Brickos

Bardhyl Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Fushatë e tmerrshme e pjellës së “patriotëve jugosllavë”

Në fillim po sqaroj se nocioni “patriot jugosllav” pasqyronte cakun ku duhej të arrinte qëllimi i strategjisë së komunistëve jugosllavë për të asimiluar kombe të ndryshme në një “komb të ri” të quajtur “komb jugosllav”. Për ata që nuk e dinë, po përmend se ky “komb i ri” kishte gjuhë zyrtare gjuhën serbe, së cilës ia shtuan edhe termin kroat për ta maskuar sa më mirë hegjemonizmin serb.

Si rezultat i një pune të larmishme, që shkonte nga joshjet me përfitime e deri te format e ndryshme të shantazheve, në regjistrimin e popullsisë në vitin 1981 mbi 1 milion e 300 mijë njerëz ishin deklaruar si “jugosllavë”. Pra, rreth 7 % të popullsisë së gjithëmbarshme të Jugosllavisë. Nuk do ta trajtoj këtë kategori në raport me kombet e tjera që përbënin federatën jugosllave. Po kufizohem vetëm në raport me shqiptarët dhe në këtë raport po vë theksin vetëm në disa elemente thelbësore të “jugosllavëve” të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën Maqedoni dhe Mal të Zi. Njerëzit e integruar në struktura të sistemit të okupatorit jugosllav të viseve shqiptare, të ish-përkatësisë kombëtare shqiptare, për ta dëshmuar shkallën e lartë të besnikërisë së tyre ndaj “patriotizmit jugosllav” shumë shpesh aplikonin “martesa të përziera”. Jo rrallë ndodhte që shkurorëzoheshin çiftet “mono etnike” për ta krijuar familjen e “përzier etnike jugosllave”. Krahas kësaj dukurie, ky lloj i “patriotizmit jugosllav” manifestohej me një luftë të pakompromis kundër “nacionalizmit shqiptar”. Përmes kësaj lufte ata përpiqeshin t’i shkatërronin shqiptarët si komb. Ky qëllim politik vazhdoi edhe gjatë tërë periudhës së shpërbërjes së përgjakshme të federatës së Jugosllavisë. Madje edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së projekteve politike për integrimet në Bashkimin Evropian, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat e “patriotëve jugosllavë” nuk mund ta imagjinonin integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, pos përmes Beogradit.

Ata që vazhdimisht propagandonin se gjoja “Rruga e Kosovës drejt Evropës kalon përmes Beogradit” nuk mund të pajtoheshin me realitetin e ri të krijuar pas tërheqjes së forcave të okupatorit serb nga Kosova. Realiteti i ri i krijuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja që ky vendim hasi në botën demokratike përmbysi perspektivën e “patriotëve jugosllavë” duke krijuar kriter tjetër objektiv të integrimeve në strukturat e BE-së: Rruga e Serbisë drejt Evropës kalon përmes njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

Ndryshimi i këtij konteksti historik u bë falë sakrificave të shumta të popullit shqiptar në luftën e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë atyre që ishin të interesuar të ruanin status kuonë e Kosovës UÇK-ja dhe SHBA-të ua prishën planin. Rrjedhimisht, lufta e tyre do të orientohet kryesisht kundër prishësve të projekteve serbe për Kosovën.

Siç e kam theksuar në hyrje të këtij shkrimi të gjatë, për shpërndarjen e akuzave kundër UÇK-së, në rrafshin ndërkombëtar, Shërbimi Sekret i Serbisë angazhoi intelektualë dhe politikanë të profileve të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë “antiamerikanizmin” si këndvështrimin ideologjik. Ndërsa, në Kosovë dhe viset tjera të banuara me shqiptarë u gjetën në mesin e djemve dhe vajzave, nipërve dhe mbesave të ish “patriotëve jugosllavë” apo të atyre që frymojnë me shpirtin e kësaj ideologjie.

Përkundër faktit se edhe personalitete të skenës politike dhe intelektuale serbe kanë nxjerrë në shesh se kush qëndron prapa këtyre vrasjeve, përkundër faktit se edhe vetë shefi i atëhershëm i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqi, deklaroi se “do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë” PJELLA e “patriotëve jugosllavë” vazhdon akuzat kundër UÇK-së për vrasjet, rrëmbimet dhe zhdukjen e civilëve në Kosovë!

Përkundër faktit se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i liroi si të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, pjella e ideologjisë së lartpërmendur vazhdon t’i konsiderojë si “vrasës të cilët u liruan nga Haga pas frikësimit, zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve”! Kjo pjellë nuk u ndal me kaq! Përderisa revolta e njërit orientohet kundër pafajësisë së Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt dhe i cilëson si vrasës këta dy komandantë të UÇK-së që drejtësia ndërkombëtare i kishte shpallur të pafajshëm, një kopil tjetër i kësaj ideologjie publikon një shkrim të gjatë të titulluar “Mbi vrasësit tjerë”. Ai pa fije paturpësie deklaron se “unë e di, pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari, se vrasës janë edhe Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Latif Gashi, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Daut Haredinaj, Rexhep Selimi, Ramiz Lladrovci…”.

Lexuesi e kupton se këtë pjellë të ideologjisë jugosllave e tradhton vetvetja kur shkruan se udhëhiqet prej “instinktit të shkrimtarit”. Instinkti lidhet me pjesë e trurit që emërtohet Truri reptilian (truri i zvarranikut) përderisa shkrimtarët kanë intuitë.

Ky “zanatçi me tru zvarraniku” publikoi në emër të vet përkthimin në gjuhën shqipe të pjesëve të “Librit të Bardhë” të përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb, për të cilin nuk dihet se a e ka përkthyer vet apo ia kanë dhënë të gatshme. Televizionet, gazetat dhe Portalet e djemve dhe vajzave, nipërve dhe mbesave të “patriotëve jugosllavë” u vërsulën kundër udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës dhe atyre që dhanë kontribut të madh për pavarësinë e shtetit të Kosovës nga Serbia. Krahas akuzave për vrasje, rrëmbime dhe zhdukje të civilëve përmes të cilës ata përpiqen ta shfajësojnë Serbinë, kjo pjellë e “patriotëve jugosllave” përbaltë figurat më të shquara të kësaj lufte “si njerëz pa mend por me muskuj dhe armë, të mbushur me budallallëk dhe çmenduri” që nuk janë tolerant ndaj “mendimit ndryshe”, por, që janë në gjendje të “të vrasin si qen!”

E drejta për t’u përcaktuar për një vizion politik është njëra nga të drejtat themelore të njeriut. Nuk do të kisha dëshiruar që t’i cenohet dikujt jeta dhe integritetit fizik vetëm për faktin që përcaktohet haptazi në mbështetje të propagandës serbe. As ‘intelektualëve dhe shkrimtarëve’ të huaj, e as ‘zanatçinjve me tru zvarraniku’ në Kosovë. Por, të supozosh se mund të “të vrasin si qen” nxjerr në shesh çështjen e nënvetëdijes! Pse e krahasojnë veten me qen? Nëse ‘sinqerisht’ nuk e dinë, atëherë u sugjeroj të kërkojë ndihmën e psikanalistëve!

Në strategjinë e fshehjes së krimeve të shtetit serb dhe të Shërbimit Sekret të këtij shteti dhe veshja e këtyre krimeve udhëheqësve të UÇK-së dhe Shërbimit Informativ të Kosovës, pjella e “patriotëve jugosllavë” përpiqet të fsheh burimin e vërtetë serb të cilësimeve të tilla. Ata drejton gishtin nga libraritë evropiane, ku “qarkullojnë lirshëm” librat me kualifikimet e lartpërmendura.

Secili që ka pasur në mundësi të ketë në dorë librin e përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb të titulluar:”Bela Knjiga-Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” apo e ka konsultuar përmes internetit, është bindur se të gjithë ata që drejtojnë gishtin nga udhëheqësit e UÇK-së dhe Shërbimit Informativ të Kosovës shpërndajë propagandën serbe. Propaganda kundër Kadri Veselit, Latif Gashit, Sami Lushtakut, Ilmi Reçicës, Rexhep Selimit, Ramiz Lladrovcit, Rrustem Mustafës, , Azem Sylës, Daut Haredinajt, nuk është asgjë tjetër pos kopjim i faqeve 66, 70, 86, 105, 110, 113, 130, 148, 164… të librit të përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb . Dhe kjo propagandë shpërndahet qoftë nga ata të cilët, nën ndikimin e “antiamerikanizmit” si këndvështrim ideologjik, i kanë mbushur “libraritë evropiane”, qoftë nga djemtë, vajzat, nipërit dhe mbesat e “patriotëve jugosllavë” që kanë mbushur faqet e gazetave, portaleve dhe medieve që i kontrollojnë vetë.

Konkluzion

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pjella e “patriotëve jugosllavë” akuzon të gjithë ata që nuk pranojnë fshehjen e krimineleve të vërtetë të gjenocidit në serb në Kosovë. Mjafton të lexohen vetëm disa nga shkrimet e kësaj sorte “zvarranikësh” për të parë shkallën e urrejtjes që kanë ndaj atyre që “me muskuj dhe armë” ua shkatërruan ëndrrën jugosllave. Mjafton të shihen shkrimet: “Mbi vrasësit tjerë”, “Shqiptarët, këta racist të ligj”, “Kodi i heshtjes” dhe shkrimet e kësaj natyre që i kam trajtuar në artikujt e mi që gjenden në internet (“Mendim i lirë” apo “skizofreni politike”, “instinkti i zanatçiut” dhe “truri i zvarranikut” dhe “Ortodoksia serbe” dhe “herezia shqiptare”) për t’u bindur se prapa qëndrimeve të tilla nuk kemi vetëm “shprehje të mendimit të lirë” por pozicionim i qartë në luftën për të fshehur kriminelët e vërtetë për krimin e gjenocidit në Kosovë.

Pjella e “patriotëve jugosllavë” është infiltruar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe strukturave partiake dhe shtetërore të Kosovës. Ata aplikojnë “Kodin e heshtjes” për “patriotizmin e tyre jugosllav” dhe janë lëshuar në një ofensivë të tërbuar kundër “etnonacionalizmit shqiptar me nuanca të neofashizmit” që gjoja hesht “për UÇK-në, e cila ka kryer krime kundër njerëzimit duke vrarë civilë shqiptarë dhe të komuniteteve tjera”. Ata, përmes punës së koordinuar, krijuan nga Nazmi Bllaca, “shembullin se si të veprohet” për gjoja “zbardhjen e krimeve”. Nazmi Bllacën, që recitoi akuzat e përpiluara në Serbi, e shndërruan në “hero” dhe kërkojnë në veçanti nga opozita që të thyen “kodin e heshtjes” dhe të shfrytëzojnë Gjykatën Speciale si “levë e fuqishme për ta rrëzuar qeverinë”.

Për miqtë e mi, që janë të shpërndarë në shumicën e partitë politike të Kosovës, po ua rikujtoj qëndrimin filozofik të Ernest Hemingwayit.

Duke e parë veten si pjesë të pandashme të njerëzimit shkrimtari i madh amerikan Ernest Hemingway e konsideronte si humbje për njerëzimin humbjen e secilit njeri, fatkeqësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri, padrejtësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri … Për këtë arsye, ai na drejtohet që të mos pyesim se për kë bie kambana në rast fatkeqësie, sepse ajo bien për ne!

Proceset e montuara gjyqësore e luftëtarëve të lirisë kanë qëllim politik të qartë: të dënohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Prandaj, nëse parafrazohet Hemingway në kontekstin tonë atëherë mund të themi lirisht se kur dëgjoni kambanat e padrejtësisë kundër Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Rrustem Mustafës, Latif Gashit, Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Nexhat Demakut, Hysni Thaçit, Avni Zabelit, Burim Ramadanit, Arsim Ramadanit, Arben Kiçina, Blerim Kiçina, Fahredin Gashit, Driton Hajdarit, Shpresim Ukajt, Sadik Abazit, Bekim Sylajt, Shaban Sylajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre mos pyetni se për kë bien kambanat. Ato bien për ne si shqiptarë!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: 1 Maji nuk duhet të jetë festë, por Protestë!

– Në Shqipëri thuajse nuk egzistojnë sindikatat që të organizohen punëtorët për të drejtat e tyre. …