Dr. Sabit Syla: Shkëmbimet arsimore, kulturore e shkencore mes Shqipërisë dhe Kosovës, 1970-1980

Vitet 70’ të shek. XX-të, karakterizohen nga shkëmbimet arsimore, kulturore e shkencore ndërmjet Shtetit shqiptar dhe Kosovës. Përmirësimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën duhet parë i lidhur ngushtë me zhvillimet ndërkombëtare, me luftën e brendshme të klaneve në Jugosllavi dhe përpjekjeve të Titos për të krijuar balanca brenda vendit, me rritjen e ndërgjegjësimit të shqiptarëve në Kosovë dhe me shtimin e kërkesave të tyre për më shumë të drejta kombëtare dhe institucione të lira nga Serbia, si dhe me shtimin e interesit të shtetit shqiptar për të përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë, veçanërisht me popullsinë shqiptare në Jugosllavi. Në fillim të viteve shtatëdhjetë u bë e mundur të vendoseshin kontakte direkte ndërmjet shtetit shqiptar dhe Kosovës. Ky fenomen po ndodhte për herë të parë qe nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Deri në këtë kohë marrëdhëniet ishin zhvilluar brenda kuadrit të Federatës Jugosllave apo Republikës së Serbisë, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova. Pas përmirësimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave u krijuan premisa për të pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta ndërmjet shtetit shqiptar dhe Kosovës. Duke pasur në konsideratë faktin që të dy vendet pavarësisht nga afrimet e çastit kishin diferenca të rëndësishme në sistemet qeverisëse, për shqiptarët e Kosovës marrëdhëniet do të kishin intensitet në fushën kulturore, arsimore, shkencore dhe në sferat e tjera të jetës politike dhe ekonomike.

                 Sinjalin për ndjekjen e një politike afrimi me Jugosllavinë do ta jepte kreu i PPSH-së, Enver Hoxha në vizitat që bëri në pranverë të vitit 1970 në rrethet Kukës e Tropojë. Fjalimi i Hoxhës do të pasohej nga një periudhë përmirësimi në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Pas atyre fjalimeve do të shtoheshin kontaktet me Kosovën dhe në përgjithësi do të përmirësoheshin marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Me gjithë uljen e ritmit të propagandës e kundër propagandës, ajo nuk u ndal nga udhëheqjet e të dy vendeve. Ndër përfituesit më të mëdhenj të kësaj “paqeje” të përkohshme ishin shqiptarët e Kosovës. Përfitime dhe zhvillime të veçanta u shënuan në fushën e kulturës e arsimit dhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

 

 

Përveç gatishmërisë së Tiranës për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë edhe kryetari i Jugosllavisë Tito në Ulqin, kishte shprehur një interesim të tillë me gjithë kundërthëniet që ekzistonin në mes dy vendeve. Si rezultat i këtij afrimi, më 5 shkurt 1971, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Jugosllavisë ranë dakord të ngrenë nivelin e përfaqësimit të tyre diplomatik në rang ambasade dhe të shkëmbejnë ambasadorët e tyre1. Përmirësimi i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave ishte rrjedhojë e disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Secila palë donte të përfitonte nga kjo situatë. Për shtetin shqiptar ato shiheshin si një mundësi më e mirë për të ndikuar dhe ndihmuar shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera dhe për të siguruar “krahët” nga ndonjë rrezik i mundshëm që mund t’i vinte vendit nga Bashkimi Sovjetik.

                    Në fakt, fillet për ndihmë mësimore e kulturore ndaj shqiptarëve të Kosovës i takojnë fund viteve 60-ta. Me iniciativen e Universitetit të Prishtinës, me 1967 një delegacion i fakulteteve të Prishtinës i bëri vizitë Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1968 (9-11 maj), një delegacion i punonjësve shkencor nga Universiteti i Tiranës mori pjesë në Simpoziumin e organizuar në Prishtinë, në shenjë përkujtimi të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në këto kontakte u zhvilluan bisedimet lidhur me mundësitë e bashkëpunimit midis fakulteteve të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, duke u shprehur gatishmëria e të dy palëve për bashkëpunim2, që në vitet 70-ta, u kurorëzua me nënshkrimin e Marrëveshjeve dhe Protokolleve të Bashkëpunimit. Në qershor të vitit 1968, u arrit një marrëveshje legale midis “Arteksportit” dhe ndërmarrjes “Rilindja” të Prishtinës e cila kishte rezultuar me këto dërgesa në Kosovë, gjatë dy viteve në vazhdim: Në vitin 1969, 32266 ekzemplarë librash nga letërsia shqipe dhe letërsia e huaj e përkthyer në gjuhën shqipe e në vitin 1970, 4400 copë libra; 650 tekste mësimore dhe dispensa të ndryshme për vitin 1969, për 42 lëndë, ndërsa në vitin 1970, 2431 copë për 46 lëndë; 20970 mjete mësimore për vitin 1969 dhe 88000 copë për vitin 1970 (në mjete mësimore përfshiheshin harta, globe, atllase, numëratore etj); më 1969 u dërguan rreth 60000 pllaka gramafoni me këngë popullore e për vitin 1970 ishin të parapara për t’u dërguar edhe 95000 copë pllaka gramafoni të tjera3.

Universiteti i Prishtinës bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës e zhvilloi në bazë të Protokollit të nënshkruar që nga viti shkollor 1970-71. Nga viti 1970-1980, për çdo vit shkollor këto dy universitete kanë nënshkruar protokolle për bashkëpunimin mësimor-shkencor, përveç vitit shkollor 1975-19764. Zhvillimi i bashkëpunimit ndëruniversitar kishte rëndësi të madhe politike, në një kohë kur marrëdhëniet midis dy vendeve nuk ishin krejtësisht të normalizuara. Midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë nuk ekzistonte një program i nënshkruar ndërshtetëror mbi bashkëpunimin kulturor-arsimor. Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, do të bëhet kryesisht nëpërmjet kontakteve te drejtpërdrejta të institucioneve dhe organizatave përkatëse, si: bashkëpunimi ndëruniversitar, i shtëpive botuese, bibliotekave, arkivave e muzeve, radio televizioneve në këmbimin e shoqërive kulturo-artistike e sportive, në lëmin e filmit, të pjesëve teatrale, të instituteve e institucioneve tjera. Por kuptohet që ky bashkëpunim, do të zhvillohej në kushtet e koniunkturave ndërkombëtare shumë te ndërlikuara, ku rolin vendimtar, e lozin gjendja në marrëdhëniet nacionale në Jugosllavi, Serbi e Kosovë.

Ndër institucionet shtetërore në Shqipëri, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, do të luante një rol të rëndësishëm në drejtim të Kosovës. Ajo u ngarkua të përgatiste dhe zbatonte disa masa konkrete, të cilat do të kishin për qëllim që të ndihmonin popullsinë shqiptare në Jugosllavi, në drejtim të zhvillimit të përgjithshëm arsimor e kulturor e për forcimin e dashurisë për atdheun mëmë, Shqipërinë. Masat e ndërmarra nga kjo ministri, duhej të plotësonin kërkesat e shqiptarëve nga Kosova për tekste dhe mjete mësimore. Po ashtu kjo ministri duhej të përpiqej, për të dërguar ansamblin e këngëve dhe valleve popullore, grupet teatrale e sportive, të pranonin studentë nga Kosova në Universitetin Shtetëror dhe shkollat e larta, të pranojnë pedagogë të ndryshëm si individë ose në grupe për praktikë, specializim, shkëmbim eksperiencë, shkëmbim dokumentesh historike me institucionet e interesuara5, etj.

                Këshilli i Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, me vendimin e datës 24 qershor 1970 vendosi t’u jepte bursë për të vazhduar studimet e larta në Shqipëri për vitin akademik 1970-1971, 75 studentëve nga Kosova. Gjithashtu u vendos që të jepeshin edhe 50 bursa për të vazhduar shkollat e mesme në profilin pedagogjik, industriale dhe mjekësore. Për vitet  1971-1975  të  rinjve dhe të rejave nga Kosova t’u akordoheshin çdo vit 75 deri në 100 bursa për të ndjekur shkollat e larta dhe 50 për të vazhduar shkollat e mesme. Veç kësaj, Universiteti Shtetëror i Tiranës duhej të pranonte çdo vit gjer në 5 kuadro të lartë nga Kosova, të cilët do të përgatitnin mbrojtjen e disertacioneve, për marrjen e gradës “kandidat i shkencave”. Vendimi i lartpërmendur i ngarkonte Universitetit të Tiranës detyrimin, që  gjatë vitit 1971 të pranonte, 20 studiues nga Kosova, për të përfituar eksperiencë apo për t’u specializuar në Shqipëri6.

Më 27 tetor 1970, u nënshkrua në Tiranë, Protokolli midis Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, nga Osman Kraja dhe Dervish Rozhaja. Ai filloi të zbatohej që në dhjetor të atij viti dhe u pasua me ardhjen e grupit të parë të pedagogëve nga Tirana në Kosovë. Protokolli parashikonte ndihma konkretë të USHT për UP në këto drejtime kryesore: Në ngritjen e nivelit të kuadrove të reja të UP duke shkuar nga Kosova për specializim dhe eksperience pranë katedrave dhe sektorëve të ndryshëm të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në dërgimin nga USHT i 50 kuadrove të sajë mësimore shkencore pranë UP për të zhvilluar ligjërata dhe cikle leksionesh me studentë dhe kuadro të UP për rreth 25 lëndë si dhe me dërgimin nga ana e USHT të teksteve mësimore qe ajo vetë do t’i botojë. Në kuadër të këtij procesi, brenda një viti në Kosovë nga Shqipëria shkuan 7 grupe pedagogesh me gjithsej 38 veta për leksione e konferenca pasuniversitare si dhe dërgoi 8 kuadro të larta për cikle të shkurtra ligjëratash dhe për ligjërata të veçanta. USHT për katedrat e UP dërgoi edhe nga 5 ekzemplarë të të gjitha botimeve të veta të fundvitit dhe nga botimet e mëparshme u dërguan rreth 200 tituj me rreth 900 ekzemplarë. Botimet e reja u dërguan nëpërmjet “Arteksportit” dhe “Rilindjes”, në sasitë e parashikuara në kontratat e nënshkruara midis këtyre dy enteve. Në këtë rrugë janë dërguar 80 tituj me rreth 1000 ekzemplarë. Po ashtu brenda kësaj periudhe nga Kosova në Shqipëri kanë shkuar rreth 300 veta të sektorëve të ndryshëm te arsimit dhe te kulturës. Shumica prej tyre kanë qenë mësues dhe nxënës të shkollave 8-vjeçare, gjimnazeve, te instituteve pedagogjike 2 vjeçare dhe pjesa tjetër të sektorëve të kulturës. Po ashtu gjatë periudhës 1-vjeçare pati shumë vajtje e ardhje delegacionesh nga të dyja vendet7.

Për vitin akademik 1971/1972, Protokolli ndëruniversitar u nënshkrua nga Jorgji Sota dhe Dervish Rozhaja më 10 dhjetor 1971 në Prishtinë. Nga USHT kanë mbajtur ligjërata në UP prej vitit 1970-72 në fakultete të ndryshme 64 pedagogë. Në fakultetin filozofik 14, Fakultetin e Shkencave të Natyrës 14, në Fakultetin Teknik 20, në Fakultetin e Mjekësisë 9, në Fakultetin e Drejtësisë 6 dhe Fakultetin Ekonomik 18. Pedagogët më të kualifikuar nga USHT pranë UP-së, do të mbajnë cikle të tëra ligjëratash, si prof. Shaban Demiraj, prof. Eqrem Çabej, prof. Petrit Radovicka, prof. Aleks Buda, prof. Fehmi Shehu, prof. Efigjeni Floqi, prof. Ylli Popa, prof. Ciril Pistoli, prof. Androkli Kostallari, prof. Stefanaq Pollo, prof. Arben Puto, prof. Luan Omari, prof. Kristaq Prifti, prof. Hysni Myzyri etj9.

Marrëdhëniet e bashkëpunimit ndëruniversitar i ndihmuan shumë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera. Ato hapën rrugën që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të vendosen marrëdhënie arsimore e kulturore, shpirtërore etj. Bashkëpunimi, brenda një kohe të shkurtër ndërmjet dy vendeve solli të arritura shkencore. U mbajtën një serë konferencash me studiues nga të dy anët e kufirit kushtuar ngjarjeve të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, si: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, mbajtur në Tiranë nga data 12-18 janar 1968; Simpoziumi kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Prishtinë, 9-12 maj 1968; Sesioni Shkencor mbajtur në Tiranë më 25 maj 1971, me rastin e 125 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Naim Frashri; Konferenca Kombëtare e Folkloristikes Shqiptare mbajtur në Tiranë më 26-27 maj, 1972; Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, mbajtur në Tiranë më 15-20 shtator 1972; Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në Tiranë më 20-25 nëntor 1972, etj. Në këtë të fundit morën pjesë specialistë me kumtesa shkencore nga Kosova e viset tjera të banuara me shqiptarë si dhe nga diaspora. Në Kongres u mor vendimi historik për njësimin e gjuhës së shkruar10, duke fuqizuar kështu vendosmërinë e inteligjencës shqiptare në të dy anët kufirit, se shqiptaret janë një komb me një gjuhë letrare.

Shkëmbimet e ekipeve sportive midis Kosovës dhe Shqipërisë datojnë që nga viti 1971, ndërsa vizitat e shoqërive kulturo-artistike nga Shqipëria datojnë nga viti 197211. Ndërkohë, për vitin akademik 1972/1973, Protokolli u nënshkrua nga Agim Mero dhe Dervish Rozhaja më 12-23 shtator 1973 në Tiranë. Gjatë vitit 1972-73 u nënshkruan kontrata dhe u dërgua në Kosovë literaturë shkollore dhe artistike si dhe u vunë kontakte me institucione të ndryshme duke vizituar Shqipërinë rreth 1200 veta nga Kosova si dhe nga Shqipëria në Kosovë rreth 3-40012. Gjatë vitit 1973 marrëdhëniet patën një intensitet më të ulët. Po ashtu gjatë vitit 1974 pati një rënie u ndërpre dërgimi i librit dhe i mjeteve tjera mësimore e pati kufizime në shkëmbimin e grupeve, megjithatë gjendja në marrëdhëniet midis dy universiteteve ruajti dinamiken e saj. Kështu, Protokolli i vitit 1973/1974, firmosur nga Perikli Prifti dhe Idriz Ajeti më 23 janar 1974 në Prishtinë do të realizohet në mënyrë të kënaqshme. Gjatë vitit 1974, UT dërgoi në Prishtinë një numër kuadrosh pranë UP-së, e për herë të parë u bë udhëheqja e diplomës së studentëve nga Kosova, prej pedagogëve të UT. Po ashtu nga Prishtina shkuan kuadro pranë UT. Si rezultat i bashkëpunimit, u mbajtën ligjërata të veçanta e të shkallës se tretë pasuniversitare, specializime, shkëmbim përvoje, kërkime arkivale e bibliografike, ekspedita të përbashkëta në fushat e gjuhësisë, etnografisë, folklorit, arkeologjisë, arteve mesjetare etj. Po ashtu shkuan në Shqipëri edhe grupe arsimtarësh nga Kosova e Maqedonia e grupe piktoresh. Nga Shqipëria u dërguan ansamble folkloristike e Radio Tirana dërgoi incizime e pllaka, kryesisht të muzikës popullore etj13. Ashtu si më parë, ndihma e UT për UP ishte një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e procesit mësimor, punës kërkimore shkencore dhe kualifikimit të kuadrit si dhe për zhvillimin e shkencës e kulturës në Kosovë. Ndihma konsistonte edhe në luftën kundër përçarjes ideopolitike e për krijimin e një botëkuptimi unik më shkencor dhe më shqiptar për të ndier përgjegjësin e luftës kundër të gjitha ndikimeve joshqiptare14.

Më 30 dhjetor  1974, u parashtrua plani i aktiviteteve të ndryshme për vitin 1975, në drejtim të Kosovës e shqiptarëve të Maqedonisë e të Malit Zi në fushën e arsimit, kulturës dhe të arteve15. Puna në drejtim të Kosovës gjatë vitit 1975 megjithëse qe pozitive, në krahasim me vitet e mëparshme pati një rënie16. Më 1975, sidomos krijimet letrare u njohën pak në Kosovë e Maqedoni, krahasuar me dy tri vitet e mëparshme, ndërsa artet thuajse aspak. Ndërprerja e këtyre marrëdhënieve e këmbimeve te vizitave ndërmjet krijuesve nga të dy palët, mosbotimi në organet letrare të krijimtarisë së studiuesve nga Kosova, që në vitin 1975 u kufizua shumë17. Megjithatë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1975, u zhvilluan disa lloj marrëdhëniesh e që mund të përmblidhen në “bashkëpunimin midis dy universiteteve, në shkëmbimin e ndonjë trupe artistike apo ekipi sportiv dhe në disa shkëmbime të karakterit tregtar të gjërave artistike dhe librave të ndryshme. Vend të rëndësishëm në këto marrëdhënie zunë edhe vizitat e disa grupeve, sidomos arsimtarësh dhe nxënësish, të cilët vizituan Shqipërinë dhe përfituan nga praktika e zhvillimit arsimor të shtetit amë. Kështu realizimi eci me ritmet e duhura, pavarësisht disa ngecjeve në atë drejtim”18.

Udhëheqja shtetërore e Tiranës, do të vazhdoj përpjekjet e saj për të përkrahur shqiptarët në Jugosllavi, në luftën e tyre për të ruajtur dhe forcuar të drejtat që u takojnë e për të zhvilluar më tej traditat kombëtare, arsimin, kulturën e shkencën, në mënyrë që ato të mos mbeteshin e zhvilloheshin të shkëputura nga traditat, arsimi, kultura dhe shkenca e shtetit amë. Kështu, realizimi i objektivave ndaj Kosovës, konsistonte në vazhdimin e marrëdhënieve midis institucioneve të ndryshme, përmes të cilave u vazhdua prania, ndikimi, roli dhe ndihma e shtetit shqiptar për një sërë detyrash me karakter arsimor e kulturor duke kontribuar kështu për afirmimin e mëtejshëm kombëtar të popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Një vend të rëndësishëm në radhën e objektivave zunë marrëdhëniet midis UP dhe UT, të zhvilluara gjithnjë në bazë të protokollit dhe në frymën e bashkëpunimit mësimor e shkencor midis dy universiteteve.

Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 28 shkurt 1976, hartoi Planin në drejtim të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit Zi edhe për vitin 1976. Plan i cili parashihte që të ndiqte zbatimin e protokolleve të përfunduara midis USHT me UP dhe Universitetin e Shkupit, në fushën e arsimit, kulturës dhe arteve, radiotelevizionit e tregtisë19. Me gjithë këtë hap të ndërmarrë, gjatë vitit 1976 (ashtu si më 1975) në organet letrare shqipe të Kosovës dhe Maqedonisë botimi i krijimtarisë së shkrimtarëve nga Shqipëria erdhi duke u pakësuar, sa periudhën e fundit thuajse ato nuk botuan asgjë nga letërsia e shtetit amë. Megjithatë, edhe pse gjatë vitit 1976, Sektori i Jashtëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, bëri një punë shumë të kufizuar, për të njohur e përhapur letërsinë, artet, mendimin teorik e estetik si dhe arritjet tjera në Kosovë e Maqedoni, nga ana e Lidhjes u dërgua gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, shoqatave letrare e artistike të Kosovës e Maqedonisë. Në fushat e tjera të parashikuara për vitin 1976, Sektori i Jashtëm nuk mundi të kryejë asnjë aktivitet. Ai nuk u njoh fare me krijimtarinë letrare e artistike të studiuesve nga Kosova e Maqedonia. Po ashtu “Drita” dhe “Nëntori”, nuk botuan asnjë lloj krijimtarie të këtyre dy trevave e nuk u realizua asnjë këmbim vizitash ndërmjet grupeve nga të dy palët sikundër ishte planifikuar20.

Me 27 dhjetor 1976, ne Tirane, u miratua Plani i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në drejtim të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit Zi edhe për vitin 1977. Plan i cili kishte si synim, të rriste e konsolidonte më lartë ndërgjegjen kombëtare shqiptare të shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit Zi, duke ndihmuar aktivisht organet dhe institucionet e arsimit, kulturës dhe të arteve të këtyre trevave. Për këtë qëllim u morën një sërë masash, ashtu si më parë në fushën e arsimit, kulturës dhe të arteve si dhe u dërguan në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, grupe të ndryshme arsimtarësh e delegacionesh të ndryshme21

Gjatë vitit 1977 u ndihmua UP për të mbuluar 17 lëndë me kurse të plota leksionesh dhe provimet përkatëse, për të mbajtur 7 tema me studentët pasuniversitar dhe një ligjëratë të veçantë, duke dërguar 32 kuadro mësimore. Ndërsa pranë UT kanë shkuar 41 kuadro të UP për përvojë, specializim, kërkime shkencore dhe për ligjërata të veçanta dhe skuadrat e basketbollit (24 veta) dhe tre grupe studentësh si vizitore-turiste. Megjithatë llogaritur përafërsisht, me përqindje protokolli midis dy universiteteve për vitin shkollor 1976-1977 është realizuar 65%, kur është fjala për dërgesat nga Tirana22.   

Më rendësi të veçantë ka qenë gjatë kësaj periudhe që edhe realizimi me sukses i objektivave tjera. Kështu më 1977 u priten grupe studentësh, ekipet e basketbollit të UP, punonjës të “Kosovafilmit” dhe të TV Prishtinës etj. Shtëpia botuese “Naim Frashri” botoi dy vëllime me poezi për fëmijë dhe 2 vëllime me poezi për të rritur, të autorëve nga Kosova. Gazeta “Drita”, botoi 6 poezi të 3 autorëve. Revista “Nëntori”, botoi 9 poezi. Një punë e mirë është bërë edhe në dërgimin e literaturës në Kosovë. Në adresë të 12 bibliotekave të Kosovës ajo e Tiranës dërgoi 122 tituj botimesh  me 184 ekzemplarë të organeve periodike dhe 1041 libra nga titujt e botuar gjatë këtij viti (1977). Ndërsa ndërmarrja e librit realizoi një kontratë me të madhe se në vitet e mëparshme me ndërmarrjen “Rilindja”. Si nëntëmujor janë realizuar 47 677 nga 50 000 që ishte kontrata. Gjatë kësaj periudhe përmes këtyre shkëmbimeve janë dërguar në Kosovë 22 892 copë libra politiko-shoqërore (kryesisht vepra të Marksit, Engelsit e Leninit), 20 022 copë libra tekniko shkencore dhe 47 920 libra të letërsisë artistike. Gjithsej 90 884 copë23. Përveç Kosovës, përmes Ndërmarrjes u dërguan një sasi librash edhe në viset e tjera shqiptare si dhe në vende të ndryshme të botës, ku kishte emigracion shqiptar nga Kosova si në Belgjikë, Australi, Zvicër, Gjermani, SHBA, Kanada24, etj. Edhe përfaqësite diplomatike të shtetit shqiptar shpërndanë materiale lidhur me Kosovën sikurse kanë qenë libri “Shote dhe Azem Galica” e “Isa Boletini”. Po ashtu Komiteti për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme dhe Dega e Shtypit e Ministrisë ju dërgonte revistën e gazetën “Shqipëria e Re” e materiale tjera25.

Pra, si qëllim parimor i udhëheqjes politike të Shqipërisë shikohej shfrytëzimi i mundësive ekzistuese, duke u bërë të qartë shqiptarëve në Jugosllavi që lufta e tyre tani të konsistojë në shfrytëzimin e situatës për të fituar sa më shumë të drejta në arsim, art, kulturë, folklor, zhvillim ekonomik, ndalimit të emigrimit e asimilimit, rritjes së ndjenjave kombëtare patriotike në drejtim të strukturës nacionale, në zhdukjen e zakoneve prapanike etj. Në këtë drejtim do të paraqisnin interes edhe transmetimet e Radiotelevizionit shqiptar e Radio Kukësit, përmes së cilës trajtoheshin probleme për luftën kundër degjenerimit jugosllav të rinisë, kundër hakmarrjes e në drejtim të përmbajtjes se propagandës të destinuar për Kosovën si dhe në ndihmën që Radiotelevizioni i Tiranës i dha Radiotelevizionit të Prishtinës. Në nëntor të vitit 1978, u nënshkrua Protokolli mbi Bashkëpunimin midis Radio Televizionit të Prishtinës dhe Radio Televizionit Shqiptar. Sipas kësaj Marrëveshje, u këmbyen filma arsimor e shkencor të popullarizuar, filma dokumentare-fejtonistik, emisione muzikore, pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme, në fushën teknike e këmbime tjera reciproke26.

Ministria e Arsimit dhe Kulturës, në drejtim të Kosovës, Maqedonisë e Malit Zi, hartoi planin më 7 janar edhe për vitin 1978. Plani u hartua për ndërmarrjen e disa masave e zgjerimin dhe intensifikimin e rritjes së mëtutjeshme të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, për viset shqiptare që ishin nën Jugosllavi. Lidhur me këtë çështje ashtu si më parë u morën një sërë masash në fushën e arsimit, kulturës dhe të arteve e në fushën e kulturës fizike e sporteve27. Madje, u ndërmorën edhe një sërë aktivitetesh tjera në drejtim të Kosovës gjatë vitit 1978, si në fushën e botimeve (nga viti 1971 e gjerë në shkurt të vitit 1978, Shtëpia Botuese “Naim Frashri”, kishte botuar 6 romane, 4 vëllime me tregime nga autorë të ndryshëm, 11 vëllime me poezi dhe 5 libra për fëmijë), në fushën e Radio-televizionit, në marrëdhëniet e UT me UP, ne fushën e aktiviteteve të Lidhjes së Shkrimtarëve28, etj.

               Universitetit i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës për të zhvilluar e forcuar më tej lidhjet dhe bashkëpunimin midis tyre, u morën vesh që të hartojnë Projekt-Protokoll bashkëpunimi mësimor e shkencor për vitin akademik 1978-197929. Bisedimet e para për nënshkrimin e këtij protokolli të bashkëpunimit midis UT dhe UP, ishin zhvilluar me 2 tetor 1978 dhe Protokolli u nënshkru më 9 tetor 1978 nga Rektori i UP Feriz Krasniqi dhe nga zv. rektori i Tiranës Besim Daja30. Projekti në fjalë, krahasuar me atë të miratuar vitin e kaluar në përgjithësi rezultonte si një përsëritje e tyre. Megjithatë në këtë Projekt UT merrte përsipër të dërgonte në Prishtinë 89 pedagogë, duke bërë kështu një rritje prej 7 pedagogësh, në krahasim me 82 që ishin vitin e kaluar (realizuar 73). Ndërkaq parashikohej të priteshin 92 pedagogë të UP (sipas kërkesave të UP) e që vitin e kaluar në protokoll ishin parashikuar të priten 66 pedagogë të UP dhe u realizuan 59. Rritja e numrit te pedagogëve të UP për t’u pritur në Shqipëri, në krahasim me vitin e kaluar qe më e madhe, 36 veta31. Deri më 30 Qershor 1979, Protokolli i lartpërmendur mësimor e shkencor nuk është realizuar i tëri32. Megjithatë e rëndësishme është se nga viti 1978 synohej, më shumë shkëmbime në fusha të ndryshme të arsimit dhe kulturës të kuptuara dhe të realizuara si aksione politike për të thelluar më tej praninë e shtetit amë në viset shqiptare e për të intensifikuar ndikimin dhe ndihmën për zhvillimin arsimor e shkencor në Kosovë.

Për të kompensuar sado pak procesin e pakësimit të punës mësimore të UT-së, me UP-së, si dhe për të thelluar ndikimin më tej, qenë në proces hapat për të krijuar lidhje midis Akademisë se Shkencave të Tiranës me atë të Kosovës. Kështu, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për të vënë në jetë marrëveshjen e bashkëpunimit kërkimor-shkencor të nënshkruar midis tyre miratuan Protokollin për zbatimin e saj, për vitet 1979 dhe 1980 (Protokoll dyvjeçar), në: shkëmbim përvoje e konsultime, kërkime arkivale bibliografike, ekspedita shkencore, ligjërata e shkëmbime të literaturës shkencore, etj. Ky bashkëpunim ndërakademik u nënshkrua në Prishtinë, më 16 qershor 1979, nga Syrja Pupovci dhe Luan Omari33.

Protokolli i bashkëpunimit mësimor e shkencor midis Universitetit të Tiranës e Universitetit të Prishtinës edhe për vitin mësimor 1980-1981 u nënshkrua nga rektoret e të dy Universiteteve (në Prishtinë), Petrit Radovicka dhe Gazmend Zajmi34. Po ashtu Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës, me qëllim që të vendosnin e forconin më tej midis tyre marrëdhëniet, miratuan Protokollin për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, për vitet 1980-1981, si në: shkëmbim përvoje e konsultime, ligjërata, shkëmbime materialesh muzikore, botime e shkëmbime vizitash35. U arrit marrëveshja e bashkëpunimit kërkimor-shkencor edhe në mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar dhe Drejtorisë së Arkivit të Kosovës, për vitet 1980-1981, që më datë 21 mars 1980 e kishte miratuar Këshilli i Ministrave në Tiranë, projektmarrëveshjen dhe projektprotokollin e bashkëpunimit36.

Gjatë vitit 1980, u vazhdua mbi bazën e përvojës dhe rezultateve pozitive të viteve të mëparshme që jo vetëm të ruhet, por edhe të thellohet prania e shtetit amë në Kosovë e viset tjera shqiptare. Janë vazhduar ne përgjithësi aktivitetet arsimore-kulturore e janë zgjeruar relativisht shkëmbimet tregtare, si rezultat i të cilave qenë këta tregues kryesore: U vazhdua zbatimi i protokolleve midis UT dhe atij të Prishtinë, Akademisë së Shkencave, Radiotelevizionit, Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artisteve e Shoqatave të Kompozitorëve, të artistëve figurativ e të artit aplikative, Ndërmarrjes së Librit e “Rilindjes” së Kosovës etj. Po ashtu, gjatë vitit 1980 u priten në Shqipëri 166 grupe nga Kosova, Maqedoni e Mali i Zi, me gjithsej 1502 persona. Shifra këto pak a shumë të të njëjtit nivel të një viti më parë. Në këto grupe përfshiheshin si grupet artistike ashtu edhe të gjitha grupet tjera të ardhura në kuadër teë bashkëpunimit midis institucioneve. Veç këtyre janë miratuar gjatë vitit 1200 viza individuale e shkuan në Shqipëri 903 veta. Ndërkaq nga ana e institucioneve të Shqipërisë u dërguan në Kosovë e vise tjera 97 grupe me 812 persona, duke shënuar një rritje prej rreth 30 grupesh, si rezultat i zbatimit të një numri marrëveshjesh të reja që janë nënshkruar. Janë akorduar edhe rreth 480-500 viza individuale për te vajtur (ardhur) nga Shqipëria në Kosovë e vise tjera. Nga grupet e pritura nga Shqipëria 135 kanë qenë nga Kosova, 14 nga Maqedonia dhe 17 nga Mali i Zi, ndërsa nga grupet e dërguara nga Shqipëria 92 shkuan në Kosovë, 4 në Maqedoni e 1 në Mal të Zi. Në marrëdhëniet midis Bibliotekave nga ajo e Tiranës i janë dërguar Bibliotekës së Prishtinës 1669 copë libra nga 2217 që qenë dërguar gjithsej në Kosovë. Ndërsa nga Biblioteka e Prishtinës janë dërguar rreth 220 copë libra. Biblioteka e Tiranës dërgoi edhe në Mal të Zi 210 copë libra e për gjimnazet e Dibrës, Gostivarit e Kumanovës 283 copë37.

Puna e institucioneve shqiptare në drejtim të Maqedonisë e Malit Zi, shikohej si një ndihme për thellimin e proceseve të afirmimit të shqiptarëve në tërë Jugosllavinë. Një nga hallkat më të rëndësishme në procesin e thellimit të emancipimit të shqiptarëve në Jugosllavi konsiderohej uniteti i tyre i brendshëm në Kosovë dhe i gjithë shqiptarëve në vise dhe i viseve me Kosovën. Tashmë, është e ditur se importimi i teksteve mësimore sipas planprogrameve të gjuhës e të letërsisë shqipe, të historisë, të literaturës shkencore, artistike etj., nga Universiteti i Tiranës në Universitetin e Prishtinës i dha një dimension e impuls të ri arsimit shqip në Kosovë. Në kuadrin e përgjithshëm bashkëpunimi shumëvjeçar ndëruniversitar ka mundësuar që në degët e ndryshme të fakulteteve të UP (Fakultetin e Mjekësisë, Teknik, Xehetar-Metalurgjik, Matematiko-Natyror dhe Akademinë e Arteve) të zhvillohen 23 lëndë mësimore në gjuhën shqipe për të cilat nuk ishte e mundur të sigurohej kuadri adekuat në gjuhen shqipe e që deri atëherë e zhvillonin profesorët serb në gjuhen serbe. Pedagogët e UT, gjatë një viti shkollor mbajtën 2123 ore ligjërata dhe 292 orë ushtrime si dhe provimet nga lëndët që i zhvillonin e ciklët e ligjëratave të shkallës së III në Fakultetin Filozofik38.

Në bazë të dhënave që disponojmë, lidhur me angazhimin e kuadrit nga UT për mbajtjen e ligjëratave-studenteve të degëve të ndryshme të fakulteteve të Universitetit të Kosovës, bashkëpunimi është zhvilluar sa vijon: Në vitin shkollor 1970/71, ligjërata të rregullta kanë mbajtur 29 arsimtarë; në vitin shkollor 1971/72, 30 arsimtarë; ne vitin shkollor 1972/73, 32 arsimtare; në vitin shkollor 1973/74, 28 arsimtarë; në vitin shkollor 1974/75, 26 arsimtarë; në vitin shkollor 1975/76, 24 arsimtarë e ne vitin e fundit shkollor 1980/81, 16 arsimtarë. Në bazë të këtyre të dhënave mund të shihet se deri në vitin 1972/73, procesi mësimor në Universitetin e Kosovës mbulohej me arsimtarët e UT me 3%, ndërsa në vitin e fundit 1980/81 kjo përqindje u zvogëlua në 1,6%39.

 

Literatura:

1 Agjencioni Shtetëror i Arkivave të Kosovës (më tej: ASHAK), Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme, viti 1979-1988, Numri i Lëndës 36, kutia 3, f. 1. Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë dhe pozita e KSA të Kosovës e detyrat e saj.  

2 ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me boten e jashtme, viti 1972-1984, Nr. i Lëndës 1-97, kutia 4, f. 22; 24. Bashkëpunimi arsimor, shkencor dhe kulturor i KSA të Kosovës me RPS të Shqipërisë.

3 Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1970, dos. 583, f. 45. Informacione nga MPJ.

4 ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me boten e jashtme, viti 1972-1984, Nr. i Lëndës 1-97, kutia 4, f. 4-5. Bashkëpunimi në Lëmin e Shkencës dhe të Arsimit. 

5 AMPJ, viti 1970, dos. 584, f. 39. Të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

6 AMPJ, viti 1970, dos. B/VII-2 (nr. rendor 578), f. 21-22. Vendim i Këshillit të Ministrave, 26 qershor 1970.

7 AMPJ, viti 1971, dos. 639, f. 13-19;30. Informacion mbi marrëdhëniet me Kosovën, 18 qershor 1971.

8 ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme, viti 1962/1984, Nr. i Lëndës 1-55, kutia 1, f. 21-22. Informata mbi Bashkëpunimin Kulturo-Arsimor me RP të Shqipërisë, dhjetor 1973.

9 Ana Lalaj, Kosova rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981,Tiranë: “Mësonjëtorja e parë”, 2000, f. 272-273.

10 Xhelal Gjeçovi e të tjerë, Historia e Popullit Shqiptar IV, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj 1949-1990, Tiranë: “Toena”, 2008,  f. 291.

11 ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme, viti 1972-1984, Nr. i Lëndës 1-97, kutia 4, f. 36-37. Bashkëpunimi në sferat e artit muzikor dhe në lëmin e kulturës fizike.

12 AMPJ, viti 1974, dos. 468. f. 43-46. Vlerësim i realizimit te objektivave ndaj Kosovës nga Drejtoria e IV-te, 21 tetor 1974.

13 AMPJ, viti 1974, dos. 468/1, f. 46-50. Informacion nga Drejtoria e IV-të, Mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën gjatë 9 muajve të vitit 1974, 15 tetor 1974.

14 AMPJ, viti 1973, dos. 727, f. 50-51. Informacion i Drejtorisë se V-te, 5 korrik 1973.

15 AMPJ, viti 1974, dos. 469, f. 19-23. Plani i aktiviteteve në drejtim të Kosovës e shqiptarëve të Maqedonisë e të Malit Zi, 30 dhjetor  1974.

16 AMPJ, viti 1976, dos. 776, f. 13-18. Përgjigje e Ministrisë se Arsimit dhe Kulturës, Ministrisë së Punëve të Jashtme-Degës së IV-të, 28 shkurt 1976.

17 AMPJ, viti 1976, dos. 775, f. 80-81. Relacion i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë, 3 janar 1977.

18 AMPJ, viti 1975, dos. 651/1, f. 40-43. Informacion i Drejtorisë së V-të.

19 AMPJ, viti 1976, dos. 776, f. 19-29. Plani i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në drejtim të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit Zi, 28 shkurt 1976.

20 Gjatë këtij viti, vetëm në dhjetor të vitit 1976 erdhën nga Shqipëria në Kosovë jashtë planit, dy shkrimtarë të letërsisë për fëmijë të ftuar nga revista “Pionieri” të Prishtinës. Shih: AMPJ, viti 1976, dos. 775, f. 70-72.

21 AMPJ, viti 1977, dos. 1112, f. 1-6. Plani i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në drejtim të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit Zi, 27 dhjetor 1976.

22 AMPJ, viti 1977, dos. 1113, f. 15. Relacion i MPJ-se, Për realizimin e detyrave ndaj Kosovës gjatë vitit 1977.

23 Gjatë vitit 1977 janë bërë edhe dërgesa të tjera si: Teatri Popullor i Tiranes i dërgoi atij të Prishtinës dhe Gjakovës tekste dramash. Ansamblit Shota iu dërguan incizime të ndryshme. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dërgoi dy shkrimtarë në mitingun e poezisë në Gjakovë, etj,. Po ashtu sipas objektivave dhe planit të Bibliotekës qenë përgatitur edhe 2 kontingjente librash shkencore dhe artistike prej 147 titujsh dhe komplete tekstesh shkollore të 8-vjeçares, që me rastin e vizitës në Kosovë, t’ua dhurojë bibliotekave të Kosovës. Po aty, f. 17-18.

24 AMPJ, viti 1977, dos. 1115, f. 35. Informacione nga MPJ dhe përfaqësitë diplomatike.

25 AMPJ, viti 1980, dos. 1161, f. 65-66; 77. Informacione për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe Jugosllavinë.

26 AQSh, Fondi: 14/APSTR, viti 1979, dos. 64, f. 75-77. Relacion, Drejtori i RTV Shqiptar, Çajup Rusmali, Tirane, 5 prill 1979; AMPJ, viti 1978, dos. 1262, f. 1-20. Program i RTV Shqiptar për shkëmbime te ndryshme me RTV e Prishtinës për vitin 1978, Drejtori, Çajup Rusmali, Tirane, 21 janar 1978. Mbi marrëdhëniet me Radiotelevizionin e Prishtinës, Zv. kryetari i Këshillit të Ministrave Manush Myftiu, Tiranë, 22 maj 1978.

27 AMPJ, viti 1978, dos. 1261, f. 1-5. Plani i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në drejtim të Kosovës, Maqedonisë e Malit Zi, 7 janar 1978.

28 AQSh, Fondi: 14/APSTR, viti 1978, dos. 302, f. 3-14. Program masash mbi disa aktivitete në drejtim të Kosovës për vitin 1978 nga institucione të ndryshme.

29 AMPJ, viti 1978, dos. 1262/1, f. 19-21. Projekt Protokolli i Bashkëpunimit mësimor e shkencor midis Universitetit te Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës për vitin shkollor 1978/1979.

30 Po aty, f. 36-41. Mbi vizitën e delegacionit te UT që shkoi në Prishtinë për nënshkrimin e Protokollit mësimor e shkencor për vitin 1978-1979. Kryetari i delegacionit Besim Daja, Tiranë, 16 tetor 1978.

31 Po aty, f. 22. Informacion ditor.

32 AQSh, Fondi: 14/APSTR, viti 1979, dos. 63, f. 306-307. Relacion, Mbi realizimin e Protokollit te bashkëpunimit mësimor e shkencor midis UT nga njëra ane dhe UP e UMKSH nga ana tjetër për vitin shkollor 1978-1979.

33 ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me boten e jashtme, viti 1972-1984, Nr. i Lëndës 1-97, kutia 4, f. 25. Bashkëpunimi ndërakademik; AMPJ, viti 1980, dos. 1194, f. 1-5. Protokoll për zbatimin e marrëveshjes se bashkëpunimit kërkimor-shkencor midis Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për vitet 1979 dhe 1980.

34 AMPJ, viti 1980, dos. 1182, f. 1-5. Protokoll i bashkëpunimit mësimor e shkencor midis Universitetit të Tiranës e Universitetit të Prishtinës për vitin mësimor 1980-1981. Protokolli ishte miratuar nga zv. kryetari i Këshillit të Ministrave në Tiranë, Manush Myftiu, më 27. 05. 1980.

35 AMPJ, viti 1980, dos. 1193, f. 1-7. Protokoll i bashkëpunimit, në mes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Republikës se Shqipërisë e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës,  1980-1981.

36 AMPJ, viti 1980, dos. 1195, f. 1-11. Marrëveshje e bashkëpunimit kërkimor-shkencor në mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar dhe Drejtorisë së Arkivit të Kosovës, 1980-1981.

37 AMPJ, viti 1980, dos. 1161, f. 16-19.

38 ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me boten e jashtme, viti 1972-1984, Nr. i Lëndës 1-97, kutia 4, f. 23. Bashkëpunimi arsimor shkencor dhe kulturor, Prishtinë, shtator 1980.

39 Po aty, f. 6. Ndërkohë, mbështetur në një dokument tjetër të ASHAK-ut, nga USHT kanë mbajtur ligjërata në UP prej vitit 1970-72 në fakultete të ndryshme 64 pedagogë e jo 59, siç na jep shifrën dokumenti i lartcituar. ASHAK, Fondi: Sekretariati Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme, viti 1962/1984, Nr. i Lëndës 1-55, kutia 1, f. 21-22. Informata mbi Bashkëpunimin Kulturo-Arsimor me RP të Shqipërisë, dhjetor 1973.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …