Arton Demhasaj kritikon VV-në: Aktivizohet në Tiranë, por mungoi në kauzat kombëtare

Analisti Arton Demhasaj ka kritikuar pjesëmarrjen e aktivistëve dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Tiranë, duke vlerësuar se ata nuk kanë treguar të njëjtin angazhim në çështje të tjera me rëndësi kombëtare. Demhasaj ka përmendur protestat e mbajtura në Prishtinë dhe Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë, si dhe protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Sipas tij, përfaqësuesit e Vetëvendosjes nuk u panë në këto kauza, ndërsa u angazhuan në protestat e zhvilluara në Tiranë. “U mbajtën protesta kombëtare në Prishtinë e Tiranë për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së nga padrejtësitë në Hagë. Po ashtu, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut u ngritën në protestë për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Ndërkohë, ku janë ‘patriotët’ e Vetëvendosjes? Pse nuk u panë gjëkundi në këto kauza jetike kombëtare?”, ka shkruar Demhasaj. Ai ka vazhduar kritikat duke pretenduar se aktivizimi i eksponentëve të kësaj partie ndodh vetëm kur, sipas tij, bëhet fjalë për interesa politike, duke i cilësuar ata si “patriotë të Ali Express-it” që mungojnë në momentet kur, sipas tij, nevojitet unitet kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

YIHR: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës – Reçaku, Srebrenica dhe Sarajeva ende objekt i revizionizmit shtetëror

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd ka ngritur alarmin se …