Dibran Fylli: Deri kur…Heshtja institucionale dhe shoqërore për krimet serbe në Kosovë?!

Shkrimin po e filloj si pyetje, e cila kërkon përgjigje nga institucionet dhe shoqëria civile, zyrtarët kompetent dhe analistat e bajatizuar skajshmërish, të cilët po e ngritin zërin vetëm nëpër studio televizive e po kacafytën, shahen e përlahen mes veti për asgjë send, dyzohen nëpër studio kush cilën parti e do dhe e mbron edhe atëherë kur nuk duhet.
Së pari, nëpër studiot televizive (jo të gjitha) hapin tema rreth kësaj çështje aq të ndjeshme dhe më se të nevojshme e të arsyeshme për t’u debatuar, jo vetëm më orë, por edhe me ditë e muaj të tërë, por aty ndodh e papritura nga të bajatizuarit skajshmërisht, duke e shndërruar e lakuar temën në mbrojtje politike të liderëve partiak, ja pret njëri nga njëra qoshe: “Albini është i pagabueshëm, për atë i ka marrë mbi 50% të votave!”, i kundërpërgjigjet njëri nga tabori tjetër; “Bini i ka sjellë dëm të pariparueshëm Kosovës…” dhe kështu nga debati me temë për krimet, masakrat, përdhunimet, dëbimet që i bënë forcat ushtarake e policore serbe mbi popullatën civile shqiptare, tema kalon në mbrojtje, gjegjësisht fyerje të liderëve partiak. Këta analista e këta udhëheqës emisionesh që lejojnë gjëra të tilla nëpër studio televizive, unë me gjithë mend i quaj mjerona, pa karakter e ndjenjë njerëzore, pra i krahasoj me njëfarë “rronin”, “rrupullarin” e “mullarin”…
Së dyti, zyrtarët që janë të thirrur për ta ngritur zërin për çështjen e personave të pagjetur, që në start bëjnë gabimin e pariparueshëm;
Jo Personat e pagjetur, por
Personat e zhdukur me forcë nga ushtria dhe policia serbe, gjë që asnjëherë dhe në asnjë vend nuk i kam dëgjuar të shprehen në takime zyrtare apo para ndërkombëtarëve, sidomos kur përball e kanë qoftë edhe vetëm një anëtar të komunitetit pakicë serbe, por, këtë e thonë ndoshta nëpër ndeja e takime të shumta që i organizojnë, jo rrallë edhe nëpër restorante luksoze, duke i quajtur “takime pune”.
Këta zyrtarë duhet vënë gishtin kokës, jo të merren me numra te të zhdukurve me dhunë, jo të sërtllisen nëpër tubime e manifestime që të na tregojnë ne, sepse ne e dimë fare mirë, dhe jemi të sigurt, ashtu siç janë edhe vet zyrtarët e këtij komisioni se; organet shtetërore të Serbisë e dinë fort mirë së ku gjenden të zhdukurit shqiptarë nëpër Serbi, ashtu sikurse deri më tani që u gjenden e u identifikuan me mijëra, por, zëri duhet të ngritët në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, gjë që koha po kalon e kjo çështje ende po mbetet plagë e hapur për familjarët, për shtetin e për popullin në përgjithësi…
Së treti, zyrtarët institucional, duke filluar nga krerët e shtetit e deri tek deputetët (pozitë e opozitë), nuk i dëgjohen duke ngritur zërin për krime lufte, vetëm atëherë kur kjo u duhet për vota, duke u arsyetuar së janë duke punuar në këtë drejtim.
Ishte një Institut, e zhbënë atë!
Thanë se do ta themelojnë një tjetër me ligj, por ku dhe kur?!
A nuk mjaftuaka për Institucionet shtetërore të ngritin padi për gjenocid e krime lufte në bazë të atyre trupave që u gjenden nëpër varreza masive në Serbi?
Athua nuk u ditka se kush i vrau, i zhvarrosi e i zhduku?!
A nuk qenkan këto fakte të mjaftueshme për padi kundër shtetit që po negociojnë?
Apo ndoshta deri më tani kanë qenë të zënë duke hulumtuar, grumbulluar e deponuar kinse “fakte” e “prova” për shqiptar, gjëja se këta paskan bërë krime.
Shembulli më i pa vlerë dhe qesharak që ndonjëherë del nga një Ministri e Punëve të Jashtme! (fakti për këtë është intervista televizive e ministres Gërvalla)
Faktet, dëshmitë e dëshmitarët e mbijetuar janë në anën tonë.
Ato me kalimin e kohës po harrohen!
Dëshmitarët e mbijetuar dita ditës po vdesin! kurse institucionet tona shtetërore kanë rënë në gjumë të thellë për këtë çështje kaq të ndjeshme. Ato zgjohen vetëm atëherë kur i lavdërojnë kinse të arriturat e tyre, ose me shprehjen që na lodhen kokën; “…asgjë nuk është bërë për 20 vite! Për 20 vite e keni shkatërruar Kosovën!” e tjera të ngjashme.
Jo ta harrojmë të kaluarën, por të mos merremi me të, sepse nuk mund ecim para!
Dibran Fylli, aktor/regjisor

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …