithmonë kemi qenë kundër zgjedhjeve, por ne nuk jemi partia që ka fituar zgjedhjet dhe që ka përgjegjësi për ta bërë konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
