Bedri Halimi: Lojërat me akuza mistike kundër krerëve të UÇK-së

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” III

Disa të dhëna për antishqiptarizmin e Titos 

 

Pasi në këtë pamflet, Buxhovi, bën lavdërimin e periudhës së titizmit, duke e arsyetuar pothuaj çdo gjë, madje për ta hyjnizuar edhe gazetën “Rilindja”, si gazetë të kësaj kohe, ku edhe vetë ishte punëtor, e shohim të udhës që t’i themi disa gjëra për Titon e titizmin…  

Dhuna serbe ndaj shqiptarëve ka ekzistuar që nga viti 1912 e këndej, e cila dhunë në vazhdimësi ka ardhur duke u rritur e funksionuar në forma e mënyra të ndryshme në të gjitha trojet shqiptare. Edhe me vendosjen e sistemit monist në Jugosllavi, dhuna ndaj shqiptarëve nuk u ndal, por vazhdoi të përdoret në forma të ndryshme, si: lufta në Drenicë, duke vazhduar me Masakrën e Tivarit, Informbyronë, periudhën e ashtuquajtur të aksionit për mbledhjen e armëve, etj. Aparati represiv në duart e komunistëve jugosllavë, shkaktoi një tmerr të pa parë në historinë më të re të Kosovës. 

Ndaj të gjitha veprimeve antishqiptare në periudhën e pasluftës së dytë botërore, në Kosovë kishte mendime nga disa njerëz që Titon ta shfajësonin nga këto veprime makabre antishqiptare. Këto mendime, madje është tentuar që të futen edhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë. Por, a kishin të drejtë këta njerëz të mendonin kështu?  

Duke i pasur parasysh pozitat dhe veprimtarinë e Titos në Jugosllavi, faktet flasin ndryshe:  

Tito, konsiderohet si udhëheqës i luftës antifashiste nacional-çlirimtare në tërë Jugosllavinë.  

Tito, ishte kryepartiaku i PKJ-së.  

Tito, ishte ideatori i të ashtuquajturit vëllazërim-bashkim.  

Tito, ishte kryepushtetari i “Jugosllavisë së re”. 

Tito, ishte kryekomandanti i përgjithshëm i armatës jugosllave.  

Tito, ishte kryetar i Frontit Demokratik të Jugosllavisë.  

Tito në cilësinë e komandantit të përgjithshëm, firmosi urdhrin e vendosjes së pushtetit dhe të administratës ushtarake në Kosovë, më 8 shkurt 1945, të cilën e masakroi në kohën kur tashmë asnjë këmbë gjermane fashiste, nuk gjendej në Kosovë.  

Tito, ishte ai që e drejtoi AVNOJ-in e parë dhe të dytë, ku nuk u përfaqësua Kosova.  

Tito, ishte ai që e mohoi referendumin e Kosovës.  

Tito, ishte ai që në cilësinë e kryekomandantit dhe të kryepushtetarit jugosllav, rivendosi piramidat e përgjakura kufitare mes shqiptarëve në dobi të Jugosllavisë, dhe në dëm të kombit shqiptar në përgjithësi, e të pjesës shtetërore shqiptare në veçanti. Kjo nënkupton se Tito si në kohë lufte, ashtu edhe në kohën e ‘lirisë’ së vendit, ka pasur fuqi dhe rrjedhimisht edhe informacione për të gjitha ndodhitë dhe veprimet që bëheshin në shtetin që ai e drejtonte. 

 

Dhuna ndaj shqiptarëve 

 

Duke pasur si model “ÇEKA”-n ruse, Partia Komuniste Jugosllave më 13 maj 1944, themeloi shërbimin sekret “OZNA” (Odsek za Zaštitu Naroda – Sektori për Mbrojtjen e Popullit). Që nga themelimi i saj, e deri në vitin 1966, Tito do ta vendosë Aleksandër Rankoviqin si udhëheqës të këtij shërbimi. Data e “13 majit”, do të shënojë datën e themelimit të këtij aparati dhune në Jugosllavi, që për një kohë të shkurtër do të veprojë pamëshirshëm tek të gjithë popujt që jetonin në shtetin jugosllav, e në veçanti te populli shqiptar. Në relacion me shqiptarët, që nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të vitit 1945, nën akuzat e “antikomunizmit ekstrem” u ekzekutuan me qindra e mijëra shqiptarë. Zyrtarisht, vetëm në Kosovë u ekzekutuan pa gjyq 17400 shqiptarë.  

Për të gjitha këto veprime, nga një pjesë e inteligjencës në Kosovë thuhet se Tito nuk i ka ditur këto ngjarje. Duke pasur parasysh të gjitha postet e përmendura më lart për Titon, si dhe faktin se si funksionojnë institucionet e një shteti monist, është e pamundur që të mos ketë pasur njohuri Tito. Por edhe hipotetikisht po të thuhej se Tito nuk ka ditur çka ka ndodhur me shqiptarët dhe ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi, më vonë sigurisht se do të merrte vesh dhe si rrjedhojë do të distancohej nga këto veprime antishqiptare duke i gjykuar, gjë të cilën nuk e bëri kurrë. Kështu për shembull, për të dëshmuar mirënjohjen e tyre për krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës Jugosllave, pjesa maqedonase e OZNA-s, ekzekutoi mbi 700 shqiptarë në Kumanovë, 1400 në Shkup, 1200 në Kampin e Monopolit në Tetovë, 800 në Kampin e Gostivarit, 320 në fshatin Zajaz.  

Mbi 8500 shqiptarë u mobilizuan për Frontin e Sremit, nga ku nuk u kthyen as 1%. Krijimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndarja e OZNA-s në UDB (Drejtoria e Sigurisë Shtetërore) dhe KOS (Shërbimi i Kundërzbulimit), nuk mund të fshihte krimet e instalimit të komunizmit ndaj shqiptarëve. Në këtë rast nuk, do të përmendim të gjitha krimet e mëvonshme të periudhës së INFORMBYRO-së. Por do të kufizohemi vetëm në një vendim që flet vetë si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga veprimtaria antishqiptare. Më 18 shkurt 1953, Jugosllavia ripërtëriu Marrëveshjen e vitit 1938 me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve. Tito, e ngarkoi Aleksandër Rankoviqin që të krijojë Shtabin Operativ për zbatimin me përpikëri të këtij operacioni. Në krye të këtij Shtabi Operativ ishte vetë Rankoviqi. Pas tij vinin: Kërste Cërvenkovski, Sfetislav Stefanoviq, Millan Bartosh, Leo Grishkovski, Vojkan Llukiq, Marko Vuçkoviq, Pavle Joviçeviq, Petar Stamboliq, Sllobodan Peneziq – Kërcun, Xhoko Pajkoviq, Gojko Medenica, Çedo Mijoviq, Serba Saviq dhe Dushan Mugosha. Dhe, për të përshpejtuar procesin e shpërnguljes së shqiptarëve, në një intervistë dhënë gazetës “Borba”, më 12 prill 1956, Aleksandër Rankoviq në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Jugosllav, shpalli publikisht rrezikun që i kanosej sigurisë së shtetit nga ekzistimi i armëve ilegale në duart e shqiptarëve në Kosovë. 

 

 

Vazhdimi i dhunës ndaj shqiptarëve 

 

Kjo datë, pra 12 prilli 1956, do të shënojë fillimin e asaj që në memorien kolektive të shqiptarëve mbetet si “tragjedia e Aksionit të Armëve”. Brenda një muaji, deri më 12 maj 1956, nën akuzën ndaj shqiptarëve si “kontrabandistë të armëve dhe kriminelë që e destabilizojnë vendin”, u bastisën me mijëra shqiptarë, u arrestuan dhe u torturuan barbarisht me qindra e mijëra familje shqiptare. Dita e përvjetorit të OZNA-s, 13 maji i vitit 1956, u shënua me ‘rezultate’ të mëdha. Para medieve të kontrolluara nga Partia Komuniste Jugosllave dhe para Korit Diplomatik në Beograd, u ekspozuan “armët e konfiskuara” ndaj shqiptarëve! Kështu, gjatë vitit 1956 në Jugosllavinë komuniste të udhëhequr nga Tito, u bë terror shtetëror mbi shqiptarët: 106 vetë u vranë, dhe mbi 10 mijë të tjerë mbetën me pasoja të përjetshme shëndetësore. Ky terror shtetëror kundër shqiptarëve i udhëhequr nga Aleksandër Rankoviq, shkaktoi një klimë të pasigurisë kolektive që pat për efekt shpërnguljet masive të shqiptarëve për Turqi. Duke u mbështetur në të dhënat e dy shërbimeve konzulare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, vërtetohet se në periudhën 1953 – 1966, prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 415, 371 shqiptarë.  

 

Rrëfimi i Titos për Kosovën 

 

Në vitin 1966, kur nga ky aparat represiv u rrezikua edhe vetë kreu i shtetit dhe partisë, Josip Broz Tito, shkarkoi Aleksandër Rankoviqin. Përpos shkarkimit nga funksionet shtetërore dhe dënimit deklarativ përmes konkluzioneve të Plenumit të Brioneve, asnjë pasojë nuk patën organizatorët dhe ekzekutorët e këtij terrori shtetëror antishqiptar. As Aleksandër Rankoviqi, as Kërste Cërvenkovski dhe as kriminelët tjerë nuk pësuan asnjë përgjegjësi penale për krimet antishqiptare. Ata vazhduan përmes pasardhësve të tyre që më vonë të aplikonin të njëjtat metoda të dhunës dhe terrorit ndaj shqiptarëve, ku diskriminimi ekonomik, politik dhe social i shqiptarëve dhe dhuna e terrori shtetëror permanent ndaj tyre, krijuan klimën e pasigurisë totale dhe paperspektivës së tyre në trojet e veta etnike. 

Në bazë të historianit kroat Vjençesllav Cençiqit, sqarohet shumëçka për qëndrimin e Titos ndaj shqiptarëve, përmes një fjalimi të Josip Broz Titos mbajtur para ushtarakëve në Karagjorgjevë, më 29 dhjetor 1979. Përmes këtij fjalimi, përkatësisht këtij dokumenti, flitet për qëndrimin e Titos edhe kundër Kushtetutës së vitit 1974, ku fillimisht duke bërë fjalë se gjendja në Kosovë ishte e keqe dhe se ai personalisht kishte qenë kundër Kushtetutës së vitit 1974. Titoja decidivisht thotë: 

“Kuadrot shqiptare nga Kosova po mendojnë që nëse me Kushtetutën e vitit 1974 kanë fituar më shumë të drejta e pjesërisht edhe shtetësi, ndërsa unë po e theksoj që kam qenë kundër asaj Kushtetute. Mund të kryejnë me vetiniciativë aktivitete shtetërore. Ashtu është e palejueshme që anash Republikës së Serbisë, por edhe federatës, të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë. Ata me vetiniciativë, pa dijeninë tonë, kanë sjellë profesorë nga Shqipëria në fakultete dhe shkolla që të ligjërojnë historinë me programin shqiptar, që të mësojnë fëmijët tanë dhe studentët që Kosova është pjesë e Shqipërisë së Madhe Skënderbegase, që përkohësisht është nën Jugosllavi”. 

Këto konkludime, Tito i bënte edhe pse e dinte se udhëheqësia shqiptare e Kosovës e asaj periudhe nuk ishte aq e fortë, sa që, edhe sikur të ketë tentuar për të punuar kokë me vete, me vetiniciativë, këto veprime kur të donte Titoja do t’ua ndalonte. Në këtë drejtim, për ta treguar fytyrën e vet antishqiptare, Titoja në fjalën e tij, tërë kohën akuzon Kardelin dhe Bakariqin si arkitektët e asaj kushtetute dhe të atij decentralizimi komplotist, i cili autonominë e Kosovës e konsideron si shkaktarin e krizës së mundshme të shtetit federal, për çka thotë se duhet të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë përkrahur Kushtetutën e vitit 1974. Qëndrimin e prerë të Titos kundër autonomisë së Kosovës, që u ofrua me Kushtetutën e vitit 1974, Titoja në këtë dokument e përforcon edhe me këto fjalë: “Me rastin e miratimit të Kushtetutës, i kam thënë Bevcit (Eduard Kardelit) dhe Vlladës (Vlladimir Bakariqit) po edhe tërë komisionit kushtetues, ku më mbivotuan Kardeli dhe bashkëmendimtarët e tij, që për 3 deri në 4 vjet unë do t’i demantoj dhe do të dëshmoj që kam pasur të drejtë. Që kam pasur të drejtë, e tregon edhe kjo gjendje në Kosovë, por edhe në gjithë vendin”. 

Gjatë kësaj periudhe kohore, kundër Kosovës, kaq kategorik nuk kanë qenë as drejtuesit politikë të Serbisë së asaj kohe, meqë në vitet 70 në sekenën politike serbe apo në fuqi ishin të ashtuquajturit “liberalët serbë” në krye me Marko Nikeziqin, dhe me intelektualen e njohur, Llatinka Peroviqin. 

Gjithashtu gjatë periudhës, së paa luftës së Dytë Botërore nga dhuna shtetërore jugosllave janë shpërngulur, sipas viteve 1953 – 119300 shqiptarë; 1954 – 17500 shqiptarë; 1955 – 51000 shqiptarë; 1956 – 54000 shqiptarë; 1957 – 57710 shqiptarë; 1958 – 41300 shqiptarë; 1959 – 32000 shqiptarë; 1960 – 27980 shqiptarë; 1961 – 31600 shqiptarë; 1962 – 15910 shqiptarë; 1963 – 25720 shqiptarë; 1964 – 21530 shqiptarë… 

 

(Vazhdon…) 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …