Hashim Thaçi

Betimi i Hashim Thaçit në postin e kryetarit bëhet në mënyrë solemne, pompoze, spektatore me qëllim megaloman…

Betimi i kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi  është pika e vetme në rendin e ditës të seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila thuhet do jetë solemne, pompoze, spektatore me qëllim të irritimit të opozitës dhe kundërshtarëve të Hashim Thaçit. Seanca pritet të mbahet të enjten, më 7 prill në orën 11:00. Sipas njoftimit të Kuvendit, pas betimit, Thaçi do marrë detyrën me inaugurim ceremonial, të organizuar në Sheshin Skënderbeu, në Prishtinë, më 8 prill. Ndërsa kryetarja Atifete Jahjaga, e zgjedhur në 7 prill 2011, përfundon mandatin pesëvjeçar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, dje, e deklaroi të papranueshme kërkesën e opozitës për anulimin e procesit të zgjedhjes së Thaçit President i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në 26 shkurt.  Hashim Thaçi merr detyrën e kryetarit të pestë me radhë të Kosovës së pavarur, nga qershori i vitit 1999.  Nga katër paraardhësit, i pari ishte, Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, shkelës i Kushtetutës, Behxhet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post po ashtu shkelës i Kushtetutës, si dhe kryetarja Atifete Jahjaga e zgjedhur nga ambasadori amerikan, Kristofer Dell.

Zgjedhja e Thaçit në mënyrë solemne dhe spektakolare, jo vetëm që nuk i kontribuon krizës politike në vend por irriton sidomos forcat opozitare, të cilat me të drejtë e kanë kundërshtuar fuqishëm zgjedhjen e tij në këtë post, meqë as ka qenë ndo njëherë as është njeri i unitetit, afrimit dhe mirëkuptimit.

Organizmi i i spektaklit në qendër të Prishtinë me qindra të ftuar, në kohën kur Kosova po përballet me situatën më të keqe politike, qysh prej mbarimit të luftës, nuk mund të arsyetohet vetëm për shkak të  një egoje të sëmurë të Hashim Thaçit për t’ iu imponuar kundërshtarëve. Në raste të tilla nuk ka si të mos duket se ky njeri jeton, punon, vepron angazhohet vetëm e vetëm për t’i irrituar kundërshtarët, për t’i injoruar, për ta thelluar urrejtjen e ndasinë, e cila nuk çon askund, përveç se në përplasje mbase edhe tejet të rrezikshme.  

Kësaj i thonë të jetosh duke urryer të tjerët, duke u rrahur gjoks atyre që mendojnë ndryshe, duke u krekosur për postin e fituar aspak me meritë, por me pazare të ulëta politike, që nuk i kanë bërë, as i bëjnë nder asnjë politikani e lërë më atij  që ditën e fillon dhe e mbaron me urrejtje, krekosje, përbuzje e mëri për të gjithë që nuk i nënshtrohen vullnetit të tij, egos së tij të sëmurë për pushtet, edhe pse në mungesë të shprehur të kredibilitetit  dhe njerëzisë.

Organizimi i spektaklit të tipit autarkik, me protagonizëm të kultit të individit, lë shije të hidhur për qindra mijëra qytetarë që e kanë kundërshtuar dhe e kundërshtojnë mënyrën e zgjedhjes së tij në postin e kryetarit, edhe pse mjerisht, të gjithë kryetarët e mëparshëm janë zgjedhur në rrethana invalide, por pa protagonizëm e spektakle si këto.

A ka menduar Thaçi dhe ata që krejt verbërisht e pasojnë, se një veprim i tillë mund të nxisë një revoltë të pakontrolluar, e cila do t i mbetet një damkë më shumë karrierës së tij për shumë kë të palavdishme.  Duket qartë se pushtetomania  ua ka errësuar sytë dhe atë pak ndërgjegje e përgjegjësi që duhet ta ketë çdo njeri i vullnetit të mirë,  e jo më një njeri që pretendon ta udhëheq një shtet ende rakitik dhe të kërcënuar madje krejt haptas, nga pushtuesi i deridjeshëm, i cili jo më larg  se dy të ditë më parë, për të satën herë me radhë shfaqi urrejtjen, armiqësinë dhe  pretendimet gjithnjë hegjemoniste për ta rikthyer sundimin në Kosovë. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …