Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë, kanë hyrë në ditën e nëntë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se kur do të nisë puna në lokacionin e tretë të identifikuar. Dy provat e para të gjetura në këtë zonë – copëza veshjesh dhe mbetje mortore, të konfirmuara si njerëzore – kanë forcuar dyshimet se bëhet fjalë për një varrezë masive, ku besohet se janë varrosur 23 persona të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Lokacioni ishte hetuar për më shumë se një vit nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale. Pas sigurimit të zonës, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të EULEX-it nisën gërmimet, ndërsa mjekët ligjorë konfirmuan se mbetjet e gjetura janë me interes hetimor dhe dyshohet se i përkasin viktimave të luftës. Ndërkohë, gjatë ditës së gjashtë të operacionit, dyshime për një tjetër varrezë masive u ngritën edhe në Jabukë, disa kilometra larg Kalludrës. Në këtë lokacion u gjetën katër mbetje mortore dhe një batanije, të cilat janë dërguar për analiza forenzike, ndërsa gërmimet përfunduan brenda një dite. Hetimet nuk përfundojnë me këto dy lokacione. Një zonë e tretë, mes Kalludrës së Vogël dhe Jabukës, po hetohet nën dyshimet për një tjetër varrezë masive, por Prokuroria Speciale nuk ka njoftuar ende se kur do të fillojnë gërmimet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
