Arianit Bytyçi: Për një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e sakrificës së fëmijëve të Kosovës

Arianit Bytyçi: Për një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e sakrificës së fëmijëve të Kosovës

Institucionet e Kosovës me gjithë qindra e mijëra dëshmi të argumentuara për masakrat, për mbijetesën dhe sakrificën e popullit të Kosovës, edhe njëzet e një vite pas përfundimit të luftës çlirimtare nuk kanë arritur që në mënyrë të dinjitetshme të dokumentojnë luftën për liri dhe pavarësi. Ky dokumentim përveç tjerash mund të arrihet të bëhet edhe përmes arkitekturës publike.

Me gjithë disa tentativa për përfshirjen e disa eksponateve të luftës çlirimtare në Muzeun e Kosovës, institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të ndërtojnë Muzeun e Luftës së UÇK-së dhe as nuk kanë ndërtuar Monumentin e Lirisë e të Pavarësisë në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Në kuadër të nismave pozitive private, është për t’u vlerësuar ideja e gazetarit të luftës, veprimtarit, Nusret Pllana për ndërtimin e një memoriali për 1370 fëmijët e vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri më 1999. Është me rëndësi të përmendet fakti se z.Pllana është angazhuar shumë edhe përmes botimit të librave të dëshmive për masakrat serbe në Kosovë, të cilat i ka prezantuar edhe para kancelarive të qeverive të shteteve perëndimore. Si shoqëri dhe si shtet gjithmonë duhet të jemi mirënjohës për punën dhe angazhimin e veprimtarëve që prezantojnë luftën dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

PËR NJË DETYRË PROJEKTUESE PËRMBAJTËSORE, ME QËLLIME, OBJEKTIVA DHE VIZION TË ARKITEKTURËS BASHKËKOHORE

Me gjithë respektin dhe vlerësimin për veprimtarinë e z.Pllana, nga aspekti arkitektonik kam bindjen se është e gabuar dhe përjashtuese për komunitetin e arkitektëve qasja e përzgjedhjes pa konkurs arkitekture e projektit të memorialit të prezantuar, e që thuhet se është hartuar nga disenjatori grafik, miku im Rrezart Galica dhe nga znj. Luana Mahmutaj.

Duke u bazuar në praktikat më të mira të shteteve të civilizuara, idetë për realizim të veprave aq të rëndësishme arkitektonike siç janë memorialet, obelisku apo edhe muzetë trajtohen përmes konkurseve vendore dhe ndërkombëtare të arkitekturës. Në këtë mënyrë, jam i bindur se duhet të trajtohet edhe ideja e z.Pllana për ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë të Kosovës nga forcat pushtuese serbe.

Metodologjia e shpalljes së konkurseve të arkitekturës për ndërtimin e memorialeve siç është e njohur botërisht fillon me përgatitjen e një detyre projektuese përmbajtësore, ku përveç tjerash duhet të përfshihen edhe qëllimet, objektivat dhe vizioni që duhet të arrihet përmes realizimit të projektit të memorialit, në këtë rast të memorialit të sakrificës për liri të fëmijëve të Kosovës. Në rastin e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës, objektiv e vizion kryesor i detyrës projektuese mund të ishte ky: “Përmes arkitekturës bashkëkohore të kualitetit të lartë, memoriali duhet të arrijë të prezantojë denjësisht në nivelin ndërkombëtar sakrificën e 1370 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri më 1999”. Përveç kësaj do të duhej të analizoheshin lokacioni i duhur urbanistik, përmbajtjet hapësinore dhe çështje tjera me rëndësi për të arritur qëllimet, objektivat dhe vizionin e projektit.

Prandaj, qasja më korrekte institucionale për zhvillimin e mëtejmë dhe çuarjen përpara të iniciativës së memorialit të fëmijëve do të ishte përgatitja e një detyre projektuese të hartuar mirë, ku për arsye të mirënjohjes institucionale për iniciativën e ndërmarrë, do të duhej ishin pjesë e procesit edhe iniciatorët e ndërtimit të këtij memoriali, z.Nusret Pllana, z.Rrezeart Galica dhe znj.Luana Mahmutaj, por mbi të gjitha do të duhej të ishin pjesë edhe arkitektë vendorë e ndërkombëtarë të njohur për realizim projektesh të memorialeve të natyrës së njejtë. Bazuar në këtë detyrë projektuese, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe me institucionet tjera relevante mund ta shpallnin konkursin ndërkombëtar të arkitekturës për hartimin e projektit për ndërtimin e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës.

PËR NJË JURI VLERËSUESE ME KREDIBILITET VENDOR DHE NDËRKOMBËTAR

Në këtë rrugëtim të shpalljes së konkursit, duhet pasur kujdes që caktimi i jurisë vlerësuese të projekteve konkurruese të bëhet në mënyrë transparente, në atë mënyrë që profesionistët që e kanë hartuar detyrën projektuese të mos jenë anëtarë jurie, pasi kjo paraqet konflikt të hapur interesi. Juria duhet të bëhet publike dhe po ashtu të jetë e përbërë nga emra të mirënjohur vendorë e ndërkombëtarë të arkitekturës publike, të arkitekturës së memorialeve të luftës.

Vetëm kjo qasje e mirënjohur ndërkombëtarisht e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të arkitekturës do ta promovonte ndërkombëtarisht në mënyrë të dinjitetshme idenë e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës. Shpallja në mediat botërore e konkursit ndërkombëtar bazuar në detyrë projektuese të hartuar mirë, në këtë periudhë sfiduese për Kosovës, në kohën kur po tentohet të gjykohet ndërkombëtarisht lufta jonë çlirimtare, do tê rikthente kujtesën dhe fokusin e opinionit ndërkombëtar në sakrificën e madhe të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Kjo qasje do te sillte në Kosovë studiot më prestigjioze botërore të arkitekturës, do të inkurajonte përmes konkurrencës ndërkombëtare kualitetin e projektimit arkitektonik të studiove kosovare të arkitektures, dhe mbi të gjitha do ta vendoste në fokus të arkitekturës botërore vendin tonë, Kosovën tonë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme: duhet të përzgjidhet në mënyrë meritore projekti më i mirë i arkitekturës bashkëkohore i memorialit të fëmijëve të Kosovës. Nuk duhet lejuar që me nguti, me qasje joarkitektonike të komprometohet një ide kaq e madhe, siç është ideja e ndërtimit të një memoriali aq të rëndësishëm për dokumentimin e sakrificave për liri të popullit të Kosovës.

E kam thënë shpesh herë publikisht: në projekte kapitale duhet të vërehet dora mbështetëse, por mbi të gjitha dora orientuese e shtetit të Kosovës. Është rasti ideal që dora e shtetit të Kosovës të shihet në ndërtimin e një memoriali aq domethënës të sakrificës së fëmijëve të Kosovës, e që do të ishte edhe identitet arkitektonik bashkëkohor, pra vepër e mirëfilltë e arkitekturës publike të Kosovës. Ndryshe, çdo qasje tjetër joarkitektonike, nuk do të arrinte efektin e synuar ndërkombëtarisht, dhe në aspektin e idesë nuk do të arrinte t’i tejkalonte kufijtë e komunës në territorin e së cilës synohet të ndërtohet ky memorial !

 

( Autori i shkrimit, Arianit Bytyçi është arkitekt)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …