Bedri Islami

Bedri Islami: “Zajednica”, kalon apo nuk kalon?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, funksionari i lartë që disa kohë më parë, në bisedimet me përfaqësuesit e lartë serbë, premtoi se Kosova do ua dorëzonte arkivin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u qëllua me një tortë çokollatash dhe me lëngje frutash.

E bënë disa ish-bashkëpartiakë të tij, të ndarë tashmë.

Nuk e di se si është ndjerë ai, por nuk besoj se në ato çaste i kujtoheshin rastet kur ai vetë apo të tjerë rreth tij, në mllefin e politikës, gjuanin të tjerët, apo i shpallnin tradhtarë të Kosovës mbajtësit e pushtetit të kohës. Nuk e di, po ashtu, nëse dikush e ka pyetur atë se çfarë do të bisedohej e vendosej në qytetin e Ohrit, tani, kur pika e vlimit ka arritur dhe kupa rrezikon të derdhet.

“Zajednica”, si e kanë quajtur militantët e Lëvizjes VV është tashmë jo vetëm tema e ditës, por edhe ankthi që ka rënë mbi të ardhmen e Kosovës. Torta e çokollatave e hedhur mbi të nuk është asgjë me rëndësi, “torta” të tjera do të hidhen, përplasje të ardhshme do të ndjekin njëra tjetrën, por thelbi do të mbetet i njëjtë: Çfarë fshihet pas kësaj marrëveshje, ende enigmë, gjithnjë me frikën e arsyeshme se “djalli fshihet në detaje”?

Sido që të quhet, qoftë me emrin e drejtë për drejtë, qoftë me gjithë farë sinonimesh zbutëse, thelbi mbetet i njëjtë: pakica serbe në Kosovë, e cila nuk zë as pesë për qind të popullsisë së Kosovës, do të ketë të drejta që askush nuk mund të mendonte se do i kishte një ditë, për më tepër, të mbështetur nga institucionet vendim marrëse ndërkombëtare.

Fshehja pas asaj, se, duhen zbatuar ato që kanë firmosur para ardhësit në pushtet, që domosdo duhen marrë parasysh, nuk është veçse mjegulla e justifikimit.

Ku shkoi e gjithë energjia e përkushtuar në protestat e pafund të Lëvizjes VV, ajo që është besuar dhe për të cilën janë bërë aq shumë sakrifica, pikërisht kundër “Zajednicës”, aq shumë burgosje të militantëve? Apo ishte, ashtu si thotë ish-deputeti i Lëvizjes VV, Faton Topalli, ish  ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Zvicër, njeriu që ishte nga të parët në hedhjen e gazit lot sjellës në sallën e parlamentit të Kosovës?

Pushtetarët e tanishëm kanë të drejtën e qeverisjes, fituar përmes një vote plebishitare, jo për të zbatuar prapështitë e mëhershme, nëse mund të quhen të tilla, por për atë çfarë kanë premtuar, për detyrimet që rrjedhin nga besimi i dhënë, për më tepër, nga ashpërsia me të cilën janë shfaqur kundër çdo gjëje të shkuar. Nuk janë votuar, e, as nuk janë besuar për të vënë në zbatim çka nuk e kanë dashur, kundër të cilave janë përplasur, kanë bllokuar rrugë, kanë gjuajtur me shishe benzine, kanë protestuar, nuk kanë lejuar të ketë seanca parlamentare normale.

Janë votuar për të realizuar programin e tyre, edhe në jetën e brendshme të Kosovës, por edhe në marrëdhëniet me shtetet fqinjë, sidomos me shtetin serb. Të kesh të drejtën e qeverisjes nuk do të thotë të ringjallet miti i Njëshit, cilido qoftë ai.

Është ende e pa qartë nëse ajo që është miratuar në marrëveshjen e Ohrit, apo që do të miratohet, do të kalojë apo jo në Kuvendin e Kosovës! Fytyra e habitur e zëvendës kryeministrit aktual, në momentin kur e qëlluan me një tortë çokolate nuk e fsheh dot habinë e së ardhmes.

Çfarë do të ndodhë? Cili është thelbi i marrëveshjes, ose i pajtimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vende?

Ka ndryshim mes asaj që është paraparë në marrëveshjet e mëhershme, të vitit 2013, nënshkruar nga Thaçi, dhe asaj të vitit 2015, nënshkruar nga Isa Mustafa? Çfarë ka ndryshuar nga marrëveshjet e para dhe ndryshimet janë apo jo disi në dobi të Kosovës? Aneksi i zbatimit të marrëveshjes a është në përputhje me vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe a janë të pranueshme në ditët e tashme?

Askush nuk e di, enigma qëndron mbi atë që po imponohet si një detyrim, në stilin “merre ose ik”, çka e ngushton frymëmarrjen e politikës vetë qeverisëse në Kosovë.

Nëse Isa Mustafa u sulmua asaj kohe, edhe në shtëpinë e tij, dhe makinat qeveritare u kthyen përmbys, tani çfarë duhet “përmbysur”? Nëse Hashim Thaçi, asaj kohe, nga lëvizja VV u shpall tradhtar dhe u sulmua egërsisht, tani ku duhet gjetur “ tradhtari” i ri?

Protesta e thirrur nga social demokratët e Kosovës, në fakt nga të larguarit e Lëvizjes VV, me 25 mars, do të jetë vështirë  ndikuese në politik bërjen e tanishme, por a fsheh ajo në të vërtetë edhe kundërshtimin e masës së madhe të votuesve të Lëvizjes VV? Apo të pjesës më të madhe të opozitarëve?

Ohri, si vendi i bisedimeve shqiptare, sapo ka filluar të hapë disa nga enigmat e tij. Presidenti serb, menjëherë sapo u kthye në vendin e tij, deklaroi se, “Nuk kam nënshkruar sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova nuk është për mua. Dhe nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës….Vijat e kuqe janë  kundërshtimi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB”.

Ndërsa shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, edhe pse tashmë ka rënë kushti themelor i vendosur nga ai për bisedimet me shtetin serb, ai i njohjes reciproke fillimisht, bëri thirrje që, “BE-ja të gjejë mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, pasi Serbia refuzoi nënshkrimin”.

Zotimi gojor ka peshën e tij, por kur njeriu përballë është i njohur, të paktën deri diku, si njeri i mbajtjes së fjalës së dhënë. Për çka nuk është njohur kurrë presidenti serb. Dhe askush nuk duhet të presë që ai të ndryshojë tani.

Serbia po i mbetet besnike udhëzimit të kahershëm të Kishës që të mos prodhojë fakte të nënshkruara, dokumente të veçanta, sa i përket Kosovës. Mos nënshkrimi nuk është thjeshtë akt juridik, është deri diku detyrues, dhe, duke marrë parasysh se, si thotë Drashkoviq, “mashtrimi është veti kombëtare serbe”, as atëherë nuk mund të jetë e qetë qeveria e Kosovës, e as institucionet ndërkombëtare, që, duke lëshuar litarin gjithnjë e më shumë nga Beogradi, në fakt rrezikojnë stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit, dhe, sado që mund të duket paranojë, nxiten konfliktet e ardhshme.

Çfarëdo që të mendohet, të nxitet dhe të propagandohet përtej këtij realiteti është mashtrimi i radhës dhe askush nuk mund të zhbëjë këtë.

Prej kohe, që nga mbarimi i luftës në Kosovë, politika serbe, e formësuar nga Kisha ortodokse, luajti përmes halleve dhe lëshimeve të Perëndimit, tërhoqi nga vetja dhe ndërtoi politikën e saj destabilizuese në Veriun e Kosovës, shmangu fajësinë dhe fitoi atë që do të bëhet e njohur.

Dhjetë vite grindje dhe përleshje pa fund në mesin e politikës shqiptare në Kosovë tani mund të quhen kohë e humbur dhe gjërat u kthyen edhe një herë në vitin 2013. Por, ndoshta më të hidhura se asaj kohe. E vërteta e miratimit të Marrëveshjes së Ohrit është shpallur nga iniciuesit e saj, BE dhe SHBA, e shpallur publikisht dhe pa asnjë ekuivok. Koha për të gjetur tradhtarët e vjetër dhe të rinj, po ashtu, ka shkuar. Të dyja palët, duan apo nuk duan, fshihen apo jo pas një nënshkrimi apo pas ndryshimit të cilësorit të asaj që do të ndodhë, duhet të zbatojnë anekset e saj, ku kryesore vazhdon të mbetet krijimi i asosacionit, apo Zajednicës.

Në shkëmbim, Serbia do të njohë dokumentet identifikuese të shtetit të Kosovës, çka ishte parashikuar edhe dhjetë vite më parë.

Tani është koha të bëhet pyetja kryesore: Çfarë kompetencash do të ketë aktualisht institucioni i krijuar në të ardhmen, i njohur si Zajednica? Do të ketë ai fuqi legjislative, ekzekutive dhe, mos u habisni, në një ditë të ardhshme, kur Serbia të përfitojë ende nga politike miope që bëhet në Kosovë, edhe të drejtën e saj për shkëputje?

A do të jenë garantët e sotëm, edhe në një të ardhme, në të njëjtin mendim dhe qëndrim?

Nëse Zajednica do të ketë të drejtën e një Këshilli serb, me organet e saj të zgjedhura apo të emëruara, me një drejtues, që serbët e kanë në qejf ta quajnë president, nëse përmes këtij këshilli kombëtar serb, brenda kombësisë shumicë shqiptare, do të miratohen ligje ekzekutive dhe legjislative, do të kenë të drejtën e policisë, gjykatës, të drejtën e financimit nga shteti serb , etj, etj, atëherë, sido që të quhet, ai do të jetë një shtet brenda shtetit të Kosovës, dhe autoriteti më i lartë serb në Kosovë nuk do të jenë më qeveritarët serb në qeverinë e Kosovës, as deputetët e Listës serbe, por pikërisht ky institucion, që, dalëngadalë do i drejtojë serbët drejt krijimit të një enklave, për të shkuar më tej, drejt dëshirës për shkëputje dhe kthimin e saj në një republikë të vogël serbe brenda Kosovës, nga e cila mund të ndizet një zjarr i madh.

Në një kohë jo të largët, Lëvizja VV dhe drejtuesi i saj karizmatik Albin Kurti ngulnin këmbë dhe protestonin duke kërkuar që Kosova të quhej Republika Shqiptare e Kosovës. Nuk mund të mohoj se ishte dëshirë e mirë dhe , në të njëjtën kohë, e arsyeshme. Lëshimi i bërë ishte ndoshta i detyrueshëm, por, lëshimet e tjera, do të jenë fatkeqe.

Kosova e ka lidhur të ardhmen e saj me Perëndimin. Nuk ka rrugë tjetër dhe nuk mund të ketë. Nuk mund të dalësh kundër kësaj rruge. Më mirë se gjithë të tjerët këtë e di tashmë shefi i qeverisë së Kosovës dhe , sido që të vijnë punët, është vendi i vetëm ku mund të mbështetet. Pa sofizma dhe dalldi nacionaliste, nga të cilat, aq shpejt sa u bënë pjesë e jetës politike, po aq shpejt edhe u braktisën.

Në prag të marrjes së pushtetit, 14 shkurt 2021, Lëvizja VV, e prirë nga Kurti organizoi protesta dhemarshime të furishme në moton “Zajednica nuk kalon”. Ishte njëri ndër motivet më të mëdha që fitoi besimin e qytetarëve të lodhur nga pushteti i deri asaj kohe dhe aferat që dëshmonin se kishte ikur koha e një plejade, për të ardhur një tjetër.

Tani është koha për të bërë pyetjen : “Zajednica” kalon apo nuk kalon Dhe, nëse kalon, çfarë ka prapa saj? (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …