Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Terreni i hapur i LVV-së

Ka vite që LVV synon pushtetin dhe dita erdhi. Ajo po vie në një rrethanë shumë mirëkuptuese për shtresa të tëra qytetarësh. Opinioni vlon gjithandej se gjërat ishin bërë keq dhe se gjithçka ishte deformuar!

LVV-së i ka rënë barrë e madhe. Ajo duhet të filloi goditjet nga partneri qeverisës e tutje! Kjo do mbetet sfida dhe ngërçi i gjithë mandatit, nëse do të ketë fare mandat!

Vendi ynë është ndodhur në situata krejt të rënda përgjatë historisë dhe ka mbijetuar duke e ruajtur shpresën!

Paslufta e vuri para dilemave të mëdha. Ato ia vranë shumë nga ëndrrat, ato ia shtruan rrugët e së nesërmes me pashpresë dhe ja ku jemi, në degdisje të frikshme!

Politika dhe kapja e shoqërisë përmes saj u bë fataliteti i një zhgënjimi të skajshëm!

Edhe rrezet e diellit të dimrit e gëzojnë natyrën! Kjo rrezikon të jetë shpjegimi i fitores së Vetëvendosjes!

Kauzat për të cilat ajo shquhet dhe dielli me të cilin ajo premtoi të ngrohte sikur ka lëshuar rreze siberiane!

Asnjëra kauzë reale e Vetëvendosjes nuk pushon në idealet e LDK-së. Fundja a nuk ishte e keqja që ndërtuan tandemi LDK-PDK në këto dy dekada nxitja dhe vetë arsyeja e lindjes së Vetëvendosjes? A nuk ishin pikërisht ato arsyeja e rritës së saj dhe forca e kësaj fitoreje elektorale, e cila më shumë i ngjason fatkeqësisë se sa mundësisë për të bërë detyrën?!!!

Sot jemi para një situate kur kryeministri në ardhje do duhet ta pret dekretimin nga Presidenti, të cilin jo pak herë e ka shpallur tradhtar!

Nëse qeverisja Kurti fillon në fjalinë vetëvrasëse:

“Ju lutem zoti “president tradhëtari“ më dekretoni kryeministër!“ ku do pushoi besimi qytetar në paletat e një tradhtie të dekretuar apo në hipokrizie ku shartimi i parimeve është ëndrra e sëmurë pushtetare!

Ne duam të besojmë se kjo fitore elektorale e Vetvendosjes do përkthehet në fitore për ta ribërë shpresën! Turmat edhe mund ta ulin kokën nën inercionin e populizmit por kjo një ditë do prodhoi këndellje. Megjithatë, këtij rrengu moral edhe do ia hedh Albini me inercionin e populizmit. Në raste të tilla, rastis mjerisht, edhe akademikët të shiten për trupeshk.

Fjalimi i Albinit në mesnatën e fitores nuk e shuguron dot artikuluesin albin në krye të qeverisë. Ai tha se në qeverinë e tij nuk do ketë hajna! Isa Mustafa si individ dhe LDK si strukturë bartin fajet e së shkuarës së keqe hiq më pak se PDK dhe drejtuesit e saj! Nëse LDK dhe Isa Mustafa nuk prodhuan hajninë e zhvatjen e aseteve tona atëherë pse ne qenkemi të zhgënjyer.

Kosova ka kërkuar ndryshimin jo etablimin e një zezone në kuotat pararendëse!

Taksa si prag bisedimesh mund të kthehet në “thembër Akili“! Reciprociteti si tendencë mbajtjeje masash për të prodhuar efekte të njëjta me taksën si në fushën politike ashtu dhe në atë ekonomike për faktorin ndërkombëtar do prodhojë refuzim! Faktori ndërkombëtar nuk është mirë të vihet në lojë! Tashmë taksa ka zënë vend, mirë apo keq. Çdo tendencë mashtrimi përmes mbajtjes së taksës në petkun e reciprocitetit do na vinte para të panjohurave të mëdha. Ndërkombëtarët do ta quanin  lojë dhe tallje!

