Behxhet Jashari

Blerim Zhabari: Behxhet Sahit Jashari, një jetë kushtuar arsimit dhe luftës për Liri

Behxhet (Sahit) Jashari (16. 8.1945 – 20.8.2019)

Behxhet Jashari ishte mësues-mësimdhënës e pedagog, drejtues në institucione arsimore dhe këshilltar në Entin Pedagogjik të Kosovës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri dhe pavarësi dhe e një familje luftëtarësh për liri brez pas brezi, fëmija më i madh i babait Sahitit, që ishte partizan i Brigadave të Shqipërisë.

Në vitet 1998 Behxheti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku luftoi përkrah me të birin e tij ushtar, Gëzimin, i cili u nda nga jeta më 2007. Trashëgoi pushkën e vëllait dëshmor, Xajës, duke u rreshtuar në luftën kundër forcave okupatore serbe përkrah shumë luftëtarëve – familjarë, nipa e mbesa, kushërinj dhe luftëtarëve nga gjithë Kosova e viset tjera shqiptare.

Në vitin e madh të lirisë 1999, luftëtari i lirisë, që ishte pedagogu i parë i Ortakollit, iu rikthye arsimit, ku për rreth 45 vjet dha kontribut profesional e akademik për shkollimin shqip në Kosovë.

Veprimtarinë akademike e profesionale, menjëherë pas përfundimit të luftës, e vazhdoi si drejtor i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, duke kryer punë shembullore dhe vënë themele në rimëkëmbjen e sektorit të arsimit në nivel komune.

Më vonë ai u kthye pranë nxënësve, si mësimdhënës e pedagog, punë të cilën e bënte me dashuri e përkushtim.

Nga viti 2008 e deri në pension, Behxheti ishte drejtor i shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri, ku pos punës profesionale udhëhoqi edhe procesin e zgjerimit të shkollës.

Behxhet Jashari lindi fshatin Strofc në 16 gusht të vitit 1945. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, Normalen e kreu në Mitrovicë, ndërsa arsimin universitar në Prishtinë.

Në kohën e okupimit e masave të dhunshme, përkundër kërcënimeve dhe përndjekjes, Pedagogu, siç e thërrisnin familjarët, bashkëpunëtorët e të tjerë, refuzoi të largonte gjuhën shqipe nga shkolla, nuk u nënshtrua për asnjë moment, e madje edhe largoi serbishten, e cila u provua t’i imponohej dhunshëm.

 

U përndjek, u rrah e torturua nga ish regjimi, por veprimtarinë e tij nuk e ndali kurrë. Të fortë e mbante ideali dhe vetëdija për rëndësinë e arsimimit të brezave të rinj në gjuhën shqipe, në frymën e atdhedashurisë.

 

Pas pensionimit, shumicën e kohës Behxheti e kaloi në fshatin e lindjes, Strofc, duke pritur shumë vizitorë, të rinj nga familja e më gjerë, e duke u dhënë këshilla e ngrohtësi dhe duke vazhduar të jetë gjithnjë mësues i shumë brezave.

 

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …