Ish-komandanti i Batalionit të Katërt të Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Zonën Operative të Dukagjinit, Pren Marashi, ka reaguar me tone të ashpra e kritike ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe diskursit publik të orientuar kundër drejtuesve e veteranëve të Luftës Çlirimtare. Përmes një deklarate publike, Marashi ka ngritur pikëpyetje të thella mbi trajtimin e pasluftës ndaj elementëve që, sipas tij, i shërbyen regjimit apo dëmtuan kauzën e lirisë, duke e cilësuar këtë si një lëshim historik të vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “A jeni të bindur tani se UÇK-ja është i vetmi formacion ushtarak që, pas fitores, në vend që t’i ndëshkonte tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e armikut, i rehabilitoi dhe i riktheu në jetën publike?!”, ka deklaruar Marashi, duke shprehur zhgënjimin e tij me pasojat e kësaj tolerance politike e shoqërore. Në reagimin e tij me nota të forta kritike, ish-ushtaraku thekson se vetëpërmbajtja e UÇK-së dhe përpjekja për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse pa hakmarrje pas vitit 1999, sot po keqpërdoret nga struktura dhe individë që po cenohen vlerat më sublime të luftës çlirimtare. Sipas tij, rikthimi i këtyre figurave në hapësirën publike pa kërkuar falje apo pa dhënë llogari morale ka krijuar një terren ku goditen pikërisht ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