Demarkimi me fqinjët armiqësor bëhet guri i sizifit që Vetvendosja nuk mund ta bartë me histori kreshnikësh si Prek Cali! E vetme nuk do ia vlente guximit! Tendenca e saj që demarkimin me Malin e zi ta quaj një mbyllje të keqe dhe faj të pushtetit pararendës është më shumë se faj! Ajo këtë mund ta shes sikur e shiti Isa Mustafa kalimin e LDK-së së tij në duart e Lutfi Hazirit pa zgjedhje prapa perdeve të nominimit të Vjosës, por tashmë ka filluar koha e vrojtimit me llupën e kritikës dhe sulmit opozitar kundejt pushtetit në ardhje! Vetëvendosja mund ta bëjë këtë faj historik duke e quajtur temë të mbyllur për fajin e pararendësve, por kjo do prodhoi reflektim te masat elektorale dhe pasojë!

Hajnia, zhvatja dhe tenderomania janë asetet pushtetmbajtëse të klaneve kapëse edhe në LDK. Ndoshta edhe më shumë se vetëm kaq?! Loja me prokurorë e gjykata nuk bjen dot Eleza! Simbolikat nuk bëhen dot pushtete. Ato prodhojnë oaza myshqesh.

Veteranët nuk mund të trajtohen si një shtresë për t‘u denigruar e fyer! Kosova është e vogël sot për mllefin e tyre nesër nëse luhet me dinjitetin e tyre! Të ardhurat edhe mund t‘u ndalen, por për dinjitetin ata din të vihen në rresht!

Administrata dhe shërbimet publike kanë përbërë në të shkuarën realizimin real pushtetor të secilës ngjyrë! Një administratë kaq të rryer do të paktën disa vite mandat për ta bërë për vete, derisa të paktën një gjysmë mandati për ta kuptuar!

Në një vend si ky i yni ka shumë të sëmurë, edhe Akademia e Shkencave e vuan kapjen politike të LDK-së (ndoshta në tërësinë e saj ajo edhe e parapëlqen), por, standardi i një shoqërie të proklamuar në para ardhje kërkon reagim ekselent! Kjo nuk është e mundur për sa kohë që LDK apo PDK determinojnë pushtetet! Në rastin e tanishëm LDK është vula pushtetare e Vetëvendosjes.

Buxheti dhe politikat e ndërtimit të shtetit social duken të mos jenë në kapacitete të përballueshme për njëra tjetrën ku ekonomia informale prin me fajin e saj në këtë mal shpërputhjesh!

LVV mund të mos e arrij konsensusin e aktorëve vendor për çështjet e mëdha si dialogun apo demarkimin. Ajo ka kapacitetet e duhura profesionale e morale për ta përfaqësuar Kosovën, por e kaluara e saj me sjelljen prej një adoleshenceje që   nuk u poq, mund të prodhojë papajtushmëri!

Këto dhe gjëra tjera do na shtrihen si probleme të nesërme! Gjithçka do ketë kohën e vet dhe fatin e trajtesës! Sot na mbetet të urojmë pushtet të mirë të Vetëvendosjes edhe pse ajo do duhet ta ndaj pushtetin me LDK-në! Gjurmët që ajo do lë në qeverisjen e vendit këtë mandat uroj të mos prodhojnë efekte ndarëse sikur prodhoi të drejtuarit e Prishtinës!

Ora e të bërit opozitë për LVV tashmë është ndalur dhe çdo sjellje e saj do ketë kosto!

Ajo përdori shumë mjete për gjatë rrugëtimit të saj opozitar dhe tashmë mund t‘i duhet t‘i përballojë pasojat e sjelljeve të tilla! Uroj të mos ndodhin gjëra aq të këqija! Racionaliteti besoj se u është veshur si atribut subjekteve që kanë mbetur në opozitë! Kjo do ndodhë edhe me LVV gjatë këtij mandati! Ndoshta kjo do mbetet fitorja e madhe e këtyre zgjedhjeve!

Ndryshe mbushini xhepat me gurë!

Kontrolloni gjithashtu

Gjeneral Lahi Brahimaj: Trimëria dhe dashuria e Mervete Makstuajt për atdheun, do të mbeten përjetësisht në zemrat tona

Gjenerali, Lahi Brahimaj, ka kujtuar në 26-vjetorin e rënies në kryerje të detyrës në oborrin …