Ish-përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, Azem Syla dhe Ramadan Avdiu, kanë reaguar ndaj deklaratave të ish-nënkryetarit të LDK-së, Anton Kola, të bëra në emisionin “Fakte”, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shtrembërim të fakteve historike. Sipas tyre, takimet e zhvilluara me Ibrahim Rugovën nga prilli deri në tetor të vitit 1991 nuk ishin takime të rastësishme të ish-të burgosurve politikë, por takime zyrtare ndërmjet LPK-së dhe LDK-së, me synim bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve kundër okupimit serb. Syla dhe Avdiu theksojnë se Rugova kishte shprehur interesimin për përfshirjen e LPK-së në Qeverinë e Kosovës, ndërsa më vonë kishte propozuar që komunikimi të zhvillohej përmes një ndërmjetësi, për shkak të natyrës ilegale të organizimit të LPK-së. Ata hedhin poshtë pretendimin e Anton Kolës se Azem Syla kishte refuzuar bashkëpunimin me Ibrahim Rugovën, duke e cilësuar këtë deklaratë “gënjeshtër të kulluar”. Sipas reagimit, komunikimi u ndërpre pasi Anton Kola kishte kërkuar informacione të detajuara mbi strukturën, organizimin dhe kapacitetet e LPK-së, kërkesa që, sipas tyre, ishin të papranueshme për një organizatë që vepronte në fshehtësi. Në fund, Syla dhe Avdiu vlerësojnë se shtrembërimi i fakteve historike nuk i shërben së vërtetës dhe nuk mund të ndryshojë historinë e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
