Brickos

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Sfumimi politik dhe radha Albin

Sfumimi si terminologji në politikën tonë, e rrëfen vet politikbërjen e deritashme si perëndim të një cikli errësire ku shoqëria vegjetoi dhe si pasojë zhgënjimi u bë fati jonë i trisht. Ai pra, shpesh herë bëhet vënet letërnjoftimi i zhvillimeve.

Fundi i Austrohungarisë është shembulli më narkant se si politika dhe rreshtimet e saj e humbin kuptimin funksional kur sfumimi politik mbetet akti i fundit në dramën e së vjetrës!

Kosova ka rrugë tjetër dhe për pasojë kundërmon ndryshe si shije nga rastet tjera, por kufoma megjithatë mbetet prodhim politikbërës!

Zhgënjimi po vret besueshmërinë qytetare sikur ka vrarë kudo ku është shtruar shtrati i sfumimit!

Atje ku ishim (nën pushtim), pushtetet na vinin të kalbura, ndaj edhe nuk ia vlenë t’i trajtojmë në trajektoren sfumuese.

Paslufta erdhi dhe githçka që duhej të vinte erdhi me bollëk. Liria erdhi aq e madhe sa e dhunuan e po e dhunojnë të gjithë dhe prap ajo po mbetet!

Sfumimi i parë i ardhur nga paralufta kundërmon akoma! LDK nuk arriti asnjëherë ta reformoi veten mjaftueshëm sa të lirohej nga hija e të shkuarës! Bartja e hipotekës sê shkollës jugosllave po e çon LDK-në në dyert e varrit! Ajo tashmë po rri vjerrur në trekëndëshin Veliu – Haziri – Rugova! Laku në qafen e saj duket se mbetet vendimarrja jashtë syve të anëtarësë, e cila tashmë ka nxjerr mbi tavolinën e heshtjes së gjatë grushtat e thyerjeve të kudoshme!

Marrja e pushtetit edhe mund ta mbajë këtë kufomë në kundërmimin e saj, por ato që ndodhën nuk zhbëhen dhe do kenë zhvillimet e tyre të bujshme!

Vjosa Osmani (tashmë po kuptohet), as është personi e as statura reformatore e kësaj partie! Ajo nuk është vetja dhe si “rrethanë e ardhur“ përshtatshmëria mbetet arti politik me të cilin ajo do duhet të shfaqet! Të bësh kujdestarin e dëgjueshmërisë në ekuilibrat e një trekëndëshi që rri falë kapjes së strukturave është vet shpërfyrimi i një paraqitjeje!

Ky sfumim ka kohë që nuk po ia arrinë fundit prej ku LDK do niste ringritjen! Kundërmimi i këtij sfumimi edhe përkundër çarjeve të mëdha në bazë akoma na e ndyn skenën dhe ka rrezik ta ricikloi veten!

Populli thotë: Lufta është shah më vehte! Edhe neve na doli kështu deri diku! Edhe pse “deri diku“, kjo na doli e po na del mjaft.

PDK, kjo parti që mblodhi këdo e çkado në emër të luftës hapi shtegun e ribërjes sfumiste! Ajo ndjehej e humbur dhe hapi shtegun e kthimit të LDK-së duke besuar në asetin fitimtar që kishte privatizuar “çlirimin e vendit“. Ky privatizim i dha aureol pushtetmbajtëse për gati dy dekada! Brenda kaq zhvillimeve u kalb i gjithë sistemi ku zhvatja e vendit prodhoi zhgënjimin, i cili Kosovës i është bërë gangrena e cila po ia han rininë dhe vet të ardhmen. Kjo është pasoja e cila prevalon gjithçka të keqe të ndodhur.

Pashpresa e ardhur nga politikat e këqia, kapja e shtetit dhe zhvatja e vendit është vetë kundërmimi i këtij sfumimi. Gjendja degraduese e sfumimit PDK-ist alarmon me irritimin e gjithë skenës politike! Askush nuk do donte të bashkohej me PDK-në në këtë segment kohe për të konkuruar. Kjo ndjenjë mohimi tashmë përdoret si vlerë besueshmërie elektorale! Atje, në PDK, gjithçka tashmë është e kalbur! Kjo gjendje u pa sheshazi kur Kryetari Veseli hodhi idenë e pastrimit të partisë. Reagimi i brendshëm qe aq i fortë sa betejen e humbur të kryetarit po detyrohet ta mbuloi me autoritet lideri historik i PDK-së tashmë kryetari Thaqi! Ai, shpejtë do ta kuptoj se sfumimi është proces i brendshëm dhe se ai as ndalet as shpejtohet nga asecila dorë nga jashtë! PDK e ka të vështirë reformen! Ajo ka filluar t‘i zëvendësoi familjarët e vjetër me të rinjtë me çka të mirat materiale që sjell krimi i kapjes përfundojnë në xhepat e familjeve të njëta! Krimi në katror i zhvatjes përmes kapjes partiake e shtetërore mbetet shtrati besnik i sfumimit të saj!

NISMA kjo shkollë thaqiste rrezikoi shumë në gjysmëmandatin qeverisës ku ndërtoi gjithë paradigmën e një rruge të cilës nuk do mund t‘i shqitet! Lufta për hapsirën në administratë e kudo në shërbimet publike, të cilën z. Limaj e kishte bashkëbërë nën tutelë derisa po ndërtohej kulti Thaqi, duket arma jashtë kohe dhe mjeti i gabuar! Hapsirat nuk garantojnë suksesin që pati z.Thaqi!

Marrë në pëgjithësi z.Thaqi ndoqi rrugën e mesme. Ai anëtarësoi më shumë nga administrata e gjetur dhe shërbimet se sa punësoi! Ky mos irritim masiv atij i siguroi akces të pranueshëm për të vënë eprorët e kastës! Bumerangu i punësimeve selektive të të kamurve e bën NISMËN të pabesueshme te elektorati i vet për parimet dhe kujdesin në të cilat u thirr që në ndarje nga PDK-ja. Kjo pabesueshmëri do ta vëjë me shpatulla për muri që në zgjedhjet rendëse, por edhe mund ta filloi procesin e sfumimit të saj!

Si bashkë-kryeprotagonist të së shkuarës PDK-iste ata shihen recidiv në çdo gabim apo faj për shëndetin publik! NISMA nuk bëri asgjë për ta shëruar veten nga kjo hipotekë e së shkuarës.

AAK në fatin e saj me të drejtë shihet një ngrehinë shpatullash vetiake të Kryeministrit Haradinaj. Gjithçka aty shihet prodhim Ramushian. Kjo pamje kaq e zymtë u kontribua edhe nga oponenca politike të bëhej vet peisazhi i partisë nga Dukagjini! Në kaq shumë vite ajo nuk ia doli të dilte përtej bastionit! Gjysmëmandati qeverisës, të cilin e drejtoi Kryeministri Haradinaj, duhet t‘i ketë shërbyer partisë të kuptoi se hapja e saj drejt zonave tjera të vendit nuk nënkupton vetëm thithje anëtarësie por edhe shtresim përgjegjësish drejtuese partiake. Pushteti i koncentruar partiak konvergjon në vese organizative të cilat kur barten në pushtet nuk janë gjë tjetër veçse kapje institucionesh nga pushteti! Prodhimi i mundësive jo të barabarta determinon nepotizëm e klientelizëm, të këqia këto që po i vuajmë nga të gjitha pushtetet! Në hapin ofanziv ku gjindet AAK-ja nuk mund të ndodhë të vegjetoi për nga masa ku vërehet një rritje euforike, por ajo rrezikohet të shtyhet në procese tjera paravegjetuese sikur është rreshtimi klanor i cili nje ditë do filloi përplasjet për hapsirat vendimarrëse! Vetëm Ibrahim Rugovës i kanë ndodhur procese pos mortum, them kështu meqë LDK-ja akoma në gjithë udhëkryqet e veta merr nga Rugova pjesen e autoritetit imagjinar! Ky helm i cili po e mbyt pak e nga pak LDK-në, te rasti i bjerrjes së autoritetit të liderit edhe pse nuk do ia arrij në rastin e Kryeministrit Haradinaj megjithatë mbetet sfida e vetme e brendahme që AAK e ka. Këtë ia garanton karizma e liderit!

Gjithçka që do donim të thonim për sfumimin e politikës te ne besoj se nuk do mund ta spjegonim, por as edhe do merrte kuptimësi pa trajtuar rrugëtimin politik përmes idealeve të proklamuara në shpinën e një ëndrre pushtetore, e cila pa pushtetin e gjithanshëm do mbetej veçse një utopi!

Të kuptuarit e kësaj përmase dhe thellësie, tashmë në paskohë, nuk e bënë LVV as më premtuese por as e afron liderin me realizimin e ëndrrës. Ajo, LVV, pushtetmundësinë për liderin e kishte aty te dora sa herë që pushtetet u ribënë, por nuk ishte pjekur sa të guxonte! Dëshira e saj për të shkëlqyer nuk e trimëroi kurrë të guxonte të bëhej palë dhe për këtë ajo ka jo më pak faje se dy fajtorët kujdestar PDK-LDK!

Nga 2005-ta kur filloj thurja e ëndrrës Albiniste, idealet u thurën për utopinë, për maksimalen, dhe radhët u bënë e zhbënë për ta mbajtur në jetë liderin dhe ëndrrën e tij!

Albini nga etapa në etapë ndryshoi e u zhvesh! Sot ai njeh shtetin e simbolet, mbron kushtetuten dhe ka hequr aksesorët patriotik nga veshja, ka rikapur kreun e partisë pasi e theu ëndrrën dhe po i shtrohet pragmatizmit që kujt do politikani ia kërkon politika dhe përfaqësimi! Këto vlera ai duhet t‘i ketë pasur, por sikur edhe vet e ka deklaruar gjithçka që e teproi e bëri se ia donte nevoja t’i arrinte kuotat e besueshmërisë elektorale! Nuk është vetëm Makiaveli që na e spjegon “Princin“ tonë donkishotesk, por janë eshe mullijtë e erës që akoma rrinë para bashkë edhe me gomarin e me Sanqon! Pra skena nuk ka se si mos të quhet kur arena bënë habinë! LVV sikur ishte vënë gjithmonë nën rrogozin e liderit edhe kësaj radhe u viktimizua nga deliri i tij! Kjo edhe mund të filloi fundin e një utopie ku sfumimi i politikës në Kosovë do mbyllte siparin e tragjedisë sonë 20 vjeçare! Kushdo i rreshtuar pas Albinit nga pasgjedhjet e kësaj gare elektorale (nëse nuk do arrihet të futet në pushtet LVV), do filloi të kuptoi kotësinë e një përpjekjeje!

Tashmë është kuptuar se “pushteti masiv“, i cili i duhet Albinit për të shkëlqyer, nuk do vie kurrë dhe kuptimi i utopisë Albiniane do kuptohet se ka dalur nga dimenzioni i parimeve që në krye të herës.

Mjerisht këtë të kuptuar e morën me vete “tradhëtarët“, të cilët me daljen e tyre betonuan kasten që po mban gjallë shtratin e letargjisë!

Albini bëhet sikur nuk don t‘ia dij, ndaj në zakonin e tij bëri edhe një çapitje të skemës tashmë të njohur si kur e dështoi VLAN-in! LDK-në e tërhoqi për hunde derisa atje frenat i mori treshja Haziri-Rugova-Veliu me të cilët LDK mund të rrëshqas më lehtë në koalicion qeverisës me PDK-në e premtuar nga Hashim Thaqi, dhe mirë ia bëri!

Fundi i një ëndrre plot utopi e djallëzi duket se po troket në dyert e LVV-së. Albini e ka për të fundit herë mundësinë për ta kriposur ëndrrën, të cilën ashtu të sherrosut mund ta përdor si ilaq pa të cilin do ta ketë vështirë shërimin e pranueshëm! Kahdo që të shkoi Albini, do fitojmë të gjithë, por fitimtarët e vërtetë do mbeten qartësimi i radhëve të LVV dhe “tradhëtarët“ e rreshtuar në PSD!

Sfumimi i politikës eshtë proces i dhimbshëm ku të gjithë do humbim shumë! Kjo është rruga e ringjalljes nëpër të cilën zgjodhëm të shtegtonim!

Pa marrë parasysh kush do vie në pushtetin e paszgjedhjeve procesi ka të bëjë me dekompozimin e një utopie e cila vrau mijëra ëndrra thurur qëllimshëm meqë pluralizmi nuk njeh gjithpushtetshmëri ku mëtonte të realizohej utopia! Pushteti masiv nuk egziston dhe si i tillë ishte dhe mbetet një utopi ku Albinizmi ka notuar tepër! Kjo tepri është vet filli dhe fundi sfumist i tij!

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …