Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si të dëmshme për vendin. Ai tha se bllokimi i procesit të konstituimit po e thellon krizën institucionale dhe po dëmton funksionimin e shtetit. Sipas Tahirit, përgjegjësia bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve, e cila, sipas tij, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme. “Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai. Duke iu drejtuar kryetarit të VV-së, Albin Kurti, Tahiri tha se kishte pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar konsultime politike. “Patët 30 ditë kohë me diskutu”, u shpreh ai. Tahiri e quajti situatën “papërgjegjësi totale e partisë që i ka fituar zgjedhjet”, duke shtuar se, sipas vlerësimit të tij, bëhet fjalë për një taktikë që synon arritjen e pazareve politike për të marrë kontrollin e tri institucioneve të vendit. Ai bëri thirrje që procesi të zhbllokohet sa më shpejt në interes të qytetarëve dhe funksionimit normal të institucioneve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
