Dibran Fylli

Dibran Fylli: Hotel Drenica në Durrës strehë dhe derë e hapur për luftetaret e UÇK-së

Kujtesë.
Ishte verë e vitit 1998 kur në Kosovë lufta po zhvillohej në te gjitha zonat. Atje po luftohej për lirinë e popullit shqiptar të shumëvuajtur e të robëruar. Forcat e shfrenuara serbe donin që ta shfarosin popullin e ta djegin tokën e Kosovës, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forca e vetme që i doli përballë ushtrisë e policisë serbe, duke e mbrojtur popullin e saj dhe tokën stërgjyshore. Ishte UÇK-ja që po rezistonte kundër çetnikëve e po bënte luftë të drejtë, luftë popullore, luftë çlirimtare, duke mos i lëshuar istikamet nga territori i tyre e duke mos pretenduar asnjëherë dhe në asnjë mënyrë për territore të huaja…
…një grup çlirimtarësh dhe disa të plagosur, me gjithë vështirësitë e rrugëtimit, po udhëtonim, së pari në Veri të Shqipërisë e më pas për Tiranë. Të plagosurit për shërimin e plagëve, çlirimtarët tjerë për t’u pajisur me armatim.
…pas dy tri ditë udhëtimi arritëm në Cahan, të nesërmen në Krumë dhe më pas rrugëtimin vazhduam për në Tiranë…
…pas dy tri ditë qëndrimi në Tiranë, gjersa po i prisnim analizat mjekësore, së bashku me Ramadanin Selimin, Zejnullah Prokshin e Zenë Hajren shkuam që ta vizitonim Durrësin. Me të arritur në Durrës, vendosem të shëtisim nëpër rrugën e plazhit. Duke ecur rrugës së plazhit rastësisht hasem në një godinë që mbante mbishkrimin Hotel Drenica. Për tu njohur me pronarin dhe për të mësuar për këtë emërtim, ndaluam të pimë kafe. Aty u njoftuam me pronarin Gani Kapiti, i cili na mirëpriti dhe na i hapi dyert e hotelit, duke u shprehur: “Sot e përherë kjo do të jetë shtëpia e juaj, shtëpia e UÇK-së…” dhe në, unë e Zejnullah Prokshi qëndruam aty për disa ditë, derisa u kthyem në frontet e luftës në Kosovë.
Që nga atëherë e deri në përfundimin e luftës Hotel Drenica në Durrës u bë strehë dhe derë e hapur për luftëtarët e UÇK-së. Aty kaluan me mijëra ushtarë që vinin nga mërgata për t’iu bashkuar UÇK-së. Hotel Drenica u bë Qendra kryesore e mobilizimit të UÇK-së, të cilën, edhe po deshëm ta harrojmë ne, nuk mund të fshihet nga faqet e historisë. Nuk duhet dhe nuk mund të harrohet ndihma, përkrahja dhe kontributi i Ganiu dhe familjes Kapiti…
Dibran Fylli, pjesëtar i Brigadës 113, ZOD

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …