Destan Sejdi Bajraktari (17.4.1930 - 28.2.2005)

Destan Sejdi Bajraktari (17.4.1930 – 28.2.2005)

Në mesin  e personaliteteve tona të rezistencës kombëtare, të arsimimit të brezave, të kulturës dhe diturisë, një vend me rëndësi zë edhe i burgosuri politik, mësuesi e atdhetari i paharrueshëm, Destan Sejdi Bajraktari. Veprimtaria e tij në dobi të kombit e Atdheut ishte alfa dhe omega e interesimeve dhe tërë përkushtimi i tij jetësor. Me shembullin e tij jetësor, në rezistencë kundër pushtuesit serb, punën në arsim dhe përkushtimin për trashëgiminë popullore, Destan Bajtaktari zë një vend të merituar në historinë tonë më të re të kulturës kombëtare dhe jo vetëm të asaj….

Destan Bajraktari u lind në Therandë (ish- Suharekë) më 17 prill të vitit  1930,  në një familje me tradita të larta atdhetare. Babai i tij, Sejdi Bajraktari dhe gjyshi e stërgjyshërit ishin prijatarë në luftë për liri të tokave shqiptare nga pushtues të shumtë, si edhe kishin rënë dëshmorë në këto luftëra. Destan Bajraktari ishte i përndjekur politik dhe i atakuar në vazhdimësi nga UDB-ja serbe dhe SUP-i serb në Kosovë. Ishte edhe i burgosur politik prej viti 1959 si anëtar i NDSH-Grupi i Suharekës. Destan Bajraktari Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Therandë, Pro-gjimnazin e Ulët në Prizren, Shkollën Normale në Gjakovë dhe Fakultetin Filologjik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë. Është sinonim dhe kurorëzim i traditës atdhetare të familjes së tij dhe ndër intelektualët e parë të komunës së Therandës.

Destan Bajraktari pas kryerjes së Shkollës Normale në Gjakovë në vitin 1949-1950, kthehet në vendlindje, në Therandë, me ëndrrën e madhe të hershme që të bëhej mësues i popullit të trevës së vet. Aso kohe në Therandë dhe përgjithësisht në Kosovë ndihej nevojë e madhe për mësues të diplomuar shqiptarë, por përkundër kësaj Destan Bajraktari kishte pasur probleme të shumta që të punësohej si mësues se “Fronti Popullor” dhe UDB-ja serbe në Therandë i kishin thënë se ishte i familjes nacionaliste. Megjithatë, pas shumë mundimesh, emërohet mësues në Gjimnazin e Ulët të Therandës, më vonë i emëruar si Shkolla Tetëvjeçare “Vllaznim Bashkim”, tani “7 Marsi”, ku jep mësim në klasat e larta, me ndërprerje, deri në vitin 1959. Ishte mësuesi i parë me diplomë në komunë të Therandës dhe ishte një arsimtar i palodhshëm për edukimin e gjeneratave të reja. Vizitonte të gjitha lagjet e Therandës, shtëpi më shtëpi, si edhe të gjitha fshatrat, duke ecur të shumtën e rasteve edhe këmbë, për t’i bindur prindërit për rëndësinë e shkollës shqipe. Fjalët e tij kudo që kishte shkuar ishin respektuar dhe vlerësuar si tepër të nevojshme dhe të rëndësishme. Pasi i kishte bindur prindërit që t’i dërgonin fëmijët (djemtë) e tyre në shkollë, Destan Bajraktari kishte bërë ç’mos edhe për hapjen e internatit në Therandë, ku do të strehoheshin nxënësit e fshatrave për t’u shkolluar. Rëndësi e veçantë për Destan Bajraktarin kishte qenë edhe përfshirja e vajzave shqiptare  të trevës së Therandës në shkollë, jo vetëm deri në katër klasë, por edhe në tetëvjeçare e edhe më lartë. Ishte angazhuar dhe kishte arritur që t’i përfshijë në klasën e pestë të gjitha vajzat e Suharekës, që e kishin kryer klasën e katërtë, si edhe ato të fshatrave. Si njeri i ngritur ishte i vetëdijshëm se pa arsimim të femrës shqiptare nuk do të ketë as përparim të kombit shqiptar, duke thënë se përkushtimi për komb e atdhe është edhe shkollimi i vajzës shqiptare. Mbi bazën e kësaj Destani më vonë do ta shkruajë edhe poemën: “Mos i pengoni shqipet tona”, ku e porosit popullin e vet që të mos përdorë dhunë mbi dhunë, se dhuna është e keqe dhe na kthen në kohë të mugëta si popull.

Suksesi i tij  në zhvillimin e procesit mësimor dhe aktiviteti i gjithmbarshëm i tij me popullatën shqiptare kishte filluar që ta pengojë udhëheqjen serbë në Therandë. Në një rast Jova Shotra, funksionar i lartë i Kosovës së atëhershme (krahinor) i kishte thënë në Komitetin Komunal të Therandës, si në të ngërmuar Destanit, se: “Kush je ti bre që po mundësh që të kesh më shumë sukses në masë se sa komunistët e mi?!” Kur Destani i kishte thënë se komunistët e tu po të shërbejnë ty e jo popullit të vet, Jova gati ishte çmendur dhe për këtë edhe e kishte përcjellë tërë kohën përmes agjentëve të vet, që ta njollosnin dhe ta keqtrajtonin. Për virtytet e vazhdueshme atdhetare, arsimore, folklorike dhe shkrimore regjimi totalitar serb në Kosovë e shpall person të rrezikshëm dhe pas shumë përgjimesh sekrete edhe e burgosin më 1959, duke e dënuar me 5 vjet e gjashtë muaj burg. Gjatë burgosjes, pos maltretimeve të shumta fizike e psikike që ia bëjnë, ia marrin edhe bibliotekën personale shumë të pasur, por edhe të gjitha shënimet folklorike prej dhjetëra fletoresh, si edhe tri fletore të mëdha me shkrime poetike. Pas daljes nga burgu Destan Bajraktari ishte sërish në një lloj burgu tjetër, se lëvizjet e tij ishin shumë të kufizuara dhe të përcjella vazhdimisht nga UDB-ja dhe nga SUP-i serb në Therandë. Torturimet e vazhdueshme psiko-fizike i krijojnë pengesa të shumta në jetë si intelektual dhe si shqiptar dhe nuk do të pushojnë asnjëherë gjatë gjithë jetës së tij, se:

– Nuk e pranojnë në punë në vendlindje dhe as kurrkund në Kosovë dhe për një kohë të gjatë mbetet pa punë, që ishte një goditje shumë e rëndë për të dhe për familjen e tij.

-Që të mos dorëzohej para vështirësive të shkaktuara, por edhe për shkak të kushteve ekonomike, detyrohet që të kërkojë punë në Maqedoni. Atje shkon ilegalisht në gusht të vitit 1963, pas tërmetit të madh në Maqedoni, ku do të punojë një vit si mësues në Draçevicë dhe tri vjet në fshatin Krushopek të rrethit të Shkupit.

-Pas rënies së Rankoviqit, Destani kthehet sërish në vendlindje dhe mezi që e pranojnë në punë në vitin 1967 si arsimtar i gjuhës shqipe në Duhël të Therandës, ku punoi dy vjet.

-Në vitin 1969, pas shumë peripecive, punësohet në Shk. Fill.“Emin Duraku“ të Prishtinës, ku edhe ishte vendosur me familje. Pranimi si mësimdhënës në këtë shkollë e ka historinë e vetë të konsideratës dhe të sakrificës së madhe që kishte bërë kolektivi i respektueshëm i kësaj shkolle në krye me drejtorin e shkollës, Habib Berisha.

– Më 1973, me “Letrën e Byros Ekzekutive dhe të shokut Tito” organet partiake në pushtet e largojnë nga procesi mësimor si “të papërshtatshëm“ për edukimin dhe arsimimin e brezit të rinjë. E caktojnë bibliotekar në të njëjtën shkollë, ku do të punojë deri në pensionimin qëllimisht të parakohshëm, më 1991. Më 28. 04. 2004, drejtoria e Shkollës Fillore “Emin Duraku” Destan Bajraktarit i ndanë: Mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim.

-Mbi 30 vjet u përballë edhe me sëmundjen e diabetit, shkaktuar nga torturimet e tmerruese nëpër burgjet serbe.

Veprimtaria folklorike e Destan Bajraktarit:

-Destan Bajraktari është folkloristi i parë i anës së Therandës dhe i pari në trevat shqiptare në mbledhje të fjalëve të urta dhe të thënieve popullore.

Me një punë të tillë ishte marrë që nga viti 1950 dhe ka shënuar materiale të ndryshme të folklorit tonë burimor, por fatkeqësisht organet policore serbe, me rastin e burgosjes ia kanë marrë dhjetëra fletore dhe ia kanë zhdukur. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe gjatë luftës tremujore të vitit 1999 në Kosovë, kur ushtria serbe e kishte bërë shtab ushtarak shtëpinë e tij në lagjen “Taukbahqe” në Prishtinë, dhe ia ka zhdukur bibliotekën dhe shtatë përmbledhje folklorike në dorëshkrim.

-Në shenjë nderimi për punën me përkushtim në folkloristikën shqiptare Destan Bajraktari është pranuar anëtar i rregullt i Shoqatës së Folkloristëve të Kosovës që nga viti 1983-1984.

-Destani i botoi me mjete të veta financiare këto vepra folklorike:

  1. “Fjalë të urta dhe thënie popullore–Shënuar në Podrime”, 1974 (10.905 njësi)
  2. “Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe”, më 1994, me 42.525 njësi
  3. “Këngë popullore vajzash, botuar më (2001)

Këto përmbledhje folklorike janë margaritar të folklorit tonë të pasur dhe burimor, që nuk e kanë as popujt e mëdhenjë me tradita shumëshekullore shkrimi. Ky material, për kohën kur është botuar ishte më vuliminozi dhe më i pasuri se e gjithë lënda e traditës sonë folklorike që nga koha e Frano Bardhit më 1635.

-Ishte edhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik që nga themelimi i tij më 1953, ku kishte dërguar material të shumtë foklorik, me dhjetëra fletore shumëfletëshe të shkruara të gjitha me dorëshkrim të lexueshëm dhe të bukur.

-Destan Bajraktari ka në dorëshkrim anekdota, fabula, tregime dhe fjalor fjalësh të rralla, që presin dorën e mbarshtrimit dhe të botimit të organizuar institucional. Edhe librat e botuara të tij presin ndonjë ribotim të mundshëm, gjithashtu institucional, pasi të gjitha janë të botuara me mjete financiare vetanake të autorit.

– Përmbledhja “Këngë popullore femrash – shënuara në Karshijak të Maqedonisë” dhe përmbledhja “Tregime popullore–shënuar në rrethin e Suharekës” e kanë fituar shpërblimin e dytë në Konkursin Letrar të Institutit për Folklor të Maqedonisë.

-Destan Bajraktari ka shkruar edhe tekste shkollore, si “Fletorja ime e punës për kl. e IV ” (1972), (bashkautor me Habib Berishën).

– Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

– Është anëtarë i Shoqatës Mbarkombëtare të Shkrimtarëve për fëmijë, në Tiranë, me nënshkrim të Odhise Grillos.

– Destan Bajraktari ka mirënjohje të shumta për kontributin e dhënë në arsim, në forklor, dhe në letërsi.

Theranda e nderon postmorrtum Destan Bajraktarin – Në shënim të ditës së çlirimit Theranda e nderon postmorrtum me:

1.Mirënjohje për kontributin e dhënë në folklore (20060

  1. Mirënjohje me titullin më të lartë: Emblema e artë për vepër jetësore (2010).

-Në vitin 2010 Komuna e Therandës (Suharekës), një shkollë të re në Therandë e emëron:

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Destan Bajraktari”

Veprimtaria poetike e Destan Bajraktarit:

-Destan Bajraktari radhitet ndër poetët e parë të Kosovës, që shkroi volume të tëra librash me poezi sonetike, që janë si krijimtari e rrallë dhe e vështirë në letrat shqipe. Të gjitha vjershat e tij për të rritur janë me përmbajtje të kuptueshme për çdo lexues dhe me stil e me fjalor të afërt. Shkroi edhe shumë vepra poetike për fëmijë

Nga veprimtaria poetike Destan Bajraktari i ka të botuara 32 vepra për të rritur dhe për fëmijë, me motive patriotike, shoqërore, sociale, dashurie etj.

Veprat e botuara për të rritur (sonetë) janë këto:

  1. “Përmendore të së kaluares”(1994)
  2. “Lule e gjemba “ (1994)
  3. “Përpjekjet tona “ (1995)
  4. “Ndodhi në stuhi” (1995)
  5. “Vlime e qëndrime” (1995)
  6. “Brengat e jetës” (1996) “ (1996)
  7. “ Koha e bënë të veten “ (1997)
  8. “Ngjarje të paharruara “ (1997)
  9. “Qëndresa ( 1998)” (1998)
  10. “Gardhina (1998)” (1996)
  11. “Trimat i nxjerrë koha e vet “ (1998)
  12. “Drita ka nisur të dale” (1999)
  13. “Shqiponjat hapën krahët” (1999)
  14. “Të përzënët “ (2000)
  15. “Trojet e rrënuara” (2000)
  16. “Qiell pa diell” (2000),
  17. “Trysni e paparë mbi kombin shqiptar “ (2002)
  18. “Ardhacakët e ikur “ (2003)

Veprat e botuara për fëmijë janë:

  1. “Kur piqen qershitë “ (1997)
  2. “Ecje dhe ngecje nëpër shtigje” (1999)
  3. “Zemrat e shqetësuara “ (2000)
  4. “Lazdrimet fëmijërore “(2000)
  5. “Shfaqja e madhe në pyje e livadhe “ (2000)
  6. “Zërat e këndshëm “ (2001)
  7. “Lulet e kopshtit tim—–(2003)
  8. “Sythat e çelur ———–(2003)
  9. “Lulet e njoma ———(2004)

10 “Mali nga i cili rrjedh uji në dy dete “ (2004)

11 “Gjëra të ngjara dhe të pangjara “ ( 2004)

  1. “Këndon bilbili “ (2004)

Duke iu referuar fjalëve të ish kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, z. Adem Gashi, me rastin e mbledhjes komemorative për vdekjen e Destan Bajraktarit, më 28. 02. 2005, po citojmë: “ Destan Bajraktari shkroi aq vepra, sa kishte edhe vjet “.

Kontribut të theksuar Destan Bajraktari ka dhënë edhe në pajtimin e gjaqeve dhe të hasmërive të shumta ndër shqiptarë.

Destan Bajraktari vdiq, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare nga një sëmundje e rendë.

Kryetarja E KOSOVËS ATIFETE JAHJAGA

NË VAZHDËN E AKTIVITETEVE PËR SHËNIMIN E

GJASHTËVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS ,

MË 17. 02. 2014 DEKOROI ATDHETARIN, PROFESORIN, FOLKLORISTIN DHE POETIN  DESTAN SEJDI BAJRAKTARI

MEDALJA PRESIDENCIALE E MERITAVE.

( Naxhie B. Doçi)

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …