Bilall Sherifi: Kushtetuta është Kontratë e shtetasve të saj, ajo s’ mund të prishet

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë fushatës zgjedhore 2014, përpos tjerash, premtoi se kur të vij në krye të qeverisë, dialogu me Serbinë që do të zhvillojë ai, do të jetë ndryshe nga dialogu që kishte zhvilluar paraardhësi i tij Hashim Thaçi sepse siç thoshte vet ai, ky lloj i dialogut kishte rezultuar i dëmshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Isa Mustafa qëndroi brenda këtij koncepti edhe gjatë koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe VV. Ai në cilësinë e kryetarit të LDK-së nënshkroi madje edhe marrëveshjen e parimeve përmes së cilës sidomos në pikën 5 dhe 6 përcaktohej korniza e dialogut me Serbinë. Marrëveshja në pikën 6 të saj, gjithashtu parashihte që detyrimet të cilat i kishte marrë Kosova nga marrëveshjet ndërkombëtare do ti dërgohen për shqyrtim  Komisionit të Venedikut për të vlerësuar se a janë në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo.

Madje, po të lexoni transkriptin e seancës së Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 27 qershor 2013 në të cilën u debatua marrëveshja e prillit 2013, do ta shihni se edhe pse deputetët e LDK-së e votuan këtë marrëveshje, me arsyetimin se një gjë të tillë po e kërkon Bashkësia Ndërkombëtare, ata kritikuan ashpër marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiç.

Pra, Isa Mustafa duke u pajtuar me parimet e marrëveshjes së VLAN-it u zotua se jo vetëm që nuk do të vazhdoj dialogun e tillë siç e kishte zhvilluar Thaçi por do të korrigjojë dëmet që i kishte shkaktuar ky lloj i dialogut.

Mirëpo, pas prishjes së koalicionit me VLAN-in dhe hyrjes në koalicion me PDK-në bëri  krejt të kundërtën e asaj që ai gjatë këtyre dy periudhave kishte premtuar.

Kryeministri Isa Mustafa as nuk i korrigjoi dëmet e shkaktuara nga dialogu “Made in Thaçi” dhe as nuk ndryshoi modelin e negociatave por përkundrazi, ai përmes nënshkrimit të marrëveshjes së parimeve mbi Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe më 25 gusht 2015 tejkaloi edhe marrëveshjen e prillit 2013.

Ky është në vija të përgjithshme historiku i marrëveshjes së prillit 2013 dhe i raportit të LDK-së dhe Isa Mustafës me këtë marrëveshje.

Bazuar në këto që theksova më lartë, marrëveshja e prillit 2013 asnjëherë nuk iu nënshtrua një arbitrimi neutral, siç është Gjykata Kushtetuese në kuadër të sistemit tonë kushtetues, pasi që kërkesën e opozitës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e kësaj marrëveshje Gjykata Kushtetuese e shpalli si të pa pranueshme dhe rrjedhimisht nuk u morr fare me këtë çështje. Marrëveshja nuk iu nënshtrua as ndonjë arbitri neutral ndërkombëtar siç është Komisioni i Venedikut edhe pse Isa Mustafa duke pranuar dhe nënshkruar vullnetarisht parimet e marrëveshjes së VLAN-it ishte zotuar se do të shfrytëzoj këtë institucion ndërkombëtar për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura nga Thaçi.

Rrjedhimisht, kemi një marrëveshje të cilën edhe ata që e kanë votuar edhe ata që nuk e kanë votuar e kanë cilësuar si të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Prandaj, kjo marrëveshje do të mbetet e kontestuar, së paku për aq kohë sa nuk është vlerësuar përputhja e saj me kushtetutën e Republikës së Kosovës nga asnjë institucion relevant vendor apo ndërkombëtar, në veçanti nga Komisioni i Venedikut si një instancë kredibile ndërkombëtare.

Tani do të ndalem te marrëveshja e parimeve për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe e arritur më 25 gusht 2015.

I vetëdijshëm që marrëveshja e parimeve për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe nuk do të miratohej nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa dhe qeveria e tij zgjodhën rrugën e shmangies së Kuvendit.

Për të arsyetuar shmangien e Kuvendit të Kosovës ai këtë marrëveshje vendosi ta interpretoj si një aneks të marrëveshjes së prillit 2013 dhe jo si një marrëveshje të re.

Nëse marrëveshja e 25 gushtit 2015 nuk është një marrëveshje e re por siç thotë Mustafa është aneks, që i bie të jetë amendamentim i marrëveshjes të prillit 2013, atëherë ai ka detyrim kushtetues ta sjell në Kuvend për miratim sepse qeveria nuk ka të drejtë që marrëveshjeve ndërkombëtare të miratuara në kuvend ti shtojë apo ti heqë pjesë pa miratimin e organit që e ka miratuar atë, që në këtë rast është Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Mjafton të lexohet Neni 18 paragrafi 4 i Kushtetutës së Kosovës cili përcakton qartë se “ Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.” dhe do të shihet se Isa Mustafa dhe qeveria e tij sido që do ta trajtojnë këtë marrëveshje, qoftë si pjesë të prillit 2013 qoftë si marrëveshje e re, rrugë tjetër pos ratifikimit të saj në Kuvend të Kosovës nuk ka.

Shmangja nga rruga kushtetuese e miratimit dhe amendamentimit të marrëveshjeve ndërkombëtare shmangë Kosovën nga Kushtetuta e saj dhe për pasojë e shmangë atë nga Republika si koncept dhe si formë mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.

Kushtetuta është Kontratë e shtetasve të saj, kontrata nuk mund të prishet dhe as të interpretohet njëanshëm, e aq më pak nga qeveria e cila në bazë të kushtetutës në fuqi është vetëm njëri nga pushtetet në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …