BE-ja shqetësohet për ndalimet e gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi, duke vlerësuar se masa të tilla nuk përputhen me standardet që kërkohen nga vendet kandidate për anëtarësim. Komisioni Evropian ka theksuar se vendet në procesin e zgjerimit duhet të respektojnë vlerat themelore evropiane, përfshirë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. “Masat që mund të kufizojnë punën e gazetarëve shkaktojnë shqetësim. Nga partnerët në procesin e zgjerimit pritet të sigurojnë që gazetarët të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre lirisht, pa kufizime të pajustifikuara dhe të pabazuara”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë. Reagimi i Brukselit vjen pas ndalimeve të hyrjes për disa gazetarë nga Mali i Zi në Serbi, pas masave reciproke të paralajmëruara nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Në javët e fundit, autoritetet serbe ua ndaluan hyrjen disa gazetarëve malazezë, ndërsa më herët Mali i Zi kishte ndaluar hyrjen e kryeredaktorit të tabloidit serb “Informer”, Dragan Vuçeviq. BE-ja tha se do ta ndjekë nga afër zhvillimin e situatës dhe u bëri thirrje Serbisë dhe Malit të Zi të shmangin veprimet që rrisin tensionet dhe të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të hapura./REL

Kontrolloni gjithashtu

Dyshimet për krime lufte: Një muaj paraburgim për të arrestuarin e tretë në Zubin-Potok

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim Jugosllav Radojeviqit, i arrestuar si …