Ministrja e Financave dhe Ekonomisë dhe Inovacionit në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se ende nuk ekziston një projekt i finalizuar për zhvillimin e zonës së Zvërnec, duke theksuar se procesi ndodhet në fazë studimi dhe projektimi. Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj u shpreh për mediat se autoritetet shqiptare po punojnë me arkitektë të mjedisit dhe peizazhit për të hartuar një plan që të jetë në përputhje me standardet mjedisore dhe kriteret e Bashkimit Evropian. Sipas saj, qëllimi i qeverisë është që projekti të realizohet dhe të ketë ndikim pozitiv në sektorin e turizmit, por duke garantuar ruajtjen e natyrës dhe respektimin e të gjitha kushteve mjedisore. Ajo sqaroi se aktualisht nuk ka një projekt final që mund të prezantohet për publikun, ndërsa theksoi se çdo propozim i ardhshëm duhet të kalojë filtrat e nevojshëm mjedisorë dhe të sigurojë transparencë të plotë. Ibrahimaj shtoi se një projekt i mëparshëm me vlerë rreth 4 miliardë euro është refuzuar për shkak të ndikimit në mjedis, duke nënvizuar se interesi i investitorëve për zonën lidhet pikërisht me natyrën e saj dhe nevojën për ruajtjen e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
