DILAVER GOXHAI: KUSH E HARTOI PLANIN LUFTARAK PËR OPERACIONIN “SHIGJETA”

Operacioni i njohur me emrin “Operacioni Shigjeta” është Plani i Parë Luftarak i hartuar në mënyrë profesionale dhe me dokumentacion të plotë, është veprimtaria e parë luftarake e shkallës operative që planifikoi, organizoi dhe drejtoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai plan u hartua në kohën kur u krijuan kushtet e përshtatshme politiko-ushtarake, të cilat u plotësuan në gjysmën e dytë të prillit 1999, kur forcat tona që kishin shpërthyer kyfirin në Koshare nuk kishin mundur të hapnin korridorin për ardhjen e forcave të tjera, armatimeve dhe municionit, të cilat ishin grumbulluar në shtetin amë.


 


Në Shqipëri patën ardhur brenda një jave, nga e gjithë diaspora shqiptare dhe tërë trojet tona rreth 12 mijë vullnetarë, në përgjigje të Thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për mobilizim të përgjithshëm, bërë më 2 prill 1999. Njëkohësisht në ato ditë (duke filluar nga data 14 prill) aviacioni i NATO-s kish filluar të kryente veprime luftarake në interes të forcave të UÇK-së në terrenin e Kosovës, duke bashkëpunuar me SHP të saj. Më herët kish qenë e pamundur për aviacionin pasi nuk reshti për asnjë moment së rëni borë dhe ekzistenca e reve, të cilat mbulonin gjithë hapësirën ajrore të Kosovës. Radhët e formacioneve të UÇK-së, brenda territorit të Kosovës kishin arritur shifrën rreth 20 mijë luftëtarë, e cila i pat intensifikuar së tepërmi luftimet e saj, (ku ishin kryer edhe luftime të nivelit taktiko-operativ). Kjo situatë kish bërë të mundur që të rriteshin nevojat për armatim, në mënyrë të veçantë për municione dhe furnizime të tjera të nevojshme për luftën. Ndërkohë, gjithë diplomacia ndërkombëtare kish filluar të mbështeste luftën tonë të drejtë.


 


Hartimi i Planit Luftarak për Operacionin “Shigjeta” përfundoi në datën 17 prill 1999 dhe u hartua i plotë prej anëtarëve të SHP të UÇK-së: Shpëtim Golemi (Dilaver Goxhai), Ekrem Rexha (Komandant Drini) dhe Agim Çeku. (Ky i fundit deri në atë periudhë nuk ish emruar Shef i Shtabit të Përgjithshëm, pasi disa ditë kish që pat ardhur në Kosovë dhe emërohet Shef Shtabi në 28 prill 1999, duke zëvendësuar Bislim Zyrapin, i cili ngarkohet me detyrën e organizimit dhe drejtimin e Operacionit Shigjeta, duke udhëtuar për në Shqipëri).


 


Puna për përpilimin e Operacionit “Shigjeta” u bë në shtëpinë e Bajram Sylës, në Mëhallën e Katundit të fshatit Jezercë, në malin Jezercë të Ferizajt, jo shumë larg nga maja e Bukogllavës. Në veprimet luftarake të Operacionit Shigjeta u përfshinë edhe veprimet luftarake të zhvilluara në Koshare dhe që më vonë ato forca kaluan në varësi të Zonës së Tretë Operative të Dukagjinit dhe u quajt Brigada 138 e UÇK. Në atë shtëpi ndodhej një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si dhe e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, me në krye Kryetarin e saj, Hashim Thaçi.


 


Plani u përpilua në Plan Tekst, duke u bazuar në Hartën 1: 50 000, kopje e vetme, të cilën e patën dhënë vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë vjeshtës së vitit 1998. Si rrjedhojë Plani nuk u shoqërua me hartë. Ndërsa e radhiti në kompjuterin e dorës, llaptop, Lum Haxhia (Hajdin Abazi – Sh.B). U shtyp në një kopje të vetme, pasi ishte Tepër Sekret. Plani i Operacionit u miratua nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sulejman Selimi dhe u nënshkrua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi. Materiali i përpunuar me dorë (në të papastër) u dogj si dhe u fshi edhe nga kompjuteri.


Fillimisht, me propozim të Bislim Zyrapit pranë Kryetarit të Qeverisë (Hashim Thaçi) dhe Komandantit të Sh.P (Sulejman Selimi), komandant Operacioni emërohet Nexhmedin Kastrati, por me ndërhyrjen këmbëngulëse të Shpëtim Golemit, komandant i atij operacioni u emërua Bislim Zyrapi, i cili u zëvendësua në detyrën e Shefit të Shtabit nga Agim Çeku.


 


Para se Bislim Zyrapi të nisej për në Shqipëri, u urdhëruan Komandantët e Zonave të dërgonin në Shtab ose drejtpërsëdrejti për në Kukës disa kuadro nga më me përvojë, për të drejtuar rendimet luftarake që do të realizonin atë operacion. Kur Bislim Zyrapi dhe grupi i kuadrove që e shoqëronte arriten pranë Komandës së Divizionit të Kuksit, në zyrën e komandantit të atij Divizioni, Gjeneral Kudusi Lama, dhe kontaktuan në telefon me Shpëtim Golemin, ky i fundit bëri faksimin e Planit të Operacionit.


Pas disa ditësh, në përforcim të Bislim Zyrapit, për realizimin me çdo kusht të atij operacioni, u nis edhe Fatmir Limaj, i cili, duke qenë edhe në cilësinë e zëvendës ministrit të Mbrojtjes, mori drejtimin e operacionit, pa e spostuar Bislimin, ndërkohë që Bislim Zyrapi u emrua Ndihmës i Ministrit të Mbrojtjes.


Ideja e Operacionit Shigjeta ishte: thyerja e mbrojtjes së ushtrisë serbe në kufirin me Shqipërinë; depërtimi sa më shpejt i forcave tona në thellësi të territorit të Kosovës në drejtimin më të shkurtër: Qafa e Prushit – Rahovec; vendosja e kontaktit me forcat e Zonës së Dytë Operative të Pashtrikut, në vijën përgjatë rrugës Prizren – Gjakovë, dhe krijimi dhe mbajtja e korridorit të përhershëm me Shqipërinë për sjelljen e furnizimeve me forca e mjete në interes të rendimeve të UÇK-së brenda në Kosovë. Forcat kryesore hynë në luftim në 26 maj 1999, duke filluar sulm të njëkohëshëm në të tre drejtimet e planifikuara. Në atë operacion u angazhuan 8 000 forca.


Goditja kryesore u parashikua dhe u dha në drejtimin: mali Pashtrikut – Krushë dhe ajo ndihmëse në dy drejtime: qafa e Prushit – Rahovec dhe Gorozhup – Krushë.


 


Për hapjen sa më të shpejt që të ishte e mundur të korridorit të furnizimit, me urdhër të Agim Çekut u hartua Plani i dytë operativ, i emërtuar “Shigjeta 2”, i hartuar nga Xhavit Sadria dhe Shpëtim Golemi. Ky plan u miratua nga Shefi i ShP të UÇK-së, Agim Çeku, dhe u ngarkua ta vinte në zbatim Komandanti i Z 2 O Pashtriku, Tahir Sinani, i cili komandën e zonës e kish vendosur në fshatin Nishor. Tahirit iu dërgua ai plan me katër luftëtarë, nën drejtimin e Ejup Kryeziut, të cilët gjatë kthimit për në Shtabin e Përgjithshëm në Divjakë, ranë në pritën e forcave serbe te vendi i quajtur “Vreshtat e Senikut”, ku mbeti i vrarë dëshmori Ejup Kryeziu. Operacioni zgjati dy javë.


 


– Autori Dilaver Goxhai, (i njohur me pseudonimin Shpëtim Golemi), nga marsi i vitit 1999 ishte zëvendës Shef i SHP të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


5. 5. 2012


Tiranë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …