vipa
driloni com
Fillimi / Personalitete / ASDRENI ( 1872-1947), poet, atdhetar dhe personalitet i njohur i Rilindjes Kombëtare shqiptare
ASDRENI ( 1972-1947)

ASDRENI ( 1872-1947), poet, atdhetar dhe personalitet i njohur i Rilindjes Kombëtare shqiptare

Aleksandër Stavri Drenova, i njohur me emrin letrar, ASDRENI është emër personalitet shumë i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm si atdhetar i zjarrtë i çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë por edhe si poet romantik e realist. Me emrin e Asdrenit lidhet edhe studiuesi dhe intelektuali i madh shqiptar, profesor doktor Rexhep Qosja, i cili ka nxjerrë në dritë tërë trashëgiminë letrare e publicistike të Aleksandër Stavri Drenovës dhe ka bërë që vepra e tij meritore të zërë vendin e vet në panteonin e letërsisë shqiptare.

ASDRENI është autor i Himnit të flamurit, që është edhe Himn Kombëtar, zyrtar  për të  gjithë shqiptaret

Aleksandër Stavri Lindi më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës.

Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të Qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Veprat letrare të ASDRENIT janë:

“Rreze dielli”, “Himni i Flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Shpërblimi”, “Shqipëria më 1914, “Burri i dheut”, “Himni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”, “Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura”.

Kontrolloni gjithashtu

Franz Babinger (1891 – 1967) historian i njohur gjerman, albanolog dhe turkolog

Franz Babinger (1891 – 1967) historian i njohur gjerman, albanolog dhe turkolog

Franc Babinger  u  lind në Weiden,  në  Landin e Bavarisë  më 15 janar të vitit ...