Brickos

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: DY PËRNGUTJET: MOCIONI I LVV-së DHE VETOFRIMI I z.HARADINAJ

Kanë ndodhur edhe herë tjera ngërçe në historitë e zgjedhjeve të kryetarëve apo kryeministrave te ne. Kjo që po ndodhë tani po bëhet lojë me nervat. Dy janë bllokadat që iu imponuan vendit, të cilat edhe pse vijnë natyrë e njëjtë e dallojnë si aktorë e pretendime, janë dhe lexohen ego të mbushura me papërfillshmëri të peshës që koha bartë në vete. Dhe kjo nuk do të thotë më shumë se të gjithë në skenën tonë politike janë njësoj. Dikush pretendon fillin e karrierës politikë ndërtuese prej institucioneve, derisa dikush është në kërkim të paqes së largimit nga politika me lavdinë e rrumbullakësuar prej kryetari.

Hitoria e ngerçeve nuk fillon këtu dhe as është e re. Te ne si fillim e instaloi ish kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova. Qeveria e përkohshme, e cila doli si marrëveshje nga Rambujeja, qe shkelur nga kryeneqësia egoiste e Hashim Thaqit. Ai duke mos e lejuar Jakup Krasniqin ta merrte postin e kryeministrit të qeverisë së përkohëshme e shtyri z.Rugova të mos e pranonte qeverinë e përkohshme, për çka edhe nuk u bë pjesë e saj.

Në zgjedhjet e para të pasluftës, edhe përkundër fitores së madhe të LDK-së, u arrit bashkëqeverisja e parë mes atyre që thirreshin në emër të luftës dhe krahut pacifist. Kësaj radhe z. Thaqi u tregua më fleksibël. Përveç se pranoi bashkëqeverisjen, ai pranoi edhe një standard që do të mungoj më pastaj përgjatë shumë viteve në skenën tonë. Ai u pajtua që LDK-ja ta merrte pozitën e kryetarit për z.Rugova (ky një obsesion i Rugovës) dhe nga radhët e partisë së tij nominoi Bajram Rexhepin për kryeministër. Rugova si inatgji i thekur nuk e donte Thaqin në krye të një institucioni ku detyrimisht do të duhej të bashkëpunonte në baza edhe ditore. Kjo sjellje prej smirëziu e z.Rugova iu bë mësim z.Thaqi. ai kuptoi të manovronte dhe të gjente shtigje tjera për ta realizuar veten në pushtetbërje.

Zgjedhjet pasuese i dhanë skenës përfundimisht atë që do ta vuanim për gjatë gjithë këtyre gati dy dekadave, përngutjen dhe vetofrimin e paharmonizuar. Lideri i AAK-së, z.Haradinaj u vetofru për postin e kryeministrit dhe z.Rugova zgjodhi pikërisht të voglin e skenës politike për partner. Të shumtë janë ata që janë të prirë të besojnë se z.Rugova e bëri këtë meqë duhet ta ketë ditur se z.Haradinaj do t’i konfirmohej akuza nga gjykata e Hagës, apo të paktën kjo u shërben atyre militantëve të LDK-së të cilët akoam besojnë në Rugovën e masës së tyre. Por, kjo është pak e besueshme për dijet që kemi ne qytetarët vrojtues të thjeshtë të asaj që ndodhë në kohë reale, apo neve që provojmë të hipotezojmë në bazë të rrethanave që na ofrohen për njohje.

Rugova i detyruar nga fakti se duhejt ta ndante pushtetin me ish luftën (në bindjen time) zgjodhi jo vetëm të voglin e atij përfaqësimi, por edhe duhet ta ketë parë të nevojshme t’i relaksonte mardhënjet edhe me pjesën tjetër të atyre që thirreshin në emër të luftës, por pse jo edhe ta shmangte Hashim Thaqin. Rivaliteti mes z.Haradinaj dhe z.Thaqi për ta marrur kryeministrinë në vitin 2004, u bë karshillëku që vazhdon të jetoi edhe sot e gjithë ditën, pa marrë parasysh se z.Thaqi gjindet prapa grilave. Ajo kohë mund ta bënte kthesen në shtetbërjen tonë. Koha kërkonte bashkimin e të gjithëve në një qeverisje që mund të quhej “bashkimi për ta përmbyllur statusin e Kosovës”. Ofrimi i z.Haradinaj nuk la rrugë harmonizimi, dhe si pasojë e kësaj mendësie bajraktarësh të nesërmen e ofrimit të tij edhe PDK-ja nominoi z.Thaqi për kryeministër.

Ky karshillëk nuk ia doli asnjëherë të zbriste më shumë se kaq në mardhënjet me tyre, të paktën të kthehej në një rivalitet programesh politike. Ata edhe kur u detyruan të bashkëpunonin si në rastin e bërjes së PAN-it, edhe përkundër se bënë qeveri të përbashkët dhe në krye të saj e vunë z.Haradinaj, mbeten po në ato pozita karshillëku të tejmbushura me mosdurim, hile e luftë të nëndheshme, derisa një ditë erdhi edhe dorëheqja e kryeministrit.

Ish kryeministri Haradinaj duhet të ketë qenë i informuar për ftesën nga dhomat e specializuara para se ta jepte dorëheqjen, por u desh një dalje e kreut të PDK-së z.Veseli në ditarin e “Zërit të Amerikës” që ta provokonte dorëheqjen e tij dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ashtu sikur Bajram Rexhepit ia pat prerë karramelat, z.Veseli po paralajmëronte nga studioja e “Zërit të Amerikës” fundin e karrramelave edhe për kryeministrin Haradinaj. Kjo armiqësi, e cila nuk ia doli asnjëherë të kthehej në rivalitet të thjeshtë politik, për çka edhe janë partitë politike, e ka bërë vendin tonë fragmentar dhe ka hapur perspektivat për tu shfaqur edhe tjerë, sikur është rasti me LVV-në, të pandjeshëm ndaj proceseve kur bëhet fjalë për mundësinë e të etabluarit në pushtet.

Rendja e LVV-së për ta grabitur me zënje radhe mocionin e mosbesimit për qeverinë, sapo pa të hapej një dritare nëpër zërat e të mundshmes së PDK-së dhe AAK-së për rrëzim të qeverisë Hoti, u pa si aksion hileqar sa për ta quajtur mocionin aksion të saj dhe për ta korrur si fitore politike, kurdo që ai të realizohet. Kjo papjekuri e saj me papërvojën e komunikimit dhe harmonizimit ndërparlamentar ka bërë që ajo vet të shëndrrohet në biletë jetëgjatësie të qeverisë Hoti. Sjellja e saj sektare, sikur sot po ia zgjat jetën qeverisë Hoti, mund të çoj në bllokadë institucionale edhe përtej zgjedhjeve të reja e të shpejta, të cilave nuk do të mund t’u shmanget Kosova, sado që të gaboi LVV-ja e të hezitojnë partitë tjera nga frika se vota elektorale do jetë përmbysëse.

Sapo Kosovën e kapër ethet e akuzave nga dhomat e specializuara dhe kjo preku edhe kryetarin e vendit, z.Haradinaj, në stilin e ngutjes së LVV-së, e vetofroi veten për të parin e vendit. Edhe pse, po ndoqëm të drejtën dhe detyrimin e të bërit të politikës, ku ambicja është baza shtytëse e angazhimit, do të themi se ai është në të drejtën e tij legjitime dhe do duhej ta përgëzojmë për guximin e shfaqur, sepse dimë që partia e tij kishte vetëm 13 vota në parlament. Nga kaq pak votë parlamentare të pretendosh gjithë tepsinë e pushtetit; hise të konsiderueshme në qeverisje dhe kryetarin e vendit, përveç se guxim është edhe vetbesim i tepruar. Kjo e stepë moralin politik, edhe pse jo skenën tonë, tashmë të mësuar në preçedente të tilla skandaloze, kur dimë se AKR në qeverinë “Haradinaj II” edhe pse mbetur me një deputet në parlament ladronte qeverinë herë me dy e herë me katër ministra dhe pafund zv.ministra e çka jo tjetër.

Kosova sot ka nevojë për një kryetar të fortë dhe bashkëpunues e të pranueshëm nga të gjithë. I tillë mund të ishte z.Haradinaj, dhe do mjaftonte ai të vinte nga një kandidaturë e harmonizuar nga koalicioni qeverisës dhe opozita. Por, kjo nuk u lejua të ndodhte, sepse z.Haradinaj me vet ngutjen vetofruese vuri një prag, tej të cilit nuk mund të ofrohet askush nga partitë, sepse, ato do fyenin veten po t’i shkonin pas një grabitjeje të tillë të hapsirës nominuese.

Tashmë askush nuk po merret me atë se çfarë ofron emri i Haradinajt për kohën që po kalojmë dhe pozitën e të parit. Pra përngutja e tij ka bërë që gjërat të shihen me “pse bëka ai e nuk bëkemi ne”.

Zgjedhjet janë shërim i mjaftueshëm për t’u harruar e tashmja kaq mosduruese dhe për t’u pranuar kandidatura e secilit e aq më shumë e vet z.Haradinaj.

Dy përngutjet, ajo e LVV-së për mocionin dhe e AAK-së për vetofrimin e z.Haradinaj, janë darët që po e mbajnë peng politikën tonë të brendshme, edhe pse që të dyja me pak përkushtim do të mund të bëheshin realitete. Meqenëse, në parazgjedhje, po ngurohet nga secili të bëhet palë në bashkimin e nënshkrimeve me LVV-në për mocionin dhe tjerët po presin lodhjen e z.Haradinaj, dhe nëse LVV e ka me gjithë mend që vendin ta çoi në zgjedhje, ajo duhet ta dijë se e ka në dorë (meqë i ka më shumë se 31 vota parlamentare) ta propozoi një emër për president. Moszgjedhja e presidentit do ta çonte automatikishte vendin në zgjedhje me procedurë të shpejtuar 45 ditëshe. Mbetet e paqartë dhe lë shumë për të dyshuar, pse ky mekanizëm nuk po shfrytëzohet nga LVV-ja, e cila kaq shumë po i bie me populizëm se kërkon zgjedhje, por tjerët kinse u frigokan.

Athjet e tipit “Pushteti i Pari” janë vrasja e moralit në politikë dhe përgjegjësisë në të drejtuar. Nihilizmi që sot e mbretëron skenën tonë, e ka bërë secilin aktorë të pandjeshëm ndaj proceseve. Ne po vonohemi të ndërtojmë platformën tonë shtetërore, për ta çuar vendin në OKB, pa të cilën nuk do të kemi as integrime europiane as integrim në NATO. Koha për zgjedhje!

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …