Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për një zhvillim të ri në rastin e gërmimeve dhe ekshumimeve në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve. Sipas njoftimit, gjetja është konfirmuar të mërkurën nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, gjatë veprimeve të gërmimit në lokacionet e dyshuara. Bazuar në vlerësimin preliminar të mjeko-ligjorëve, mbetjet kockore dyshohet se i përkasin së paku 23 personave. Megjithatë, identifikimi i viktimave nuk është përfunduar ende. Prokuroria ka bërë të ditur se identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse. Në lidhje me rastin, aktualisht po hetohen tre persona, me iniciale J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me institucionet e tjera kompetente, pritet të vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale lidhur me rastin. Institucionet kanë theksuar se procesi do të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
