Bedri Islami

Bedri Islami: Më mirë të flasë, Edi Rama

1.

Kur filloi lufta në Kosovë thuaj se të gjithë analistët e sotëm që janë vetë shpallur të pavarur, në Prishtinë dhe më shumë në Tiranë, mendonin, shkruanin dhe profetizonin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të mundej shpejt. Luftën ata e quanin fantazi, sakrificën budallallëk, flijimin si nostalgji, dashurinë për Shqipërinë si anakronik, vizionin për të ardhmen e Kosovës si utopi. Të gjitha këto janë të shkruara dhjetëra herë.

Ata “profetizonin” se lufta do të mbaronte shpejt, pasi UÇK-ja nuk kishte forca për t’i bërë ballë Serbisë, nuk kishte brigada dhe njësi të rregullta ushtarake, ata nuk kishin as kredit, pra nuk mund të përballohej lufta as nga ana financiare e as nga ana ushtarake, madje, për disa prej tyre, UÇK-ja nuk ishte asgjë tjetër veçse dorë e zgjatur e shërbimit sekret serb. Të gjitha këto, e përsëris, janë të shkruara.

Kur lufta mbaroi dhe qeveria Thaçi po vendosej në Prishtinë, vrapuan të bëhen miqtë e tij, të bënin foto, të shkelnin në zyrat qeveritare, të kapnin tenderë, të krijonin studio televizive, të ishin të pranishëm. U bënë mbrojtësit e zjarrtë të Thaçit.

Atëherë i kam thënë Hashim Thaçit, “të ruajtë zoti nga miq të tillë: Ata do të braktisin sa më shpejt që të munden”.

Thaçi ishte njeri i politikës. Ai bënte llogaritë e tij politike.

Të njëjtët, tani, po me aq zjarr, i janë vërsulur fjalës së Edi Ramës në Këshillin e Evropës. Nuk besoj se e kanë lexuar. Përgjithësisht të sipërfaqshëm, tani ata e shohin rastin Thaçi si një mundësi për të patur objektiv shefin e qeverisë Rama.

Çuditërisht thuajse askush nuk ndalon te thelbi i asaj që është thënë, as tek gabimet e padëshiruara (Rama duhet të dijë se komb kosovar nuk ka, ka vetëm komb shqiptar dhe se një tezë e tillë është e dëmshme, pak të thuash. Ashtu si duhet të dijë se në Kosovë ka pasur gjenocid).

Analistët e tjetërsuar tani po kanë hallin se Edi Rama mbron Hashim Thaçin dhe trupën drejtuese të UÇK-së në proçesin e Hagës. Fjala e shefit të qeverisë Rama është shumë përtej saj.

Dënimi i Trupës Drejtuese të UÇK-së në fakt do të ishte edhe dënimi i luftës, i vetë Kosovës dhe i proçeseve të saj. Nesër, në një ditë të ardhshme, kur ata që ndodhen në Hagë të kthehen në Kosovë, (jam i bindur se janë të pafajshëm dhe viktimë e lojës së ndyrë politike të luajtur në trekkëndëshin Beograd-Prishtinë-Tiranë) këta do vrapojnë të jenë përsëri miqtë e Thaçit.

2.

Një miku im më shkroi se ishte i revoltuar me deklarimet e deputetit të Lëvizjes VV, Haki Abazi , lidhur me fjalimin e shefit të qeverisë Edi Rama dhe cilësimet e bëra.

I shkrova shkurt se njeriu nuk duhet të marrë seriozisht një figurë të tillë. Të marrësh seriozisht Haki Abazin për çështje të tilla është të mjerosh veten. Është ndër ata deputetë që, edhe kur ishte zv.kryeministër, kishte zyrën e tij në Beograd.

“Është gjynahqar” thonin dikur për të tillë. Nuk besoj se Albin Kurti e ka yshtur Haki Abazin për deklarata të tilla. Megjithëse nganjëherë shefat flasin më shumë përmes heshtjes, se sa përmes budallenjve të politikës.

Ruaje zot Albin Kurtin nëse flet përmes gojës së Haki Abazit.

3.

Kam shkruar se “ndikimi i Edi Ramës është rritur, po rritet dhe duhet zvogëluar”. Mirëpo, kur dëgjon se cili flasin e turfullojnë kundër tij, fjalës së tij në Këshillin e Evropës, kur sheh se janë ata që e miratuan Rezolutën e Dick Martyt dhe tani vetëshpallen si bartës të çështjes kombëtare, i them vetes “më mirë të flasë ky, edhe pa doganë, se këto që nuk duhet të kishin folur tash sa vite”.

Kur dëgjoj të përgjërohen për Kosovën ata që bashkëpunuan me Millosheviqin, që shitën armë, lejuan të futen në Shqipëri gjithë farë eksponentësh të lartë të UDB-së, i bënë këshlltarë, zhdukën të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret serb, bënë funksionarë të lartë disa prej tyre, dhe, sikur të mos mjafton e gjithë kjo, në fund, kur lufta në Kosovë ishin në pikun e saj, bënë grusht shteti, i them vetes ,”le të flasë Edi Rama, në fund të fundit është më i pranueshëm”.

Unë gëzohen kur nga opozita flasin njerëz që e kanë dëshmuar atdhedashurinë për Kosovën, dhe jam me mendimin e tyre. Por, jo, një mijë herë jo, kur shesin patriotizëm ata që deri dje ishin pjesë e degradimit të Shqipërisë dhe të gatshëm të shesin Kosovën për pushtetin e tyre.

4.

Në zgjedhjet parlamentare të para pluraliste, mars 1991 dhe 22 mars 1992, të gjitha partitë politike në Shqipërinë e kohës, në programin e tyre politik vendosën bashkimin kombëtar. Parlamenti i parë pluralist, presidenti i kohës Ramiz Alia, njohën Republikën e Kosovës, kur nuk e kishte njohur askush. Edhe PD e Berishës, sidomos në marsin e vitit 1992, e theksoi me forcë bashkimin kombëtar dhe fitoi. Për të parën dhe të fundit herë.

Por katër vite më vonë asnjë parti politike nuk e kishte më në programin e saj bashkimin kombëtar. Për të përgatitur njerëzit në vitin 1991, apo një vit më pas, 1992, për bashkimin e kombit, partitë e sapo dalura nuk kishin asnjë meritë. Tjetër kush e kishte bërë këtë. Mirë a keq, bardh a zi, njerëzit e kishin për zemër.

Edhe në zgjedhjet politike të vitit të shkuar asnjë forcë politike nuk u muar me bashkimin kombëtar. Edhe ata që sot flasin për komb dhe atdhe. Përse ndodhi kjo?

Rilindasit e mëdhenj nuk ishin vetëm një cifël nga shkëmbi i vjetër i epokës skenderbeiane, por vetë shkëmbi i vjetër. Liderët e sotëm janë disa guralecë që të sillen nëpër këmbë, të futen në këpucë dhe të vrasin.

5.

Kaq e madhe është mëria e presidentes aktuale të Kosovës ndaj të majtës në qeverisjen e Shqipërisë, sidomos ndaj Edi Ramës, saqë do të kishte pranuar me dëshirë disfatën e saj të jashtme për të arritur fitoren e brendshme.

Do të kishte dashur që Edi Rama të mos e përmendte fare Kosovën, askund, as në Organizatën e Kobeve të Bashkuara, as në Këshillin e Evropës, vetëm për të thënë se “ja, e dija, ai e harroi gjysmën e kombit shqiptar”.

Nëse do të ishte më e përmbajtur dhe të linte mllefin në punën e tij, ajo do të kishte kuptuar se fakti i lirisë së Kosovës lidhet, duan apo nuk duan “të revoltuarit”, pikërisht me qeverisjen socialiste në vitet e luftës në Kosovë.

Po të dëshirojë mund të hapim edhe një herë letrat dhe atë që e ka ditur, ta rimësojë.

Botuar në DITA

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …