Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Associated Press, i ka kushtuar një artikull të veçantë nisjes së gërmimeve në varrezën masive të zbuluar së fundmi në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, proces ky që lidhet me kërkimet për personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Në raportimin e saj, AP sjell rrëfimet prekëse të familjarëve që presin prej dekadash për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Ndër ta është edhe Erblin Ademi, i cili teksa mbante në duar një fotografi fëmijërie me të atin, u shpreh se çdo njeri ka të drejtë të ketë një varr ku mund të nderohet e kujtohet. “Shpresojmë shumë që ky të jetë fundi. Pavarësisht se sa do të zgjasë i gjithë procesi, ne do të presim derisa të mund t’i nderojmë ata ashtu siç e meritojnë”, deklaroi Ademi për agjencinë amerikane. Artikulli kujton se gjatë konfliktit në Kosovë humbën jetën rreth 13 mijë persona dhe se tensionet mes dy vendeve mbeten të pranishme. AP nërmend gjithashtu marrëveshjen e majit 2023 mes Kosovës dhe Serbisë për zotimet e përbashkëta në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, si dhe vendimet e Tribunalit të OKB-së në Hagë që dënuan zyrtarë të lartë politikë e ushtarakë serbë për krime lufte. Në lidhje me këtë lokacion, Policia e Kosovës kishte arrestuar muajin e kaluar dy persona të nacionalitetit serb nen dyshimin për krime lufte, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
