Behlul Jashari: Para 30 vitesh nisi Gazeta “Bujku”, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës

Behlul Jashari: Para 30 vitesh nisi Gazeta “Bujku”, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës

-Para 30 viteve, në 18 Janar 1991, në Prishtinë nisi të dalë gazeta “Bujku”, gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe e bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik. Isha themeluesi-kryeredaktori i parë, një ditë para numrit të parë i shkruaja Ambasadës Amerikane se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës…Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne gazetarët e punëtorët e tjerë të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar nga regjimi okupues i Serbisë. Në ballinë emri i gazetës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen, sfidonte ndalimin…Çka shkruante në numrin e parë…/

-“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës.

 

Pikërisht para 30 viteve, në 18 Janar 1991,  më Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore-Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda- zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, i cili u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionat, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 Korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 76 vitesh, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …