Armend Zemaj

Armend Zemaj: Ende ka mundësi për zhvillime pozitive mes LDK-së dhe VV-së

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se ende ekziston mundësia që gjatë ditës të ketë zhvillime pozitive në diskutimet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit. Zemaj u deklarua pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila u shty pas kërkesës së kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve politike. “Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por mbetet të shohim ka ose nuk ka”, tha Zemaj para mediave. Ai bëri të ditur se LDK-ja nuk ishte njoftuar paraprakisht për kërkesën e Kurtit për shtyrjen e seancës, ndërsa kritikoi qasjen e tij në këtë proces. Zemaj paralajmëroi se tejkalimi i afateve kushtetuese mund të sjellë pasoja për funksionimin institucional të vendit. “Ishte i pritshëm propozimi i emrit sepse nuk ka debat në seancën konstituive, por ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatojë, edhe të hapë fushatë elektorale, edhe të kërkojë kohë shtesë duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe mbi vullnetin politik. Çdo shtyrje e afatit kushtetues na fut në krizë kushtetuese”, deklaroi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Martin Vulaj: SHBA nuk planifikon deklaratë për vendimin e Speciales, procesi pritet të vazhdojë edhe pas 16 shtatorit

Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, ka bërë të ditur se gjatë takimit …