Besim Qeriqi: Wesley Clark dhe e vërteta e UÇK-së

Dëshmia në mbrojtje të krerëve të UÇK- së, nga gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), një ndër pozicionet më të rëndësishme të NATO-s, ka një peshë të veçantë për të vërtetën historike të Kosovës, për interpretimin e drejtë të luftës së UÇK-së dhe për drejtësinë ndërkombëtare në përgjithësi.

​​Gjatë periudhës së Luftës së Kosovës (1998-1999), gjeneral Clark ishte autoriteti kryesor i informacionit për Aleancën e NATO-s. Përmes komandës që drejtonte, ai kishte qasje të vazhdueshme në të dhëna ditore, të detajuara dhe tepër të klasifikuara, që dokumentonin çdo zhvillim në Kosovë dhe rajon. Kjo pozitë i mundësoi Clarkut, më shumë se çdo zyrtari tjetër perëndimor, të zotëronte informacion të plotë mbi dinamikën e luftës, si dhe mbi sjelljen dhe respektimin e konventave ndërkombëtare të luftës nga të gjitha palët, përfshirë edhe UÇK-në.

Duke e mbajtur mbi supe një pozicion kaq të rëndësishëm, është e pamundur që një gjeneral me katër yje siç është Wesley Clark, të dëshmojë në mbrojtje të veprimtarisë së UÇK-së pa qenë paraprakisht i bindur në legjitimitetin dhe pastërtinë e luftës së tyre.

Angazhimi i dëshmisë së gjeneralit Clark në mbrojtje të krerëve të UÇK-së nuk është i pari në kontekstin e gjykimeve për konfliktet në ish-Jugosllavi.

Ai është paraqitur më 15-16 dhjetor 2003 si dëshmitar i Prokurorisë në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) kundër Slobodan Miloševićit. Gjatë seancave, Clark dëshmoi për krimet e luftës dhe spastrimin etnik të kryer nga forcat serbe në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Dëshmia e gjeneralit Clark u konsiderua thelbësore edhe kundër të akuzuarve tjerë serb në rastin IT-05-87-T Milan Milutinović, Nikola Šainović, Dragoljub Ojdanić, Nebojša Pavković, Vladimir Lazarević dhe Sreten Lukić për shkak të njohjes së tij të detajuar të strukturave komanduese dhe vendimmarrëse serbo/jugosllave. Kjo u forcua nga fakti që ata ishin palë të pranishme në takimet kyçe me Clarkun, të zhvilluara gjatë tetorit të vitit 1998 dhe janarit të vitit 1999, takime gjatë të cilave ai i paralajmëroi drejtpërdrejt për pasojat e veprimeve të tyre dhe për ndërhyrjen e mundshme të NATO-s. Këto paralajmërime dolën të sakta. NATO-ja filloi bombardimin kundër Jugosllavisë më 24 mars 1999. Fushata ajrore zgjati 78 mjaftueshëm për ta detyruar udhëheqjen serbo/jugosllave të nënshkruaj kapitullimin. Slobodan Miloševićin dhe të sipërpërmendurit u akuzuan zyrtarisht nga ICTY më 27 maj të vitit 1999 për urdhërdhënie vrasjesh si dhe për spastrim etnik të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës.

Për shkak të rëndësisë dhe ndjeshmërisë së informacioneve që përmbante, dëshmia e gjeneralit Clark nga ICTY u cilësua si e mbrojtur bazuar në Rregullin 70 (C) dhe (D) të rregullave të procedurës dhe provave, i cili rregullon informacionin konfidencial të ndarë nga shtetet. Dëshmia u bë publike 48 orë  pasi u shqyrtua nga avokatët e Departamentit të Shtetit, të cilët, nuk kërkuan ndonjë ndryshim.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Hagës, Florence Hartmann, e cilësoi atëkohë dëshminë e Clarkut si “jashtëzakonisht të rëndësishme”, meqenëse ajo përbënte provën më të drejtpërdrejtë që konfirmonte dijeninë paraprake dhe përgjegjësinë komanduese të Miloševićit mbi masakrat e kryera.

​Në rastin e Kosovës, udhëheqësi serb, përmes politikave të dhunës sistematike përgjatë viteve `90-ta, shtyu shqiptarët drejt rezistencës së armatosur; veprim ky, për të cilin, paradoksalisht, po adresohet aktualisht akuza kundër krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Megjithatë, një zhvillim thelbësor në këtë çështje është se pas 22 vitesh, gjenerali Clark rikthehet përsëri në Gjykatë por kësaj radhe si dëshmitar në mbrojtje të luftës së UÇK-së.

***

Njohja e Clarkut me rajonin është e hershme. Ai dallohet si një prej ushtarakëve të paktë me njohuri të detajuara mbi rrjedhën e luftërave të njëpasnjëshme në ish-Jugosllavi. Pjesëmarrja e tij në bisedimet e paqes në Dayton. Gjatë dëshmisë së tij kundër Miloševićit, Clark përshkruan një bisedë që pati me Miloševićin më 17 gusht 1995, gjatë negociatave për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, rreth vrasjeve në Srebrenicë që kishin ndodhur një muaj më parë:

I thashë: “Zoti president, ju thoni se keni kaq shumë ndikim mbi serbët e Bosnjës e Hercegovinës, por si është e mundur atëherë, nëse keni kaq shumë ndikim, që e lejuat gjeneralin Mladić të vriste të gjithë ata njerëz në Srebrenicë?” Dhe Miloševići më shikoi dhe ndaloi për një moment. Pastaj tha: “Epo, gjeneral Clark,” tha ai, “e paralajmërova Mladićin të mos e bënte këtë, por ai nuk më dëgjoi”. Një sjellje tipike e Miloševićiane. Shfaq fuqi dhe autoritet të një lideri gjithëserb, kur i duhet për shfaqur ndikim politik. Ndërkohë, kur vjen puna te përgjegjësia, e mohon atë duke u justifikuar me mungesë autoriteti ose mosbindje nga të tjerët.

***

Pa i llogaritur kontaktet tjera gjatë luftës, Clark ka luajtur një rol bindës për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë. Në kohën që bisedimet nuk po jepnin rezultatet e pritura Clark kujton se kishte preferuar të vizitonte të dyja delegacionet, duke punuar për t’i bindur përsëri serbët. Megjithatë atij ju garantua mundësia e takimit vetëm me delegacionin shqiptar, në një bazë ajrore franceze në afërsi të Rambujesë. Ai kujton se: “Synimi im ishte t’i siguroja shqiptarët se NATO-ja do të jetë aty për t’i ndihmuar […]” Clark, pranon se kjo vizitë kishte për qëllim t`i bënte presion udhëheqjes shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar,  pasi udhëheqësi i delegacionit Hashim Thaçi, deri në momentin e fundit nuk po bindej për nënshkrim, në mungesë të një përcaktimi të qartë dhe konfirmimi të së drejtës së popullit të Kosovës për të mbajtur një referendum mbi statusin final të Kosovës pas një periudhe tranzitore trevjeçare. Gjatë këtij takimi, u vendosën baza për një respekt dhe besim të ndërsjellë midis të dyja palëve. Më 19 mars 1999 Clark në selinë e Komandës Supreme në Mons priti një delegacion të UÇK-së. Teme diskutimi ishte njoftimi për përgatitjet përfundimtare, pak ditë para fillimit të bombardimeve kundër Jugosllavisë, si dhe mundësitë e bashkëpunimit NATO-UÇK.  Në javët në vazhdim Clark dhe ekipi i tij mbajtën kontakte të rregullta me UÇK-në gjatë fazës 78-ditore të bombardimeve. Ai gjithashtu ka luajtur rol kyç në arritjen e marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.

Pikërisht bazuar nga kjo njohje e afërt Clark pritet të dëshmojë për rolin e NATO-s në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të viteve 1998–1999, për Rezolutën 1199 të OKB-së, fushatën ajrore kundër forcave serbe dhe vendosjen e paqeruajtësve në Kosovë pas luftës. Se si nuk ka pasur një urdhër apo plan të koordinuar nga udhëheqja e UÇK-së për sulme ndaj komunitetit serb pas kthimit të refugjatëve në verën e vitit 1999. ​

***

​Në të njëjtën kohe me angazhimet ndaj palës shqiptare, intensifikimi i përpjekjeve diplomatike – ushtarake të gjeneralit Clark, për të cilat do të dëshmoj në Dhomat e Specializuar në Hagë, kulmuan me domosdoshmërinë e negocimit të drejtpërdrejtë me udhëheqjen serbo-jugosllave në Beograd. Një nga momentet kyçe është takimi i mbajtur në mes të tetorit 1998 ndërmjet presidentit Sllobodan Milošević dhe gjeneralit Wesley Clark. Tema kryesore e këtyre bisedimeve ishte verifikimi i tërheqjes së strukturave policore dhe atyre ushtarake serbo-jugosllave nga territori i  Kosovës, një zotim të cilin udhëheqësi serb kishte pranuar si rrjedhojë e Marrëveshjes Holbrooke-Milošević, më 13 tetor 1998.

​​Përkundër arritjes së një pajtueshmërie, udhëheqja serbe tentonte të fitonte kohë. Të vazhdonte spastrimin etnik dhe vrasjet në Kosovë.

Në anën tjetër NATO-ja, përmes gjeneralit Clark, kërkonte tërheqjen e menjëhershme të të gjitha forcave shtesë, ushtarake dhe policore të stacionuara në Kosovë që nga muaji shkurt i vitit 1998, duke e konsideruar këtë si formën e vetme për t’iu shmangur ndërhyrjes ushtarake ajrore.

​Si formë paralajmëruese, u lëshua Urdhri i Aktivizimit (ACTORD), i cili përfshinte planet për sulme ajrore të kufizuara kundër Jugosllavisë. Ekzekutimi i këtij urdhri do të fillonte 96 orë pas lëshimit në rast mosrespektimit nga ana e udhëheqjes serbo-jugosllave.

Në kuadër të marrëdhënieve të tij të zgjatura gjenerali Wesley Clark kishte investuar mbi 100 orë në biseda intensive, në përpjekje për ta bindur udhëheqësin serb Slobodan Miloševićin që të hiqte dorë nga dhuna e vrasjet. Kur dëshmoi para GJPNJ-së në Hagë, gjenerali Clark përcaktoi një vijë ndarëse mes Miloševićit të negociatave dhe atij të të akuzuarit për krime lufte, duke theksuar mungesën e çfarëdo evoluimi në personalitetin e tij.

“Ky burrë që unë e njoha atëherë, nuk ka pësuar asnjë ndryshim thelbësor nga burri me të cilin u përballa në gjykatë,” deklaroi gjenerali Clark. “Nuk pashë asnjë ndryshim në sjelljen e tij, në rezistencën e tij kokëfortë apo në karakterin e tij agresiv, në raport me njeriun që besoj se ishte personalisht përgjegjës për shkallën e krimeve masive dhe viktimizimit në Ballkan.”

Asokohe në tetorin e `98-ës në stilin e tij të njohur të mohimit, Miloševići fillimisht kishte kontestuar ekzistencën e shumë njësive ushtarake në Kosovë. Biseda kishte marrë drejtim kur gjenerali Clark e kishte sfiduar me pyetje të drejtpërdrejta: “Zoti president, a keni dëgjuar ju ndonjëherë për Brigadën e 211-të të Blinduar?” Miloševići, ishte përgjigjur ashpër: “Jo, nuk kam dëgjuar për njësi të tillë!”, duke hedhur një shikim nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, Momčilo Perišić. Pas një bisede të shkurtër në gjuhën serbe, Miloševići, aspak i kënaqur, u detyrua të konfirmonte: “Po, ekziston një njësi e tillë!” Përgjigja e Clarkut ishte e prerë: “Pra, duhet ta tërhiqni atë nga Kosova!”

​Biseda vazhdoi me orë të tëra, ndërsa Miloševići luante rolin e indiferentit se ai gjoja nuk ishte në dijeni të situatës. Kur Clark pyeti: “Zoti president, a keni dëgjuar ndonjëherë për Batalionin e Tretë të policisë ushtarake?”, udhëheqësi serb dha të njëjtën përgjigje mohuese, duke kërkuar sërish konfirmim nga Perišić. Më në fund, ai pranoi: “Në rregull, do të tërhiqen”. Gjenerali Clark, duke drejtuar me saktësi vendndodhjen dhe numrin e saktë të secilës njësi ushtarake veç e veç, e befasoi Miloševićin me njohuritë e tij të detajuara, duke e detyruar atë të konfirmonte largimin e  forcave shtesë nga Kosova.

Disa ditë më vonë, gjenerali Clark u rikthye në Beograd për të finalizuar detajet e marrëveshjes. Në një moment kyç të bisedimeve, Miloševići me një sinqeritet grotesk, iu drejtua gjeneralit Clark me fjalët: “Ju e dini, gjeneral Clark, se ne dimë se si t’i zgjidhim çështjet tona me shqiptarët.” Kur gjenerali Clark e kishte pyetur për mënyrën e kësaj “zgjidhjeje”, përgjigjja e liderit serb ishte e qartë dhe mbartte thelbin e planit shovinist serb për spastrimin etnik të shqiptarëve: “Këtë e kemi bërë edhe më parë, në Drenicë, në vitin 1946. I vramë të gjithë. Na u deshën disa vite, por në fund i vramë të gjithë”.

Është fakt historik që regjimi serb shkaktoi vrasje, masakra dhe dëbim të shqiptarëve në periudhën kohore 1912-1999 në Kosovë. Megjithatë, kjo dhunë sistematike fatkeqësisht e institucionalizuar nuk arriti të shuante përpjekjet e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës.

Qëndresa dhe trashëgimia e atyre që luftuan për mbrojtjen e Drenicës, e cila historikisht i kishte rezistuar çdo pushtuesi, duke i detyruar ata të tërhiqeshin me pasoja të rënda, përfshirë edhe atë serb. Kjo e fundit, siç i shprehte Miloševići Clarkut, ishte një dëshirë e tij me synime shfarosëse.

Nëse lëmë mënjanë momentet më të hershme, bartës të kësaj rezistence ishin personalitete të njohura, duke filluar nga Ahmet Delia, Azem Bejta dhe Shotë Galica, më pas Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, Tahir e Nebih Meha, e deri te familja emblematike Jashari me në krye Komandantin Adem Jashari.

Këto figura shërbyen si një simbol kyç dhe u shndërruan në burim frymëzimi për lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare u bashkuan burra dhe gra nga e gjithë Kosova, diaspora dhe trevat e tjera ku jetonin shqiptarët. Kjo përpjekje, së bashku me ndërhyrjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s, arriti në çlirimin përfundimtar të Kosovës më 12 qershor 1999.

Edhe sot, 26 vjet pas çlirimit, SHBA-të, të cilat kanë kontribuar në mënyrë vendimtare në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës, janë shndërruar në një zë mbrojtës të legjitimitetit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo mbrojtje po artikulohet dhe mbështetet në dëshmitë kyçe të një sërë zyrtarësh amerikanë që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet diplomatike, ushtarake dhe administrative, gjatë dhe pas Luftës së Kosovës. ​Ndër dëshmitarët është James Rubin, ish-Zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i cili ofroi dëshmi mbi procesin vendimmarrës diplomatik dhe komunikimin ndërkombëtar. Paul Williams (Këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë) solli ekspertizën rreth negociatave të Marrëveshjes me krerët e UÇK-së. Jock Covey, ish-Zëvendëskryeadministrator i UNMIK-ut (1999–2001), dëshmoi për administrimin civil dhe sfidat institucionale të pasluftës rolin e udhëheqësve të UÇK-së në këtë proces. Christopher Hill, në rolin e tij si i Dërguar Special i SHBA-së, shërbeu si dëshmitar i përpjekjeve diplomatike gjatë fazës aktive të luftës me krerët e UÇK-së. ​Së fundi, Michael Durkee, Këshilltar Politik i Komandantëve Supremë të NATO-s në Evropë (1993–2009), solli dëshminë e tij mbi operacionet ushtarake dhe strategjinë e NATO-s në ish-Jugosllavi, përfshirë kontaktet e drejtpërdrejta me krerët e UÇK-së.

Në kuadër të dëshmive të tyre, secili prej të sipërpërmendurve konfirmoi një fakt të njohur mbi natyrën e funksionimit të UÇK-së: se ajo nuk kishte një organizim strikt hierarkik apo një strukturë komanduese të tipit ‘lart-poshtë’, që dikush nga qendra të jepte urdhra për zbatim siç pretendon akuza. Ajo nuk mund të ishte e tillë edhe po të donte, për faktin se ishte një organizatë vullnetare që kishte si mision çlirimin e Kosovës. Për më tepër, shumica e tyre ishin individë pa përvojë ushtarake që për herë të parë kishin marrë armët dhe po mbronin pragun e shtëpisë së tyre.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …