Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: E SOTMJA DHE QORRSOKAKU I QEVERISË HOTI

CoVid-i, dialogu, specialja dhe qeverisja janë katër goditjet, të cilave Kosova do u përballoi më shumë nëpër fatin që ato vet do ia shkruajnë se sa për kapacitetet tona jo vetëm të munguara por edhe të keqmenaxhuara.

Pandemia po menaxhohet keq dhe shumë keq. Sot nuk ka qelizë shoqërore, familje, ku të mos jetë afruar virusi. Cili do nga ne kemi një familjarë, dajë, apo dikë nga fqinjët a shoqëria e ngushtë që përballet me virusin. Ai, na është afruar të gjithëve, dhe më shumë se kaq, shoqëria i është shtruar një humbjeje besimi se institucionet mund të bëjnë ndonjë gjë përveç se t’i numrojnë viktimat. Infektimet shteti nuk i numron dot. Ai luan me shifrat e limituara që i kalon në duart e veta, dhe nuk angazhohet t’i njoh përmasat reale të infektimeve në shoqërinë tonë të quajtur shteti i Kosovës!

Testet te ne edhe pse të pabesueshme nga e gjithë europa dhe nga gjithë misionet ndërkombëtare në Kosovë, si të tilla ato mbajnë vulën për pushtetin dhe familjet e tyre, për miqësinë dhe për nderet. Ndryshe nuk arrihet dot te to. Popullata ka vërshuar rrugët alternative nëpër rentgenet e klinikave private, një teknike në nevojë për t’u diagnostifikuar ku shërbehen fshehurazi edhe me teste serologjike. Se po bëhen teste anë e kënd vendit kjo tashmë është një e fshehtë publike.

Kaosi është i madh. Tani pritja nuk është deportimi serb apo braktisja e vendit, por pamundësia e frikshme pëballë vërshimit CoVid. Pasojat e infektimit bëhen më të rënda nga sa do të duhej të ishin në fakt në një shtet me pushtet të përgjegjshëm, për faktin se persiatjet nëpër dyert e rrugëve alternative po i bëjnë vuajtjet më të mëdha, kaosin më të madh, dhe besimin në shtet për shkak të pushtetit jo menaxhues më të vogël.

Sot me të drejtë secili pyetet: Pse nuk jep dorëheqje ministri i shëndetësisë z.Zemaj? Dhe është për t’u çuditur pse nuk rrëzohet qeveria Hoti?

Pingpongu Hoti, Hysenaj në tavolinën e presidentit Thaqi edhe mund të kuptohet si një formulë e parashkruar për ta blerë kohën e paszgjedhjeve në SHBA. Jo pse politika e saj do të pësoj ndonjë ndërrim, por të paktën koha përpara do të ecte në një tapet stabël për besimin ndërkombëtar se ato që do duhet të ndodhin, nuk janë e nuk bëhen për përfitime të politikave elektorale atje, por se e tashmja e rajonit determinon zhvillime të caktuara.

Jemi para rrezikut të konfirmimit të akuzave  dhe një e mundshme e tillë do ta dëmtonte shumë procesin, andaj sikur edhe në shkrimet pararendëse: është koha e rrëzimit të qeverisë Hoti. Veshi i shurdhët i kësaj qeverisjeje që sheh horizont të gënjeshtërt nuk është koha e blerë, por rrezikon të bëhet procesi teknik i radhës, prej ku vështirë se do të mund të dilej kollaj pa paguar gabimet që do krijoheshin rrugës.

Çmimi “Gjykatë speciale” është gjithçka që po e mban në këmbë qeverinë Hoti. Ky vesh i shurdhët është edhe tereni ku po zhvillohet e gjithë drama CoVid, dialog dhe keqeverisja.

Loja e qeverisë Hoti vetëm në tavolinën e presidentit Thaqi, na lë përshtypjen miratuese të të parit të LDK-së z.Mustafa. Kjo mund të lexohet edhe si konfigurim i shpejt i qeverisjes me PDK-në brenda saj. Ky hipotezim mund të dali të jetë vërtetim i asaj që po flitet koluareve bulivardeske për sa i takon emrit të presidentit pasues në rast të konfirmimit të akuzës për Presidentin aktual. Por, përtej një pritshmërie të tillë, ne do të duhej të mirreshim me të sotmen reale: dimenzionin fatal që po merr pandemia CoVid 19 dhe ruajtja e parametrave ekonomik në kuotën e qëndrushmërisë që garanton shërim të shpejt në fazën pasuese pas pandemi.

Pse-në e shkuarjes së Skënder Hysenit në Bruksel do ta mësojmë në ditët në vijim.

Dy çështjet teknike: të pagjeturit dhe autostrada Nish-Merdare-Prishtinë, që u thanë nëpër dhëmbë të drojtur nga kryeministri Hoti dhe u shukatën sapo në Kosovë filloj një papranueshmëri për bisedimet teknike, bënë që Kryeministri ta ndrroi diskursin e tij për dialogun. Dikush e mësoi se si duhej të na e shiste atë duke e cilësur dialogun vetëm si politik dhe për njohje reciproke apriori. Kjo fshehje mashtruese do t’i ketë këmbët e shkurtëra sikur edhe çdo gënjeshtër ordinere.

Të pagjeturit për Kosovën janë një dhimbje që po vret edhe sot po aq sa edhe zhdukja e tyre që me rrëmbimin nga Serbia gjatë luftës. Të gjithë e dijmë se kjo çështje nuk do të merr zgjidhje derisa të mos kemi njohje nga Serbia, andaj pse luhet me ndjeshmërinë qytetare nën platformat e asfaltit të autostradës Nish-Merdare-Prishtinë?!

Loja me elementët teknik të dialogut, e cila mund t’ia lehtësoi Serbisë rrugën përtej kapitullit 35 të kushteve për integrimet europiane të saj, dhe pandemia që ka pushtuar vendin na japin mjaftueshëm argument ta neverisim si qytetar këtë qeverisje. Derisa, për ta rrëzuar u mbetet deputetëve në parlament, të cilët nuk do ta bëjnë kurrë një gjë të tillë, po nuk urdhëruan pazaret e shefave partiak që ua kanë dhuruar mandatet.

Ka ardhur koha ta shohim Parlamentit si kualitet, përtej disa diplomave që mbulojnë autoritete të padenja, me çka disa të tillave vota e dirigjuar e shefave ua ka dhuruar edhe emrin deputet.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …