Dibran Fylli: Kronologji e shkurtër e Njësitit për Intervenim të Shpejtë të Brigadës 114, të ZOD

Dibran Fylli: Kronologji e shkurtër e Njësitit për Intervenim të Shpejtë të Brigadës 114, të ZOD

Duke e parë së forcat ushtarake e policore serbe të ndihmuara edhe nga paramilitarë serb, po e dëbonin me dhunë popullatën nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar që të largohen nga vatrat e tyre stërgjyshore, po djegin e plaçkitnin çdo gjë shqiptare, po vrasin e po masakrojnë civil të pafajshëm, duke bërë edhe krime të qëllimshme ndaj tyre, Komanda e Brigadës 114 të ZO të Drenicës, me Komandant, Ilaz Kodrën e Zëvendëskomandant Zejnullah Prokshi, zgjodhën pjesëtarë të devotshëm e të pathyeshëm nga e gjithë Brigada dhe, në vjeshtën e vitit 1998  themeluan Njësitin për intervenim të shpejt, i cili vepronte në nivel të Komandës së kësaj Brigade. Njësia për intervenimin e shpejt kishte për qëllim që me sulme të befasishme t’i ndalonte veprimet shfarosëse të forcave armike mbi popullatën civile, veprimet e të cilëve, sipas Konventës ndërkombëtare binin ndesh me të gjitha ligjet e luftës. Komandant i kësaj Njësie elite u emëruar Fadil Shishani, ndërsa Zavëndës Zahir Bardhi, Njësi e cila pranonte dhe zbatonte urdhra nga Komandanti dhe Zëvendëskomandanti i Brigadës 114.

Njësia për intervenim të shpejtë, përveç shumë sulmeve të befasishme, parandalimit të forcave shfarosëse të armikut bëri edhe rezistencë ndaj ofensivave që ndërmerrte armiku kundër vendpozicioneve të UÇK-së dhe vendstrehimeve nëpër male të popullatës civile.

Numri i aksioneve të kësaj Njësie Elite është i madh, por kësaj radhe po i përmendim vetëm disa nga to, dhe atë në mënyrë kronologjike, shkurt dhe pa hollësira të detajuara, derisa të gjitha të bëmat e kësaj Njësie, përfshi këtu edhe datat, orën, vendin e tjera janë duke u përgatitur në një libër, i cili së shpejti do të jetë në duart e lexuesve.

-Akcioni i parë i befasishëm i kësaj Njësie Elite, kundër vendpozicionit të forcave serbe të stacionuara si pararoje e Bazës së tyre në Feronikel, është ndërmarr të Bazenat në afërsi të Feronikelit në Drenas. Aty forcat serbe, të hutuara e të frikësuara kishin filluar tërheqjen, derisa iu kishin ardhur në ndihmë forca tjera nga baza e tyre, me mjete luftarake, duke granatuar e djegur çdo gjë që zinin para, kurse Njësia për intervenim të shpejt ishte tërhequr pa u vërejtur dhe pa dëmtime…

-Meqë forcat serbe, të stacionuara në afërsi të fshatit Godanc, po përgatiteshin me hy në fshat për të djegur, plaçkitur e vra civil, ata u ndaluan dhe u shpartalluan nga Njësiti për intervenim të shpejt, duke rezistuar për disa orë, derisa njoftohen se popullata civile është shpërngulur në vend më të sigurt, si dhe duke vëzhguar se forcave serbe po u vinin në përforcime me tanke e mjete tjera luftarake nga drejtimi i Likashanit, atëherë Njësiti bëri tërheqje taktike, duke e ndërruar vendpozicionin. Edhe kësaj radhe njësiti nuk pati humbje…

-Duke e vërejtur se pjesëtarët e forcave armike po plaçkitin nëpër shtëpitë shqiptare dhe ato po i bartnin me automjete për në bazën e tyre, pjesëtarët e Njësitit për intervenim të shpejtë marrin urdhër që ta minojnë rrugën që shpie nga Gllanasella për në Gradicë, minat i vendosin të vendi i quajtur “Ura e Cubave”, me ç’rast bie një traktor i forcave serbe, ku shkatërrohet i tëri dhe për një kohë kjo rrugë u ndërpritet forcave armike.

-Pas ofensivës, forcat armike të vendosura në fshatin Gradicë, planifikonin të hynin në Lagjen Bardiqi për të plaçkitur e djegur, Njësia për intervenim të shpejtë i ndaloj grupin e vrastarëve, duke i zmbrapsur kokulur. Sulmi ishte i befasishëm dhe i suksesshëm.

-Forcat ushtarake e policore të armikut, filluan marshimin që të hynin në Lagjen Fazliu të fshatit Gradicë, për të plaçkitur, djegur e vra, Njësia për intervenim të shpejtë, në afërsi të lagjes zunë pusi, duke i sulmuar në befasi dhe zmbrapsur forcat e shumta serbe në drejtimin kah edhe ishin ardhur. Atë ditë koha mbante me shi, shikueshmëria ishte jo edhe aq e mirë, por gjithsesi këto vendpozicione i kishte vizituar Komandanti i Brigadës Ilaz Kodra. Ai pasi i kishte uruar për fitore u kishte thënë; “…nëse forcave serbe u vijnë në përforcime me mjete të rënda luftarake, ju duhet të bëni tërheqje taktike deri të vendpozicioni tjetër”, vendpozicion të cilin e dinin vetëm pjesëtarët e Njësitit dhe Komandanti e Zëvendëskomandanti i Brigadës 114.

-Kjo Njësi Elite, përveç aksioneve në zonën ku e kontrollonte Brigada 114, shpeshherë u shkonte në përforcime Njësiteve të UÇK-së edhe në zonat tjera si në ZO të Shalës, në vendpozicionet mbi fshatin Ashlan e vende tjera. Pastaj bënte furnizime me gjera ushqimore për nevojat e UÇK-së dhe të popullatës civile të strehuara nëpër malet e Qyqacivës…

-Në Betejën e 30 prillit të vitit 1999, heroikisht bie Komandanti i Brigadës 114 Ilaz Kodra, ku atë kohë vendpozicioni i Njësitit për intervenim të shpejtë ishte në malet e Qyqavicës dhe lajmin për rënien e Komandantit, përmes valëve të radiolidhjes, me shifra të koduara e marrin nga Zëvendëskomandanti Zejnullah Prokshi, ata më 6 maj kërkojnë urdhër që në shenj hakmarrje të sulmohen forcat ushtarake. Zëvendëskomandanti, që me këtë rast kishte komandën e Brigadës, lejoj që të ndërmerret një aksion i befasishëm ndaj forcave ushtarake serbe, të cilat ishin të vendosura në fshatin Krasmirofc.

Në këtë aksion marrin pjesë:

1.Isuf Hoti

2.Burhan Morina

3.Arsim Morina

4.Adem Beqiri

5.Fahredin Behrami

6.Bekim Bardhi

7.Mentor Beqiri

8.Arton Bardhi

9.Avni Hoxha

10.Zahir Bardhi

11.Ardian Hoti

12.Xhelil Lladrovci

Si dhe pjesëtarëve të Njësitit iu bashkëngjitën edhe këta ushtarë;

13.Muharrem Bardhi

14.Xhemajl Muja dhe

14.Ramadan Uka (Cubi).

Sulmi i befasishëm ndodhi gjate kohës kur pjesëtarët e forcave ushtarake serbe, po luanin me top dhe po festonin për shumë vrasje e masakra që kishin bërë gjatë ditëve të ofensivave shfarosëse në këto fshatra. Gjatë këtij aksioni, sipas njoftimeve që ata vet kishin bërë në mediat e tyre dhe të huaja, kishin humbur jetën 10 ushtarë dhe plagosur disa të tjerë. Njësiti për intervenimin e shpejtë, pavarësisht rrethanave shumë të vështira, rezistoi për disa orë, duke i ndaluar forcat tjera serbe që t’u vijnë në ndihmë edhe atyre pak vetave që i kishin shpëtuar shënjestrës së çlirimtarëve…

Një ditë më vonë, Njësiti për intervenimin e shpejtë, bëri varrimin e shumë civilëve shqiptarë të ekzekutuar nga forcat ushtarake e policore serbe.

-Disa ditë më vonë, Njësiti për intervenimin e shpejtë i Brigadës 114, duke vëzhguar mirë terrenin dhe duke kuptuar se forcat serbe po plaçkitin e po djegin fshatra të kësaj ane, ata me urdhër të Komandantit të Brigadës Zejnullah Prokshi, bëjnë minimin e rrugës që shpie nga Qirezi për në Palac. Minat i vendosin në vendin e quajtur Kodra e Dëshmorëve (ish-Kralica), me ç’rast bien në to dy kamion të forcave serbe me ushtarë që po bartnin plaçkat e tyre. Kamionët e tyre shkatërrohen tërësisht, derisa forcat tjera vijnë për t’i tërhequr pjesët e tyre të mbetura në vendin e huaj, e që ata të mjerë po e konsideronin si të tyre…

Gajtë gjithë këtyre aksioneve të vështira e me plotë sakrifica që u përmenden, e shumë tjera që nuk u përmenden e që do të shkruhen në libër, nga pjesëtarët e Njësitit për intervenim të shpejtë, të formuar nga Komandanti Ilaz Kodra, ka pasur edhe të plagosur, të cilët posa e merrnin vetën, prapë iu bashkëngjitnin Njësitit të tyre për të vazhduar luftën deri në fitore…

Këto të dhëna janë marrë dhe janë shkruar me kujdes e pa ndërhyrje nga pjesëtarët e këtij Njësiti; Isuf Hoti, Komandant togu nga fshati Palac dhe Adem Beqiri, pjesëtarë i Njësitit nga fshati Dashefc.

Krejt në fund:

Athua vallë, Institucionet tona, me drejtë kushtetuese për Dekorimin e njerëzve të sakrificës, nuk po u bie ndërmend, apo mos kanë harruar fare që po flenë mbi vlerat e tyre, për çudi ende të pa dekoruar e të pa përmendur?!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …