Një diplomat i lartë rus, Yury Pilipson, ka kritikuar bashkëpunimin në mbrojtje mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke pretenduar se ai po krijon një “kuazibllok ushtarak” dhe po rrit tensionet në Ballkan. Pilipson tha se deklarata e përbashkët e nënshkruar në mars 2025 përbën, sipas tij, pjesë të një politike të militarizimit të rajonit. “Krijimi i një kuaziblloku ushtarak të përbërë nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova (…) është një shembull tjetër i zbatimit të politikës së NATO-s për militarizimin e përshpejtuar të gjithçkaje dhe të gjithkujt”, deklaroi ai. Diplomati rus e cilësoi bashkëpunimin mes tri vendeve si faktor destabilizues, duke pretenduar se një “bosht i mbyllur Zagreb – Tiranë – Prishtinë” mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm. Deklarata e vitit 2025 parashikon bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, trajnime dhe ushtrime të përbashkëta, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura. Megjithatë, dokumenti nuk krijon një aleancë formale ushtarake dhe nuk përcakton detyrim për mbrojtje apo ndihmë automatike ushtarake.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
