Arianit Bytyçi: 22 vite nga mbështetja e gjimnazistëve të Prishtinës dhënë UÇK-së

Arianit Bytyçi: 22 vite nga mbështetja e gjimnazistëve të Prishtinës dhënë UÇK-së  

Njëzetë e dy vite më parë, në prag të shënimit të festës kombëtare të 28 nëntorit 1998, në rrethana të vështira lufte, një grup i nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës e kishin botuar numrin e tetë të revistës “Gjimnazisti”, që ishte revistë e kësaj shkolle të mesme. E veçanta e këtij numri të revistës shkollore për dalim nga numat e mëparshëm ishte se përmbajtjen kryesore e përbënin shkrimet autoriale të nxënësve që ishin tërësisht në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pasi kishin marrë udhëheqjen e rinisë shkollore dhe të redaksisë së revistës “Gjimnazisti”, nxënësit Samire Ademi, Besfort Rrecaj, Ermal Sadiku, Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Bujar Sadiku, Albana Rexhepi, Valbona Ruka, Kreshnik Gashi, Kushtrim Berisha, Krenare Sogojeva, Arbëresha Selimaj dhe nxënës tjerë, ata në mënyrë të hapur kishin filluar angazhimin për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në organizim të Rinisë Shkollore të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës në tetor të vitit 1998 ishte organizuar tryeza “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës” ku ishin ftuar njëri nga liderët e Lëvizjes Studentore të Kosovës, Muhamet Mavraj, profesorët e mirënjohur Arsim Bajrami, Blerim Reka dhe poltikologu Behlul Beqaj. Gjimnazistët prishtinas i kishin ftuar këto personalitete të rëndësishme politike të asaj kohe me qëllim që edhe përmes asaj tryeze të kontribohej për të ngritur vetëdijen kombëtare për mbështetjen e luftës së UÇK-së.

Në anën tjetër, Fiton Peja e Arianit Bytyçi bashkë me Bujar Sadikun, Kushtrim Berishën dhe nxënës tjerë kishin botuar disa shkrime publike në mbështetje të UÇK-së, kishin botuar Betimin e UÇK-së dhe një intervistë me liderin e Unionit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli, përmbajtja e së cilës ishte tërësisht në mbështetje të UÇK-së.

Ky numër i “Gjimnazistit” ishte dërguar në Malet e Berishës, në Drenicë dhe në Malet e Çiçavicës përmes lidhjeve dhe kontakteve të Arianit Bytyçit, Bujar Sadikut dhe Kushtrim Berishës. Nga malet e Berishës, pikërisht në mbrëmjen e 28 nëntorit 1998 njëri nga komandantët e njohur të UÇK-së, Fatmir Limaj në shenjë falënderimi për mbështetjen dhënë luftës së UÇK-së, kishte dhënë një mesazh kuptimplotë dhe mirënjohës për nxënësit prishtinas, të cilët që kishin përkrahur publikisht UÇK-në.

Menjëherë, në dhjetor të vitit 1998 Arianit Bytyçi e Fiton Peja e botojnë në ballinë fotografinë e komandant Çelikut duke shfletuar “Gjimnazistin”, ndërsa në brendi e botojnë të plotë mesazhin e tij falënderues për nxënësit e gjimnazit prishtinas. Bashkë me shumë shkrime tjera në mbështetje të UÇK-së, ku xhevdetdodasit prishtinas kishin guxuar të dalin me emër e mbiemër, doli edhe numri festiv i vitit të ri 1999 i “Gjimnazistit”. Ky numër u botua në fund të dhjetorit 1998 dhe bashkë me gazetën “Bota e Re” që e udhëhiqte Muhamet Mavraj, iu kishte dërguar anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Fshat të Ri e Lladroc pikërisht më 31 dhjetor 1998 nga redaktori i atëhershëm i “Gjimnazistit”, Arianit Bytyçi. Po ashtu, anëtarët e redaksisë, Bujar Sadiku e Albana Rexhepi, po më 31 dhjetor e kishin dërguar “Gjimnazistin” edhe në zonën e maleve të Çiçavicës, që kontrollohej po ashtu nga forcat e UÇK-së.

            Për më tepër, ndiqeni reportazhin e Televizionit T7 (përgatitur nga gazetarja, Syzana Hajradini) ku përveç ish-nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, flet edhe njëri nga liderët e Lëvizjes Studentore të Kosovës të vitit 1997-1999, Muhamet Mavraj, i cili në vazhdimësi e kishte mbështetur “Gjimnazistin”

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …