Dr. Shefqet Krasniqi: Pasojat fatale sociale-shpirtërore të sekteve të devijuara


Lajmi për vdekjen tragjike të të miturit 13 vjeç nga Shqipëria na preku të gjithëve. Edhe më prekëse ishin shkaqet që çuan në marrjen e atij vendimi të kobshëm. Kuptohet që mosha e tij e njomë nuk ia lejonte që ai vet të vendoste për fatin e tij të kobshëm. Nuk vonoi shumë dhe u zbuluan shkaqet. Sipas familjes i mituri ishte ndikuar nga grupe të ndryshme fetare që ‘të shpëtojë veten nga ferri’ duke mbytur vetën dhe kështu të arrijë ‘sigurt’ tek porta e parajsës. Mësime sa të palogjikshme, në kundërshtim të plotë me arsyen njerëzore, po aq edhe në kundërshtim absolut me mësimet fetare. Të keqpërdorësh dhuntinë më të madhe që na e dhuroi Zoti, pra jetën, dhe të mbysësh veten për të shpëtuar në botën e përtejme, kjo vërtetë është çmenduri? Dhe, thënë të vërtetën, ajo që është më shumë shqetësuese është  fakti se prania e grupeve apo sekteve të devijuara në mesin tonë vazhdon pa asnjë problem.


Nuk është hera e parë që ndodhin krime të këtilla në rajonin tonë ndërsa kurrë nuk kam dëgjuar që dikush ta ketë ngritur zërin kundër këtyre organizatave të cilat synime e mësime kryesore kanë shpëlarjen e trurit, konvertimin, degjenerimin, e madje edhe vetëvrasjen. Politikanët dhe organet e rendit kanë qenë të zëshëm dhe me dhjetëra herë kanë ngritur zërin kundër organizatave të ndryshme islame, edhe nëse ato ka qenë thjeshtë humanitare, vetëm pse ka bartur emër islam, apo pse kanë ardhur nga vende muslimane, ato janë sulmuar, etiketuar dhe kundërshtuar si njollë e zezë në shoqërinë tonë, por kurrë nuk dëgjuam dikë të flet kundër dhjetëra e qindra organizatave jo-islame. E kësaj nuk i thuhet tjetër veç se dyfytyrësi, mungesë guximi, hipokrizi dhe servilizëm ndaj të huajit, për të mos thënë ‘të fortit’. Njeriu duhet të jetë racional, atë që thotë ta thotë i mbështetur në fakte dhe argumente, pavarësisht se për kë bëhet fjalë.


 


Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e shoqërisë është obligim qytetarë i secilit, në veçanti ndikimet dhe idetë negative e të dëmshme për vendin, e veçanërisht rininë, duhet kundërshtuar ashpër nga të gjithë, pavarësisht se çfarë kahje kanë apo nga ka ardhur, e zeza është e zezë dhe assesi nuk bëhet e bardhë, e keqja është e keqe dhe si të tillë duhet trajtuar gjithherë. E nuk ka dyshim se populli ynë shumë ua ka parë sherrin organizatave të huaja dhe vazhdon tua sheh edhe më tej, e kjo çka ka ndodhur në Durrës është vetëm një fakt i hidhur i këtij realiteti.


 


Konsideroj se tani ka ardhur rasti të shohim fytyrën e vërtetë të politikës e në veçanti mediave karshi dukurive negative dhe se sa janë të interesuara ato për ta mbrojtur vendin nga këto dukuri. E di se disa prej medieve, ditë më parë, u munduan ta trazojnë tërë shqiptarinë për një të ashtuquajtur ‘kamikaz’ diku në Lindje të Mesme, por kur ‘kamikazi’ u vjen në Durrës dhe flijon veten në emër të një besimi tjetër, madje si i mitur, për të fituar ‘parajsën’ atëherë këto media të njëanshme lëre që nuk llomotisin por bëhen sikur asgjë të mos ketë ngjarë. Ku mbeti informimi i paanshëm dhe profesional i qytetarëve. Përse mediat gjithmonë duhet të jenë për dikë ‘njerkë’ në Azi e për dikë ‘nënë’ në mëmëdhe e shtëpi edhe pse dukuria është prapë po aq kobshme sa e para vetëm se nga një bindje tjetër. Madje kjo edhe më e kobshme ngase në ‘shtëpi’ dhe nga të miturit.


 


A thua vallë ç’na duhet zhvillimi e përparimi nëse të rinjtë tanë vetëvriten me shpresë se do të arrijnë në xhenet, e që në fakt me akte të këtilla qyqare ata(o) vetëm sa largohen nga xheneti dhe as aromën e tij nuk do ta shijojnë. Nuk ka fe qiellore që nxit njerëzit të vetëvriten, t’i japin fund jetës së tyre, përpos besimeve të dreqit të mallkuar i cili i inspiron ithtarët e vetë të bëjnë diçka të këtillë.  E si të thërret feja në vetëvrasje kur jeta është dhuratë e Zotit. Ai i dhuroi njeriut jetën që ky ta përdorë atë, ta ruaj dhe të kujdeset për të e jo ta shuaj. Ngase vetëm Ai që jep jetë Atij i takon të marrë atë, askush tjetër. Tek e fundja ‘Kudo që të jeni vdekja do t’ju zë, qofshi edhe në pallate të fortifikuara.’ (Kuran: Nisa, 78) njeriu assesi nuk mund t’i shpëtojë vdekjes edhe po të përpiqet. Ne jemi në hallë si t’i bëjmë njerëzit të jetojnë sa më gjatë e t’i shijojnë drejtë të mirat e kësaj bote, por edhe të bëjnë sabër e durim përball sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen gjatë jetës së tyre, sepse siç kanë thënë të diturit kjo botë është kopsht ‘ku mbillen pemët’ frutat e të cilave do t’i vjelim në botën tjetër. Nëse njerëzit ndalen vetëm pak e mendojnë e kuptojnë se ky është misioni i jetës, vetëm kështu fitohet sevapi dhe shpërblimi. E vdekja vije se vije, nuk ka shpëtim prej saj jo. Andaj të punojmë mirë, të veprojmë mirë, ashtu që edhe vdekja të na vije mirë.


Familjarët e atij vogëlushi të vetëvrarë i bënë apel strukturave të shtetit të veprojnë. “Apeli jonë është që prokuroria t’i zbardhë këtë ngjarje kaq të rëndë. Nuk ka pse të rrinë duarkryq, kemi të gjithë fëmijë. Jemi të trishtuar se çfarë na kanë parë sytë ditën e djeshme. Të gjithë kanë fëmijë dhe duhet që shteti të hetojë për të zbardhur shkaqet. Fëmijët ndikohen nga telenovelat, nga broshurat e sekteve të ndryshme. Ndalojini!’.


 


Edhe unë ju bëjë apel strukturave tona këtu në Kosovë që t’i kenë parasysh organizatat dhe besimet e tilla pasojat e të cilave janë fatale.


Allahu na ruajt nga sherri i sekteve dhe grupeve të ndryshme, lindje qofshin ato apo perëndim, dhe nga çdo sherr dhe e ligë tjetër prej kujt do që na vjen. O Allah ruaj këtë popull në përgjithësi ndërsa rininë tonë në veçanti.


Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Kujtimet e mia për Betejën e Koshares, në përvjetorin e 15-të


 


“Nuk mund ta ndieja veten të qetë në Arabi, derisa luftohej në Kosovë. I flisja vetes: ç’të duhet diploma nëse populli shfaroset?! Ç’të duhet grada nëse populli yt masakrohet?! Ç’rëndësi ka familja, pasuria, karriera kur populli yt nuk eksiton më!”


 


 


Një nga ngjarjet historike që shënon prilli është edhe Beteja e Koshares, thyerja e kufirit nga brigada 138 e UÇK-së, e udhëhequr fillimisht nga heroi i kombit, Agim Ramadani e pastaj  nga komandanti Rrustem Berisha. Ndonëse me organizime më të zbehura se vitet e kaluara, Beteja e Koshares megjithatë u përkujtua, dhe, me të drejtë u tha se ka qenë një nga betejat vendimtare të luftës sonë. Sikur këtë zbehje e shkaktuan lajmet jo të mira që na erdhën për themelimin e tribunalit për ushtrinë e cila ka luftuar në mbrojtje. Nuk munguan as zëra brenda nesh me kritika të paskrupullta për luftën, e të cilët në të vërtetë kanë ekzistuar që moti por që vetëm tani iu është dhënë rasti ta ngrijnë edhe kokën.


Unë nuk e fsheh se parimisht jam që askush të mos shfajësohet përderisa ka bërë shkelje, por që kurrë akuzimi i disa personave të interpretohet si akuzë ndaj UÇK-së. Për Zotin, ka qenë madhështore dhe madhështor vazhdon të jetë edhe kujtimi për të. Për mua personalisht, si pjesë e kësaj lufte të ndershme dhe më konkretisht si pjesëmarrës në betejën e Koshares, ato ditë janë ditët më të mira të jetës sime. Zaten,  jeta nuk ka lezet dhe as kuptim nëse jeton i robëruar. Motivi për lirinë, për këtë ideal të shenjtë, na bëri që të harrojmë pabarazinë ushtarake ndërmjet nesh dhe armikut tonë. Ne e dinim mirë se me çfarë armiku kishim të bëjmë, e dinim përgatitjen e tyre, por idealet që kishim na bënin të harrojmë çdo gjë tjetër. Kështu e ka lufta. Fitorja, në fund, i takon atij që ka mobilizim shpirtëror më të madh. Kujtonim ato vuajtje të shkaktuara për dekada, ata të rënë në emër të lirisë, ata të maltretuar për hiçgjë, vetëm pse ishim shqiptarë…Këto na motivonin, i jepnin shpirtit krah aq sa të fluturojë deri në qiell dhe të merr fuqi nga Zoti për ta luftuar këta tiranë e barbarë. Po e them me modesti se kanë qenë ditët më të lumtura të jetës sime. Kam qenë në Medinën e Ndritur atëkohë në studimet e doktoratës. Kisha gruan dhe fëmijët me vete. Nuk mund ta ndieja veten të qetë. I flisja vetes: ç’të duhet diploma nëse populli shfaroset?! Ç’të duhet grada nëse populli yt masakrohet?! Ç’rëndësi ka familja, pasuria, karriera kur populli yt nuk eksiton më. Ishte dimër. Dola dhe bleva rroba përkatëse. U ktheva u përshëndeta me gruan dhe tre fëmijët, ua kërkova hallallin dhe ua ktheva shpinën duke ia lënë gruas sime amanet fëmijët. U nisa  drejt Stambollit e më pas drejt Tiranës. Nuk ishte fare e lehtë, as për mua e as për gruan time, në veçanti kur ajo ishte në vend të huaj dhe unë ka mundësi që më kurrë të mos i shihja, sepse në luftë shkohet për me vdekur. Mu kujtua Ibrahimi alejhiselam, ai burrë i madh i cili e la gruan dhe djalin e vogël Ismailin në mes të shkretëtirës së Mekës vetëm, pa askënd, dhe ua ktheu shpinën e shkoi në Palestinë, por pasi u fsheh pas një kodre i ngriti duart lartë dhe u lutë duke ia lënë amanet Zotit familjen e tij. Edhe mua mu mbushën sytë me lot, luta Zotin dhe Atij ia lash amanet familjen. Pastaj kujtova shumë luftëtarë tanë të cilët edhe ata kanë lënë gra dhe fëmijë, kanë lënë edhe pasuri dhe jetë luksoze nëpër Evropë dhe ia kanë mësyrë  Kosovës, andaj pse edhe unë mos t’i lë. 


Ardhja në Kosharë, takimi me Sali Çekajn, Rrustem Berishën dhe eprorë e ushtarë të tjerë ishin vetëm momentet e para të përjetimit të kënaqësisë së pjesëmarrjes në atë brigadë shumë të rëndësishme për lirinë tonë. 


Ndoshta është hera e parë që po flasë për Kosharen dhe po i shpalosë disa ndjenja dhe përjetime të mia në atë luftë të bekuar, të cilës i erdhi ndihma nga qielli dhe nga toka dhe bereqeti i saj nuk mungoi. Kurrë nuk kam dashur të flas e as të ekspozohem se kam marr pjesë në luftë, sepse thjeshtë unë nuk kam luftuar për emër, por se e kam pasur obligim nga i madhi Zot, ia kemi pasur borxh vendit tonë, andaj konsideroj se  nuk kemi bërë më shumë se një kryerje të një obligimi apo një detyre fetare, morale dhe kombëtare. Por meqë shumë shokë kanë qenë këmbëngulës që t’i shpalos disa momente të asaj beteje, vendosa t’iu përgjigjem kërkesës së tyre, në veçanti kur akuzat ndaj Islamit në përgjithësi, e ndaj hoxhallarëve në veçanti janë shtuar se gjoja ne nuk kemi kontribuar në luftë dhe as për vatan. Nuk jam unë i vetmi hoxhë që kamë marr pjesë në luftë, falë Zotit kemi pasur shumë hoxhallarë e imamë të cilët  kanë rrokë pushkën në dorë, kemi mbi njëqind hoxhallarë të tillë, ndërsa 37 nga ta janë vrarë dhe kanë rënë duke luftuar përballë armikut. Ata që kanë vdekur, hoxhallarë e të tjerë, i pastë mëshiruar Zoti, ndërsa neve që nuk kemi pasur exhel-caktim Allahu na shpërbleftë për atë mundë të vogël që kemi bërë për këtë vend, vetëm nga Ai kërkojmë shpërblim dhe na mundësoftë që edhe më tej të punojmë për vendin tonë, shoqërinë tonë, fenë tonë dhe çdo të mirë tjetër që i duhet këtij vendi dhe këtij populli. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum!.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Kur populli e thotë fjalën e vet


 


Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të ditëve që lamë pas ,padyshim është edhe fitorja bindëse e AKP-së në Turqi, kryetar i të cilës është Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan. E tërë bota ishte fokusuar në këto zgjedhje. Ishin një lloj “testi” për liderin karizmatik, Erdoganin, të cilin ai dhe partia e tij e kaluan me sukses edhe më të madh sesa që kishin parashikuar. Natyrisht, krahu laik u ndie mjaft i shqetësuar ngase krahut me orientim islam po rritet gjithnjë e më tepër dhe natyrisht laicizmit po i humbet fuqia përherë e më shumë.


Çudia më e madhe e tërë kësaj gare ishte pakënaqësia e disa të ashtuquajturve hoxhallarë me politikat e Erdoganit, ku kohëve të fundit përplasja nga oaza politike u kthye në atë ideologjike në mes të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (e njohur si AK Parti) dhe xhematit, respektivisht ndjekësve fanatikë të ‘liderit shpirtëror’ në fjalë. Kryeministrit Erdogan dhe disa anëtarëve të partisë së tij iu veshën shumë akuza, shkak i të cilave disa ministra u dashtë të jepnin dorëheqje. Qëllimi kryesor, siç duket, ishte që në këto zgjedhje Erdogan dhe partia e tij të pësonin humbje, por ndodhi e kundërta.  Islamikët shënuan rritje të madhe, me mbi pesë milion vota më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara.


Shumë kush u gëzua, por pati edhe të atillë të cilët u pikëlluan thellë. Edhe shqiptarët tanë u ndanë në dysh, disa festuan e disa vajtuan. Këta të fundit , vajtuan dhe vazhdojnë të vajtojnë jo pse u dhimbset laicizmi turk, i cili dita ditës po dobësohet, por se fitimtarë janë islamikët dhe se Turqia, sipas tyre, ka qenë “armik” i popullit tonë, për faktin se ajo na shpëtoi nga asimilimi sllavo ortodoks. Dikujt i “dhimbset” ky popull se ka marrë “fenë e turkut”, dhe se ndoshta ma mirë do të ishte sikur ta merrnin “fenë e shkjaut”. Këta sikur i kanë harruar tendencat e ortodoksëve serbë, malazezë e grekë për asimilim të plotë të këtij populli të vogël, ashtu siç ndodhi me ortodoksët shqiptarë të mbetur brenda territoreve të Serbisë, Malit të zi dhe Greqisë. Pra, kësaj i thonë “për inati të resë më vdektë djali.” Megjithatë, kështu e ka jeta diçka tjetër mendon dhe shpreson por krejt diçka tjetër ndodhë në realitet, sepse në jetë nuk bëhet gjithherë siç donë njerëzit, por si do Zoti. Dhe pikërisht Zoti ka dashur që ne edhe sot e kësaj dite të vazhdojmë të jemi shqiptarë dhe po ashtu edhe muslimanë, e kjo është pasuria më e madhe që e posedojmë, Allahu na e ruajt këtë pasuri dhe këtë begati.


Për sa u përket zgjedhjeve në Turqi, mendoj se mund të nxirren mësime madhore dhe ndër më kryesoret prej tyre është se fuqia që buron nga populli është e pamposhtur. Nëse populli do, ndryshimet ndodhin. Nëse populli vetëdijesohet, shkatarraqët katandisen në humnerë. Për muaj të tërë u munduan ta zbehin imazhin e liderit ndërsa nuk munguan as përpjekjet e dhunshme, por, populli tashmë është kthjellë. Grupe banditësh u panë gjithandej Stambollit tek ulërinin, thyenin, digjnin, shkatërronin e besa edhe vrisnin njerëz. Nuk kursyen as xhamitë. Kujt do t’i shkonte ndërmend se deri në atë masë do të ndodhte vandalizmi i xhamive nga ‘bijtë dhe bijat’ e muslimanëve. Përpjekjet dështuan. E tërë bota fliste se si prapa liderit qëndron populli dhe se besimi që kishte fituar tek ata e bënte të pamposhtur. Mbeti vetëm një zgjidhje. Votimet. U munduan të bëjnë çmos por nuk mund të mashtrohen 77 milionë njerëz. Turqia i dha mbështetje edhe më të madhe Erdoganit. Ky është shpërblimi i sinqeritetit dhe korrektësisë në raport me popullin.


Personalisht, kam bindjen se jo të gjithë ata që ia dhanë votën Erdoganit janë islamik të mirë, respektivisht praktikues të fesë, por me siguri pati edhe të atillë të cilët janë laik, respektivisht edhe të feve a besimeve tjera, por me gjithë atë ia dhanë votën, sepse po e çon vendin përpara, po punon me drejtësi dhe sinqeritet. E njerëzit për nga natyra, e donë drejtësinë dhe punën, pavarësisht se çfarë feje ka punëtori. Andaj unë mendoj se edhe tek ne partia e cila është në pushtet, apo cila do parti tjetër, e cila do ta udhëheq vendin, po të qeveriste drejt, pastër dhe tu jepte njerëzve të drejtat e tyre, respektivisht neve muslimanëve , kohë të gjatë do të qëndronte në pushtet. Nuk ka njeri i cili flet drejtë dhe pranon realitetin e që mundë ta mohoj zhvillimin e hovshëm të Turqisë në të gjitha fushat, ashtu siç nuk mund ta mohoj askush fukarallëkun e madh që po përjeton populli ynë për ditë e më shumë. Ndaj, dallimi është shumë i madh mes atyre që punojnë për shtet dhe e çojnë përpara atë dhe mes atyre që punojnë për xhepa dhe interesa të ngushta partiake. Andaj siç thotë populli “rri shtrembët e fol drejtë”, qeveria turke dhe partia në pushtet, janë njerëzit më të nevojshëm për Turqinë, më të suksesshmit në politik dhe zhvillim, e populli ka sy e sheh.


Ky përparim i madh dhe kjo fitore bindëse e Erdoganit na kujton atë që kemi thënë edhe më herët se muslimanët dinë të udhëheqin e të mbajnë shtet, por duhet dhënë mundësinë.


Allahu e ndihmoftë Erdoganin, të cilin aq shumë e do populli i vet, e duan edhe mbarë muslimanët, e duan edhe të gjithë ata që nuk kanë paragjykime dhe që ua donë të mirën mbarë njerëzimit. U ndihmoftë edhe të gjithë atyre që punojnë për shtetin e vet, popullin e vet, së pari, e pastaj edhe për mbarë njerëzimin. Amin!


Për fund, nuk na mbetet tjetër vetëm se ti urojmë këto zgjedhje të suksesshme. Urime Kryeministër Erdogan fitorja bindëse, urime populli  vëlla, e mik turk, urime dashamirë të paqes e mirësisë. Deri në javën e ardhshme, esselamu alejkum. 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Siguria si problem sfidues


 


Njeriu mund të disponojë me të mira materiale dhe me shëndet por në qoftë se i mungon siguria, atëherë vlera e tyre minimizohet shumë, për mos me thënë se ato të mira nuk kanë vlerë fare


Vrasjet në Kosovë nuk po kanë të ndaluar. Ato janë gjithnjë e më shumë duke marrë trajtën e një dukurie që është për shqetësim. Nuk ka shembull më të mirë për këtë sesa rasti i familjes pejane, e cila protestonte me kufomën e të vrarit të tyre para stacionit policor. Është gjendje trishtimi, deri më tani që nga përfundimi i luftës janë  mbi 1400 të vrarë. Pavarësisht se çfarë është motivi i atyre vrasjeve, ato janë vrasje, aty po derdhet gjaku, po vdesin djem të rinj, po bëhen bela, po hapën plagë të mëdha në shoqëri të cilat me dekada nuk shërohen. Andaj, konsideroj se krahas marrjes me shkaqet e kësaj dukurie, duhet marrë edhe me pasojat e saj. Njerëzit janë traumatizuar. Ata duhet të jetojnë të sigurt e të lirë: siguria, edhe fetarisht, është para çdo gjëje tjetër. Zaten njëra ndër pesë objektivat kryesore të sheriatit, respektivisht të legjislacionit Islam është edhe siguria, apo ruajtja e gjakut.


Njeriu mund të disponojë me të mira materiale dhe me shëndet por në qoftë se i mungon siguria, atëherë vlera e tyre minimizohet shumë, për mos me thënë se ato të mira nuk kanë vlerë fare. Nga ky kontekst Islami i kushton një rëndësi të veçantë ruajtjes së jetëve të njerëzve, duke mos i dhënë të drejt askujt që të marr jeta njerëzish, në çfarëdo rasti apo me çfarëdo motivi qoftë. Ajo është e drejt ekskluzive e Krijuesit, eventualisht e shtetit në raste specifike. Vrasja në Islam është mëkati më i madh që bëhet në tokë të Zotit në raport me njeriun. Për atë arsye “Ai i cili mbytë një njeri pa faj, pa të drejt, është sikur t’i mbys mbarë njerëzimin” (Kur’ani: Maide: 32). Nga ky kontekst kur Pejgamberi Muhamed alejhiselam numëroi shtatë mëkatet më të mëdha, mëkatin e dytë pas idhujtarisë e ceku vrasjen pa hakk, pa të drejtë. Ai që vret njeriun pa të drejtë ai ka tërhequr një hidhërim të madh nga Zoti, ai ka bërë mëkat shumë të madh. Për të nuk do ketë mëshirë e rahati. Ka thënë Zoti: “Ai i cili mbytë një mysliman me qëllim ndëshkimi i tij është xhehenemi, në te është përgjithmonë. Ndaj tij është hidhëruar Allahu, atë e ka mallkuar dhe për te ka përgatitur dënim të dhimbshëm” (Kur’ani: Nisa: 93). Andaj në Islam të jesh i vrarë apo i mbytur është më mirë sesa të jesh vrasësh.  Për ta ndaluar sa më shumë këtë dukuri të shëmtuar, në veçanti tek shpirtligët dhe keqdashësit, Islami bile edhe legjislacionet tjera të mëhershme, si evreizmi dhe krishterimi, ka sjell dënimin me vdekje për vrasësin. Sepse është e pakuptimtë që njeriu të vret të tjerë, e më pas të shëtis i lirë, apo të qëndroi pak vite në burg e më pas të del. Një gjë e tillë nxitë për vrasje dhe për hakmarrje gjithashtu.


Nuk ka asfare dyshimi se përpos bindjes fetare për mëkatin e kësaj vepre të shëmtuar, dënimi i rëndë dhe ndëshkimi i ashpër nga ana e shtetit është shkaku kryesor që ndalon përhapjen e këtij krimi makabër.  Andaj mendoj se gjithsesi duhet mobilizuar të gjithë dhe duhet futur në funksion të gjithë mekanizmat e mundshëm, e sigurisht edhe edukatën fetare, bile atë në rend të parë. Por duhet shtrënguar edhe ligjin. Sepse me këtë ligj kaq të butë që kemi ne sot dhe me këto dënime kaq të lehta për vrasësit, ne vështirë se do të ndalim krimin në përgjithësi, e vrasjen në veçanti.  Nuk ka mëshirë ndaj vrasësit, ai duhet shijuar dënimin maksimal. Jo se ne duam ta dënojmë atë, por ai ia ka bërë vetës, ai me veprën e tij të shëmtuar ka humbur të drejtën të jetoi i lirë dhe i barabartë me të tjerët, ai duhet ekzekutuar. Nuk dyshoj fare -të nderuar- se po t’i kishte varur apo ekzekutuar shteti dy tre veta dhe atë publikisht, nuk do të figuronte ky numër kaq i madh i vrasjeve, por ja që ne po mendojmë se me butësi shërohen këto sëmundje. Populli thotë gjarprit duhet mëshuar në kokë.


Jo vetëm numri i madh i vrasjeve që na bënë të shqetësohemi neve si qytetarë dhe mos ta ndiejmë vetën të lirë e të sigurt, por aq më i çuditshëm është fakti se shumica e atyre autorëve të vrasjeve ende nuk janë zbuluar e nuk janë kapur. Çudi kjo mesele, gjithë ato vrasje dhe ende nuk dihen autorët?! Vërtetë jemi bërë për hajmali, siç populli. Ku  janë organet e sigurisë, ku është ministria e mbrojtjes, e cila fletë për rrezikun e “vehabistëve dhe ekstremistëve”, që nuk ekziston fare, ndërsa anashkalon, apo minimizon rrezikun e krimeve të ndryshme që kanë kapluar shoqërinë. Vjedhjet, plaçkitjet, shantazhimet, kërcënimet, vënia haraç, etj, janë sikur episode të një seriali të hidhur të shoqërisë sonë. Janë imazhe që ngjallin frikë.


Dhe për këtë fajin duhet drejtuar, para së gjithash, qeverisë, e cila përpos zhurmës shurdhuese, nuk ka bërë ndonjë gjë të hairit. Dikush duhet dhënë përgjegjësi për këto dukuri negative të përhapura me të madhe. Allahu e drejtoftë këtë milet, njeriu tjetër nuk di çka thotë në këto rrethana dhe në këto ditë kaq të vështira të cilat po vërshojnë popullin tonë, Kosovën tonë të dashur. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …