Azgan Haklaj

Azgan Haklaj: Pse ikin misionarët e fjalës së lirë… 

Ka pak kohë që një tjetër intelektual, gazetar, analist, shkrimtar, pjesë e qëndrestarëve që janë përballur me ingranazhet e mazhorancës qeverisëse dhe derivateve të saj në politikën e vjetër u largua nga Shqipëria dhe ka kërkuar azil politik në Francë së bashku me të birin.
Dukagjin Hata, njëri nga gazetarët e parë të së parës gazetë opozitare në Shqipëri, pas viteve 90- të Rilindja Demokratike iku nga Shqipëria për shkak të presioneve, kërcënimeve e dhunës, që klika në pushtet e oligarkisë së krimit politik ushtronte ndaj tij dhe familjes së tij.
Publicist, analist, kulturolog, redaktor i mbi 300 librave të autorëve të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, Dukagjin Hata ka individualitetin e tij në fushën e shtypit dhe letrave shqiptare.
E kam njohur që në kohën kur unë nga burgjet politike të Neodiktaturës së binomit Nano- Meta, do të garoja për në kuvendin pluralist të viteve 2000 dhe fitova bindshëm, pavarësisht dhunës dhe presioneve të mazhorancës së inkriminuar.
Gjithmonë ka shkruar në mbrojtje të vlerave të opozitarizmit duke mbetur deri në fund i pathyer dhe i pakorruptuar nga favoret e pushteteve.
Në shkrimet e tij, gjithnjë opozitare dhe qëndrestare ndaj cdo devijimi të së drejtës ka gëluar shpirti shqiptar, fryma e lirisë dhe e progresit gjithëkombëtar.
Autori i gjashtë librave ka denoncuar memorien historike të krimit komunist pa ndëshkim dhe mëkatet e politikës së lidhur me krimin e organizuar dhe mafien.
Përndjekja ndaj tij dhe famijes së tij është pjesë e një strategjie ogurzezë që banda qeverisëse ka ndërmarrë ndaj gjithkujt që e kritikon dhe dononcon, veçmas ndaj njerëzve të shtypit dhe medias që nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e të keqes, siç kanë  bërë zoti Hata dhe kolegët e tij të përkushtuar, për të çuar të vërtetën tek njerëzit.
Ikja e tij dhe e elitës kombëtare është një këmbanë e trishtë alarmi për këtë shoqëri të topitur nën kthetrat e politikës së vjetër, në Trekëndëshin e Bermudës, ku janë varrosur mjaft ëndrra dhe shpresa të shqiptarëve për një shtet të së drejtës dhe demokraci funksionale.
Dukagjin Hata është një misionar i fjalës së lirë dhe kur misionarët ikin nga vendi i tyre gjërat në këtë vend duhen parë dhe ndrequr që nga themelet përndryshe ngrehina e përçudnuar e mashtrimit dhe propogandës false do të na zërë një ditë të gjithëve poshtë, nën rrënoja.

Kontrolloni gjithashtu

Bujar Osmani: Këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, as të rëndomta, por janë zgjedhje historike

Bujar Osmani: Këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, as të rëndomta, por janë zgjedhje historike

Nuk janë këto zgjedhje të zakonshme, nuk janë këto zgjedhje të rëndomta, janë zgjedhje historike. …