Brickos

Brokaj: Pa ndëshkim, s’ ka dekriminalizim. Berisha shkatërroi drejtësinë për hir të pushtetit të tij

Gazeta  “Dita”  intervistë me dr. Sabit Brokajn

 

 Doktor, u mbushën dy vjet të qeverisjes Rama. Mendoni se realizimet e kësaj periudhe kanë përmbushur pritshmëritë që populli kishte ndaj kësaj qeverie?

– Mendoj se përgjigja për këtë pyetje nuk mund të bëhet me një po apo me një jo. U nisën plot punë të mira dhe në shumë drejtime për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen katastrofike që kishte lënë qeveria e Berishës, por pas dy vjetësh mund të themi se realizimet konkrete janë ende larg pritshmërive. Natyrisht që merton të përshëndetet përpjekja serioze dhe këmbëngulëse për të bërë shtet, për të futur shoqërinë në binarët e ligjit, të cilat ishin shthurur keq në qeverisjen e mëparshme. Por mendoj se janë lënë para probleme madhore. Fjala vjen një vit më parë u bë bujë me operacionin antidrogë që u ndërmor në Lazarat. Ky operacion u përshëndet sepse veç të tjerash na kishte krijuar një problem me botën, me imazhin e shtetit. Mirëpo çfarë ndodhi? Ndëshkimi u bë që këtë mos ta përsërisnin të tjerët. Fenomeni Lazarat në vend që ta minimizonte apo ta zhdukte problemin, bëri efektin e kundërt. Harta e Shqipërisë u ngjyros me kanabis nga jugu në veri. Ku është problemi? Këtu ka një anomali. Dhe anomalia ka të bëjë me thelbin e zbatimit të ligjit. Vetë politika nuk ishte e vendosur. Madje pati zëra që droga të lejohej. Po është dhe problemi tjetër. Kultivimi i drogës u krijonte të ardhura mjaft familjeve që nuk kishin mundësi tjetër. Kur ndërmerret një operacion i tillë duhet të llogariten të gjitha, pra mbyll një shteg të paligjshëm, por duhet të krijosh mundësi punësimi që ata njerëz të ushqeheshin. Kur kam qenë deputet, unë e kam shtruar këtë pyetje: Çfarë duhet të bëhet për fshatin? Dhe këtu janë mundësitë që duhet t’u krijojë shteti fermerëve për të shtuar bagëtitë, për përpunimin e bulmetrave, për shitjen e produkteve bujqësore. Këto nuk janë bërë, prandaj dhe fenomeni i Lazaratit mori të tilla përmasa. Kjo qeveri ka bërë premtime për subvencionime, për lehtësira në furnizimin me karburante, por realizimet nuk po duken.

– Këto probleme janë të lidhura pazgjidhshmërisht me situatën ekonomike, apo jo?

– Natyrisht. Është zhgënjyes fakti që të ardhurat po bien. Punësimi nuk ndihet fare, madje është problemi numër një. Emigrimi masiv që ka ndodhur dhe që vazhdon është prova më demaskuese, për këtë qeveri, për gjendjen tonë ekonomike, por edhe atë morale. Asnjë popull në Ballkan nuk e ka të shfaqur sa ne dëshirën për të ikur nga vendi i vet. Edhe ata që ikin nga Serbia në shumicë janë shqiptarë. Edhe ata që ikin nga Maqedonia janë shqiptarët që ikin. Por ata kanë të drejtë. Por largimet nga Shqipëria dhe Kosova janë të pajustifikuara dhe kjo është përgjegjësi e dy qeverive tona. Asnjë justifikim nga këto qeveri nuk pi më ujë. Është folur vazhdimisht dhe dihet nga të gjithë se Shqipëria ka resurse të jashtëzakonshme natyrore dhe minerare që, po të menaxhohen mirë, ofrojnë mundësi të mëdha e të shpejta zhvillimi. Mirëpo këto pasuri të mëdha që kemi shfrytëzohen barbarisht kryesisht nga të huajt si të ishim një vend kolonial dhe, në vend që të na ofrohen mundësitë e zhvillimit dhe të rritjes së mirëqenies, ndodh e kundërta: zhduken qindra miliona dollarë të ardhura çdo vit, nuk ofrohen vende pune dhe për pasojë, njerëzit tanë shikojnë ikjen nga vendi si mundësi të vetme mbijetese. Kjo është vërtet për të ardhur keq. Ku janë vendet e punës të premtuara? Nuk është alternativë zhvillimi dhe mirëqenieje biznesi fason që po trumbetohet aq shumë. Biznesi fason është biznes tipik i vendeve koloniale, është shfrytëzim, ndaj nuk mund të shpresohet se ky lloj biznesi do të ndryshojë gjendjen.

 

– Po pohimi se këto ikje kanë të bëjnë me trashëgiminë e qeverisë Berisha a qëndron?

– Jo, nuk qëndron. Iu bënë dy vjet Ramës në krye të qeverisë. Sidomos tashmë që edhe pushtetin qendror dhe atë vendor e ka e majta. Në këto rrethana me vullnet të mirë zgjidhjet bëhen më të lehta. Ja po bëhet aksioni kundër informalitetit dhe u tha se kanë humbur 60 milionë dollarë nga informaliteti. Por shtrohet pyetja: Sa para nuk i ke marrë Bankers-it, apo kompanive të mëdha të huaja që operojnë në vend? Janë qindra milionë dollarë të humbur. Në fillimet e kësaj qeverie iu bë një pyetje Shkëlqim Canit nga Ridvan Bode: Po ju ku do t’i gjeni paratë? Dhe Cani dha një përgjigje që mua më pëlqeu shumë: “Do t’ua marrim juve! Do zbulojmë korrupsionin tuaj dhe do t’ua marrim pasi i keni përvetësuar padrejtësisht!” Për shembull paratë e humbura në rrugën Durrës-Kukës e në sa e sa raste të tjera ku është bërë një korrupsion kriminal nga qeveria e Berishës. Nga andej duhet ta fillonte Rama luftën kundër informalitetit, se aty janë paratë më të mëdha të grabitura, pastaj të vazhdonte me bizneset e tjera më të vogla. Dobia më e madhe e luftës kundër informalitetit në nivelin e biznesit të vogël është më shumë edukim ndaj ligjit e shtetit, se sa përfitim ekonomik.

– Një nga premtimet madhore të Ramës është reforma në drejtësi, që pritet të bëhet këtë vjeshtë. Ju, Doktor, hyni te skeptikët apo te njerëzit që thonë se kjo reformë do të bëhet në thellësinë dhe tërësinë e duhur?

– Nuk jam skeptik. Nga natyra jam optimist, por nuk mund të jesh optimist pa qenë edhe skeptik. Pse e them këtë? Po bëj një tablo kronologjike të historisë të së drejtës në Shqipëri. Kur ndryshon një sistem, thelbi që tregon ndryshimin që ka ndodhur është Kushtetuta. Dhe ç’është e vërteta ndryshimet me dispozita kushtetuese kanë filluar që në ‘90-n me Ramiz Alinë, që në tetor-nëntor të atij viti. Unë kam qenë pjesë e atij komisioni dhe me ato dispozita u lejua pluralizmi politik dhe u bë kodi për zgjedhjet e marsit të ardhshëm, u hoq neni i agjitacion-propagandës etj. Këto dispozita u shtuan në vitet që pasuan në favor të demokratizimit të jetës së vendit, për të arritur në momentin kulmor të hartimit të një kushtetute të re në vitin 1994. Mirëpo Berishën e shqetësonte me shumë pushteti i tij personal si president se sa demokracia. Dhe thelbi asaj kushtetute ishte autoritarist. Saliu ishte gati të shpallej mbret. Dhe populli me të drejtë e rrëzoi me referendum atë kushtetutë. Në këtë rast populli ishte më i avancuar se klasa politike në udhëheqje për të drejtat demokratike. Po çfarë ndodhi në 2008-n? Në 2008-n, pas mesnate, në dy orë deputetët e të dy krahëve, kam parasysh deputetët socialistë dhe ata të PD-së, pranuan dhe miratuan atë që kishte rrëzuar populli në 1994-n. Dhe aty u miratua një kod zgjedhor aspak demokratik. Atëhere vijmë tek situata e tanishme. Kur gjërat kanë ecur në një trajektore por në kundërsens, si mund të jem unë optimist, kur autorët që e prishën Kushtetutën janë po ata. Janë ata që hartuan atë Kod Zgjedhor që ka çuar në atë përbërje të parlamentit. Reforma do të bëhet se është vënë si kusht për negociatat me BE-në, por sa e si do të bëhet, kjo është çështja. Këtu fillojnë pikëpyetjet. Ashtu si mund të gjendeshin shtigje dhe mënyra gjatë këtyre 25 vjetëve për t’i thënë ndal pushtetit autoritarist, për të ndërtuar pushtete të pavarura dhe media të lira të cilat janë shumë-shumë pak (këtu gjej rastin të përshëndes gazetën ‘DITA’ e cila ka ditur të ruajë integritetin dhe të ketë besueshmëri për qëndrimet konsekuente që mban, pasi të tjerat janë ose të kërcënuara ose të blera) edhe tani këto mundësi nuk mungojnë. Për mendimin tim konsensusi që u arrit për ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodin Zgjedhor në 2008-n ishte një hata e madhe. Prandaj dhe shtrohet pyetja: Këto parti e kanë tani seriozisht këtë reformë që kërkohet të bëhet? Një njeri me dy fije mend në kokë nuk ka se si të jetë optimist. Gjithsesi, shoqëria ecën. Po me ç’hapa ecën, kjo është çështja. Një gjë është e sigurt, që opozita do të sjellë pengesa për reformën në drejtësi, përderisa aty është autori i modelit të antishtetit, Berisha.

– Gjithsesi, duke mos u shprehur optimist, ju shprehët skepticizmin tuaj për reformën në gjyqësor…

– Shiko, ky është një moment kyç. Gjërat duhet t’i shikojmë me realizëm. Unë mendoj se politika e prishi drejtësinë. Drejtësia pastaj ndihmon në prishjen e politikës. Këto janë të ndërlidhura. Unë fola më shumë për politikën sepse ajo është parësore për të gjitha hallkat e tjera. Ne mjerisht nuk kemi juristë të kapacitetit të Di Pietros, që bëri një revolucion në shoqërinë italiane, shkatërroi dy parti të mëdha, demokristianët dhe socialistët. Ne nuk e kemi këtë fat. Unë thashë se politika e prishi drejtësinë. Ja po tregoj një shembull. Politika arriti deri aty sa Profesori Sali Berisha dha diploma gjashtë mujorëshe. Si mund të pranohet që një profesor që ka marrë një diplomë pas 5 apo 6 vjetësh, të pranojë të shpërndajë diploma për jurist me kurse gjashtë mujore? Pra si mund të bëhesh mjek me gjatë muaj, të bëhesh agronom me gjashtë muaj, të bëhesh arkitekt me gjashtë muaj. Por është fakt se në drejtësi ata u bënë në gjashtë muaj. Berisha kështu e shkatërroi drejtësinë për hir të pushtetit të tij. Vetëm ai mund ta bënte këtë. Por edhe socialistët që erdhën më pas në pushtet e gëlltitën këtë, në vend që në mënyrë kategorike, të prerë, të mos e pranonin. Me heshtjen e tyre socialistët u bënë pjesë e këtij shkatërrimi, u molepsën, ndaj dhe sot janë të kontraktuar dhe hezitues. Kështu është ndihmuar procesi i shkatërrimit të gjyqësorit. Po ç’mund të ndodhë tani me reformën duke pasur parasysh trupën e juristëve? Unë e kam thënë dhe e them se juristët edhe në vendimet e gabuara që marrin shikojnë në beben e syrit politikanin. Do ai që të shkelet drejtësia, apo jo?

– Pra ju mendoni se ka politikanë që nuk duan të bëhet drejtësi në këtë vend?

– Pikërisht. Pse e them këtë? Janë gjetur për shembull justifikime për dosjet e 21 janarit, për Gërdecin, për rrugën Durrës-Kukës etj., në emër të pavarësisë së gjyqësorit. Unë këtë nuk e justifikoj dhe e quaj të papranueshme. Shiko, Prokurori është pjesë e ekzekutivit, ai mbron akuzën në emër të shtetit. Po unë nuk mund ta arrij ta kuptoj faktin që disa dosje të filtruara nga ekspertët dhe janë të gatshme të lihen në harresë, të flenë sirtarëve të Prokurorisë. Mirëpo Rama, që në këtë rast e ka sovranin me vete, pasi janë një milionë vota për këtë pushtet, duket se nuk e ka kuptuar ende këtë mbështetje. Përndryshe, nuk ka si të shpjegohet kjo vonesë në veprime. Në këtë moment mua më kujtohet një shprehje që ma ka rrëfyer shkrimtari dhe publicisti Daut Gumeni, i cili është dhe miku yt si dhe imi. Ai citon një poet rus të para revolucionit. Shprehja është: “Nuk e kam frikë armikun se shumë-shumë, mund të më vrasë. Nuk e kam frikë mikun se shumë-shumë mund të më tradhtojë. Më shumë frikë kam ata njerëz dhe atë popull që e sheh të keqen dhe pajtohet me të”. Kjo shprehje në fakt më bën pesimist. Fjalën e kam tek ajo pjesë e socialistëve, dhe drejtuesve të tyre që nuk janë aktivë në ndryshimin rrënjësor të situatës.

– Po për procesin e dekriminalizimit a besoni se do të bëhet, ndërkohë që është kultivuar aq thellë pandëshkueshmëria për 25 vjet me radhë?

– Unë e përshëndes iniciativën dhe kurajën e Ramës për të bërë reforma të thella. Mirëpo menjëherë mund të pyetet: Kush e bëri këtë kod zgjedhor, ku deputetët zgjidhen me lista të hartuara nga kryetari i partisë? Përgjigja e kësaj pyetjeje e zbeh disi procesin e dekriminalizimit. Përsëri unë do t’i referohem një thënieje të Bismarkut: “Ligje të mira dhe një qeverisje e keqe është dështim. Ligje të këqija me një qeverisje të mirë mund të çojë në sukses”. Kjo shprehje nuk ka nevojë për koment. Ligjet mund të mos jenë të përkryer, por ama zbatuesit e ligjeve janë hallka kryesore që mund të bëjë histori suksesi. Kështu është edhe puna e dekriminalizimit. Kjo përbërje parlamenti nuk krijon mundësi për të bërë punë të mira. Vetë Iliri (Meta) e tha se ky është parlamenti më i keq i këtyre 25 vjetëve. Dhe është për të ardhur keq që parlamenti ku hyri për herë të parë Iliri para 25 vjetëve ishte më i mirë nga ky i tanishmi. Kur isha me LSI-në, me një grup juristësh ku bënin pjesë Mustafa Muçi, Sokol Nako e të tjerë, hartuam një kod zgjedhor dhe kërkuam që ai të miratohej në parlament, në vend të atyre ndryshimeve që ndodhën në 2008-n. Ne kërkonim që parlamenti ynë të bëhej nga 100 deputetë, s’ka nevojë Shqipëria për më shumë. Dhe për të shmangur futjen e figurave të dorës së dytë apo të tretë, siç është mbushur tani parlamenti, kërkonim sistemin proporcional kombëtar, që në rast se një personalitet nuk njihet për kontribute politike, profesionale, shkencore apo shoqërore në Shkodër, në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, Elbasan apo Korçë, nuk do të votohej. Kjo do t’i “digjte” listën kryetarit. Lista duhet të jetë e hapur, siç e ka parlamenti i Kosovës, pra të vë kryetari në listë, madje në krye, në dhjetëshen apo pesëshen e parë, por është populli, është zgjedhësi ai që vendos se kush duhet të dalë deputet. Vetëm kështu mund të bëhet dekriminalizimi. Po këtë nuk mund ta bëjnë ata që e kanë gatuar vetë një kod të mbrapshtë.

Berisha 2– Po kjo është e lidhur edhe me ndëshkueshmërinë, apo jo, megjithëse duket se ky term duket se është zhvlerësuar tashmë…

– Në rast se nuk ka ndëshkueshmëri, nuk ka dekriminalizim. Dhe shoqëria shqiptare është e kriminalizuar. Sepse kur socialistët erdhën në pushtet në vitin 1997, i falën Saliut krimet. I falën kontingjenteve të Berishës krimet. Këto krime kishin të bënin jo vetëm me shkatërrimin e Shqipërisë, po më shumë me prishjen e perspektivës së saj. Kur erdhi Berisha në pushtet për herë të dytë, erdhi me atë thirrjen bubullimë se do të zhdukte korrupsionin etj., etj. Unë e dija se Berisha nuk do të bënte asgjë, pasi e njihja shumë mirë. Dhe ai nuk bëri, madje korrupsioni mori përmasa të papara nën qeverisjen e tij. Tani ka dy vjet që qeverisin të majtët. Çfarë është bërë me Gërdecin, me 21 janarin, mbi të gjitha me aktin e shitjes së detit që është kryekrim? Sidomos kjo e fundit, për të cilin ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese është fare e qartë dhe procesi mund të ishte fare i lehtë për t’u gjykuar. Unë mendoj se socialistët duhet ta bëjnë dekriminalizimin si nevojë të tyre dhe jo si kusht për negociata. Pra duhet vullneti i tyre. Sistemi i drejtësisë është i kriminalizuar në çdo cep të tij, që nga Presidenti e deri poshtë. Atëherë çfarë pritet? Ikën dy vjet. Kur do bëhet reforma, kur do të bëhet dekriminalizimi?

– Mirëpo, Doktor, këtu duket se ka një problem që bëhet pengesë: ato çështje që përmendët ju si 21 Janari, Deti, Gërdeci, lidhen me emra konkretë, me ata që drejtojnë aktualisht opozitën, domethënë me kryetarët de fakto dhe de jure të PD-së, pra me Berishën, me Bashën si dhe me Fatmir Mediun e republikanëve. Ju doni që vendi të mbetet pa opozitë?

– Jo, pikërisht atëherë shoqëria shqiptare do të fillonte të kishte opozitë. Unë mendoj se pikërisht tani vendi është pa opozitë, sepse në krye të saj qëndrojnë këta njerëz të inkriminuar. Opozita aktuale është thjesht fasadë, një opozitë që bën vetëm llafe. Opozita do të ringrihet vetëm pasi të dënohen fajtorët e këtyre krimeve të rënda dhe të patolerueshme. Dhe vendi ka nevojë për opozitë, edhe socialistët kanë nevojë të kenë një opozitë serioze. E të mos kenë frikë socialistët se mund të përsëritet 2005-a apo 2009-a kur Saliu erdhi në pushtet me ndihmën e forcave të majta. Kjo mendoj se nuk ka për të ndodhur sërish në të ardhmen.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …