Brickos

Prof. Avdi Gjata

Avdi Gjata: Si më Kujtohet -KUVENDI i 26 NËNTORIT- për Organizimin e Demonstratave të 1968-tës nga Studentët e Prishtinës

-URIME 28 NËNTORI I SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË po EDHE PESËDHJETËVJETORI I KUVENDIT TË ORGANIZIMIT TË DEMONSTRATAVE TË VITIT 1968 NË BAJÇINË.

Në kilometrin e pestë, përgjatë rrugës që të shpie për në Reçicën e Dem Ahmetit në veri të Besianës në anën e djathtë e majtë të kësaj rruge, shtrihet fshati Bajçinë. Rruga që kthehet pranë shkollës Emin Duraku djathtas, që në popull njihet si rruga e Letancit e kalohet lumi Llap, përsëri në anën e djathtë të rrugës, gjendet shtëpia e Rexhep Gjatës që në atë kohë, kishte 53 anëtarë të familjes që ishte e njohur për popullatën e këtyre anëve. Bujaria, mikpritja e bukëdhëna e vazhdueshme i shtonin namin e famën, kësaj familje bujare fshatare që me punë e djersen e anëtarëve të familjes, normalisht me bollëk siguronte bukën e gjërat e nevojshme për familjen në përgjithësi për fshatarët e mysafirët e përditshëm që shkonin e vini pareshtur për blerjen e shitjen e prodhimeve fshatarake për të siguruar krypën, vajgurin, sheqerin e çajin.

Në mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 1968, te ne erdhën disa studentët nga Prishtina sikur ti kisha thirrur e që ca i njihja, pasi ishin dhen duar tanë si: Ilaz Pirevën, Osman Dumoshin, Adil Pirevën, Xheladin Rekaliun si edhe mësuesin tonë të shkollës e vëllai im i madh Shefkiun e disa të tjerë që nuk i njihja

po, as nuk ia dija emrin. Ne, si fëmijë u gëzuam shumë, kur i pamë që erdhën studentët, pasi e dinim që familja kishte respekt të madh për ta, që asnjëherë nuk e dija arsyen e këtij  respekti derisa u rrita e fillova të kuptoj realitetin. Unë e fëmijët tjerë, gëzoheshim shumë pasi na kishin mësuar të na sillnin bonbone laraman që nuk kishte gëzim më të madh për atë kohë. Megjithatë, kjo mbrëmje, dallohej nga mbrëmjet e herëve tjera, pasi mysafirët e hëngrën darkën, mixha jonë Hasani na urdhëroi të shkonim me fjete, pasi është bërë koha. Ne, posa dolëm nga oda, shkuam nëpër dhomat e gjumit te cilat ishin në skajin tjetër të oborrit, di kund nja dyqind metra larg nga oda. Nga dashuria e kureshtja që kisha për mysafirët e Prishtinës pa menduar mirë, shkova te dritarja e odës për t’i dëgjuar çka thanin e bisedonin pasi që e kuptova që diçka ishte puna serioze. Duke u munduar ti dëgjoi studentët se çka janë duke biseduar nga mbrapa më kapi mixha për veshi e më dërgoi për dore drejtë te dhoma e gjumit. Posa më shtini brenda, filloi të më rraf me thupër aq shumë sa nuk guxova të bëjë as ngëk e as mik e që jam pshurr. Nëna pa bërë as një zë, mi ndërroi rrobat e më qiti të flejë dhe duke qaj më kishte zërë gjumi.

Nesër studentet kishin shkuar pa hëngër mëngjes e pa e ditur ne as kah kishin vajtur. Ndërsa, ne fëmijët, si zakonisht, dikush shkuam në shkollë e dikush i lëshuan lopët e delet për kullosë. Unë me djalin e axhës Ilmiun, pasi u kthyem në mbrëmje me bagëtinë, posa hymë në oborr e kuptuam që mbrëmja nuk ishte, sikur e herëve tjera. Kur hymë në odë ishte krijuar një heshtje e madhe pasi kishin ardhur edhe burrat e tjerë lagjes. Burrat, ishin ulur dikush këmbëkryq e dikush në gjunjë, pranë radios së markës gjermane Rema që e dëgjonin me aq kujdes që as nuk e dija pse? Kur përfunduan lajmet e radios, burrat filluan të tregojnë që në Prishtinë, Podujevë-Besianë, Ferizaj e ca komuna tjera, kishin shpërthyer demonstrata e protesta nga studentët, punëtorët e nxënësit e shkollave të mesme etj  etj, që atëherë nuk e dija çka ishin demonstratat? Nesër në mëngjes, kur arritëm në shkollë e u takuam me shokët e shoqet e klasës së shtatë e klasave tjera, filluam t’i komentojmë ngjarjet e mëdha që kishin ndodhur dje në Kosovë në mënyrën e vet e që asnjëri nga ne nuk e dinim mirë se çka ishin protestat e demonstratat?. Gjatë komentimit të ngjarjeve më rastisi të dëgjoj për herën e parë në shkollë, se nuk bënë e nuk ka mundësi me u bërë dy shtete shqiptare pasi nuk na lejojnë: Anglia-Ingilizi; Gjermania-Allamani; Rusia-Miskovi; Franca-Francuzi e Amerika se është në kundërshtim me Ujedini Nacia Sveta (në kundërshtim me Kombet e Bashkuara Botërore). Këtë çështje e mësova kur u ktheva në shtëpi dhe e pyeta vëllain e madh timin që ishte edhe mësues i historisë i shkollës tonë në Bajçinë po edhe student që kishte marrë pjesë në Kuvendin e Madh të Bajçinës për organizimin e Demonstratave të vitit 1968, po edhe në demonstratën në Prishtinës që u kthye dikur shumë vonë natën që nuk e dija sa ishte ora. Kur u zgjuam nesër e që mezi prisja të pyes Shefkiun se çka ishte bërë në Prishtinë e qytetet tjera më tha: Dëgjo se çka po të them: Mos gabo me folë asgjë me asnjë njeri, po edhe nëse dikush të pyet diçka i thua që nuk di e as që kam pa diç: Nga ky moment e kuptova që diçka ishte me rrezik dhe ishte e madheeeeeeeeee!?… Më 26.11. 2018.

Kontrolloni gjithashtu

Në Gjykatën Speciale po vazhdon paraqitjen dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit, Ramiz Qeriqi

Çka thanë avokatët: Mishetiq dhe Emmerson për dëshmitarin e Prokurorisë, Ramiz Qeriqi, në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka deklaruar se Ramiz Qeriqi është i dyshuar për …