leoni

Gjovalin Ndoja: Shqip-sharësit e dështuar dhe shqip-mohuesit e lumtur

Jeta është mësuesja më e mirë dhe nxënësja më e keqe…. Të jetosh është bukur, të provohesh është vështirë dhe të përplasësh ditët me njëra-tjetrën është sëmundje.

Fjalët e mira vijnë, kur jeta të sjell lumturinë. Fjalët e rënda rrjedhin nga provokimi i saj. Kur në gojën e një njeriu, ose, të një shoqërie formohet pështyma e urrejtjes, atëherë të gjallët kanë “vdekur”, të mbytur në helmin e vet…

 

Nuk ka gjë më të keqe se të mbjellësh urrejtjen në shpirtin e njerëzve. Çdo njeri që ka lindur është në provën natyrore të ekzistencës. Çdo komb është në provën e historisë dhe çdo prijës është në pikën relative të zotësisë dhe vlerë-rritjes…

Të shash nuk është as mendim dhe as alternativë. Sharja është teshtitje e të paaftit, “ngushëllimi” i humbjes dhe jelek dështaku. Sharja i ka rrënjët në xhelozi dhe në injorancë. Nga ana psikologjike, sharjet, studiohen si anomali.

 

Në jetën e përditshme dallojmë, sharje që të bëjnë të “qeshësh”, sharje që të bëjnë të “qash” dhe sharje që dhëmbin.

Bota i njeh sharjet që dalin nga gojë të shthurura, njeh sharjet që dalin nga momenti i hutimit, sharje politike që nuk besohen, sharje të njerëzve të dëshpëruar, por rrallë gjenden sharje që prekin Kombin apo vendlindjen e sharësit…. Në këtë kategori vegjetojnë “shqip-sharësit”.

 

Shqip-sharësit janë shtresë që dinë sa për të mos u quajtur  “analfabetë” dhe fryhen sa për të mos u quajtur “profesorë”. Sipas tyre nuk e merr vesh “i pari të dytin”, por “i dyti të tretin”.

Shqip-sharësit i dinë të gjitha dhe nuk dinë asgjë, i thonë të gjitha dhe nuk thonë asgjë… Shajnë veprat dhe lavdërojnë ”citatet”.

Shqiptarët për shqipsharësit janë: Të paditur, të padukur, të pashtet, të pahistori, të pafe, të pakulturë, të pashpresë dhe të paudhë. Shqipëria për shqipsharësit është mesjetare, mesi i së keqes, mesi i prapambetjes, mesi i kryqëzimit historik… dhe Shqipëria për shqiptarët është pa traditë luftarake, pa traditë shtetformuese, pa liderë dhe pa haber, pa ligj e pa maliq, pa merita dhe pa mesazhe…

 

Për shqip-sharësit historia jonë është kronikë e udhëtarëve “shteg-humbur” dhe lundërtarëve “pa koordinata”. Shqipsharësit, janë patologji e pamjekueshme, “delir” dhimbjesh dhe “depresion” kënaqësish… Ata janë trima pas lufte, strategë dështimesh dhe dijetarë province. Para lufte ikin, në luftë struken dhe pas betejave “thelloknw” analizën e humbjeve dhe shajnë shkaqet e fitores… Shqipsharësit janë pronarët e një nate, shkollarët e një dite dhe analfabetët e një jete. Flasin shumë, dinë pak, “logjikojnë” padijen e tyre.

Kanë pasqyrë të thyer dhe qiell të gërvishtur. Janë globalistë të pakuptim dhe internacionalistë të pahorizont…

 

Duke qenë me shkollë të pambaruar janë arnuar me kurse të shkëputura dhe me copa të pashtjelluara interneti. “Kompetencën” e shpalosin me grumbullimin e kartë-diplomave të blera me “kafe turke”.

Shqipsharësit, nuk njohin logjikë historike, deduksion, faktorë, metoda krahasuese e analoge, rrethana e kontekst, analizë arkeologjike, shkaqe, pasoja, të vërtetat e mbuluara me demagogji, morfologjinë e luftës, gjeografinë e betejave, hartografinë e synimeve dhe llogaritë e traktateve… Duke mësuar “histori” pa këto elemente përcaktuese, deformojnë luftëra e beteja të mëdha…

Shqipsharësit shajnë pa ditur dhe konkludojnë pa fakte… Herë e vënë Shqipërinë në qendër të botës, duke e sharë për ato që janë e nuk janë në dorën e saj. Herë e quajnë një provincë ballkanike të vogël, që as nuk ishte dhe as nuk është faktor. Shqipëria realisht është më e vogël se gjeopolitika e të mëdhenjve dhe më e madhe se gjeostrategjia e të vegjëlve… Shqipëria është produkt i lashtësisë së vet, luftës për mbijetesë dhe marrëveshjes së të mëdhenjve. Historinë na e shkruan të tjerët, fitimtarët e pasuruan vetë me moralin shqiptar duke bërë edhe ndonjë gabim…

 

Sa herë shqipsharësit shajnë vendin e vet duke u bërë “filozofë” globalistë, ekspertë të historisë shtetformuese, harrojnë lëndën e parë, rrethanat, kontekstin historik dhe forcat vepruese…

Shqipëria nuk mund të akuzohet për asnjë “turp historik”. As “Qamilhaxhitë”, as “Toptanesatët”, as “Drudhënësit” dhe “Depohapsit”, që përbëjnë hije në historinë tonë, nuk janë turpe historie, pasi nuk janë veçori e popullit tonë, por gabime të imponuara gjeopolitike. Sido që shqiptarët kapen pas këtyre ngjarjeve të veçuara të historisë, rrënjët janë jashtë tokës sonë.

Çdo popull ka paguar lajthitjet e veta, gabimet e prijësve të paditur apo diktues, me djersë, me gjak dhe me sakrifica të mëdha… Historinë e ka shkruar pa “turpëruar” udhën historike të kombit, që është shumë më e madhe, më e lavdishme se shkretëtirat e sundimtarëve të pashpirt…

 

Fatkeqësia e shqip-sharësve është se nuk kuptojnë se të mëdhenjtë kanë gjithmonë “të drejtë” dhe të vegjlit kanë gjithmonë të drejtën e “gabimeve”…

Shqipsharësit, shajnë gjithçka dhe lavdërojnë dakordësitë që konfirmojnë filozofitë e tyre të shtrembëta. Shqipsharësit lexojnë diçka përgjysmë dhe interpretojnë çështje të plota në hamendësimin e tyre…

 

Për fat të keq kemi shumë shqipfolës shqipsharës. Të shqipsharit është fenomen aktual në debate tavoline dhe rrjete sociale…

 

Të panderuarit shqip-sharës!

 

Të parët tanë dhe “të sharit tuaj”, kanë jetuar pesëqind vjet nën një çadër gjysmë hëne dhe diellin nuk e humbën, shqipen nuk e shitën, krahët e saj i ngjitën në flamurë. Ata për pesëqind vjet ruajtën gjuhë dhe kulturë, troje dhe zakone, ndërsa ju nipat e tyre për njëzet vjet, dogjët e turbulluat gjithçka, duke sharë pesë shekuj luftë e mbijetesë, pesëqind vjet rezistencë. Për t’u treguar me “dituri” oksidentale dhe qasje globaliste shani shqiptarët për t’u bërë kopilët e perandorive… Atdheu për ju është konvencion, origjina statistike, gjaku lëng, ndërsa vendlindja thjesht një maternitet. Ndërsa nëna për ju është bashkëshortja e babës. Inati juaj janë folklorikët atdhetarë…

Kur themi: “O sa mirë me qenë shqiptarë!” Ju n’a shani si injorantë, pellazgë të kohës sonë. E dimë, sa “primitivë” dukemi para jush, pranojmë syrin tuaj qortues, ballin tuaj të rrudhur, por duke e ditur se deliri juaj është “padije moderne”, pa mëdyshje ju duam si shqipfolës dhe ju urrejmë si shqipsharës… Pranoni konsideratën tonë.

Rreziku i shqipsharësve është i madh, sidomos te fëmijët dhe brezi i ri. Shqipsharësit janë familjarë të dështuar, nëpunës karagjozë, partiakë servilë dhe filozofë të humbur… Duke shitur “mend” pa para, kapin interesin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Bëhen “mësues” të shkollës së rrugës, pastorë tavolinash dhe udhërrëfyes dështimesh…

 

Plot “filozofi” ngatërrojnë mendjen e fëmijëve me fjalët “nuk bëhet”, “nuk ecet”, “nuk çahet ”, “nuk të lënë”, “ikni jashtë”, “mos u pendoni”, “nuk jetohet”, “nuk ka shtet”, “nuk ka punë”, “ky vend u dogj, u vodh, u prish, u shit” e të tjera “thika” psikologjike dëshpëruese.

Bota e shtrembër e shqip-sharësve, pafatësia, paaftësia dhe çorientimi është mësim i keq i kohës sonë. Viktimizimi në diktaturë dhe në tranzicion është tema e mëngjesit, zotësitë, meritat, gradat shkencore dhe dijet janë ëndrra e gjumit të parë të tyre.

 

Për të qenë imponues, marrin referime nga librat e lënë përgjysmë, gënjejnë për refuzime detyrash të larta duke sharë drejtues e administratorë si pengesë për shqipsharësin, zëdhënës të injorancës “së zgjuar” dhe “zgjuarsisë” së fjetur.

Vetëlavdërimi dhe shqipsharja është fenomen bashkëveprues, mjaft naiv, moderniteti dhe falsiteti i një shtrese “intelektuale” të pasitur, që fatkeqësisht sot në sajë të servilizmit partiak zënë shumë vende dhe poste në organet kryesore të shtetit dhe iniciativës private. Kjo shtresë inferiore në dije me pjesën tjetër intelektuale të shkolluar në kurse të plota të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit, përballë përvojës dhe aftësisë së tyre, kalon në arrogancë diskutimi dhe fjalori ofendues me sharje për meritat e të parëve tanë, shkollën në periudha të ndryshme dhe individë të spikatur, kjo në pamundësi argumentesh…

 

“Shqipmohuesit” janë pjesa e moderuar e shqipsharësve…

 

Jo vetëm në biseda private dhe rrjetet sociale, por edhe në debate televizive të hapura me median e shkruar dallojnë “gazetarë” dhe “analistë” shqipmohues të meritave të dukshme. Kjo përbën luftën politike të paprinciptë dhe “gomën” fshirëse të historisë sonë kombëtare… Kjo përbën një fatkeqësi të kultivuar dhe të ndërthurur…

 

Shqipmohuesit janë pjellë e mendjemadhësisë së “modernitarëve”, që fryhen në karriget e debateve, si studiues të mëdhenj, si zotërues të shkencës dhe gazetarisë, si politilogë të hollë, fshehur pas interesit të vogël të thërrimeve e të përfitimit mediatik.

Ata përfaqësojnë mediokritetin e vërtetë të kohës sonë. Tërë këtë “shërbim” nuk e bëjnë për kombin, por që të sigurojnë mbështetje e reklamë televizive për “lloqet” dhe shkarravinat që servirin…

 

Këta shpirtvegjël fryhen e shfryhen para nesh si vjedhës të meritave e kopjues të mirë të vlerave që kanë prodhuar e prodhojnë ata që heshtin në biseda, flasin me vepra…

 

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi, biografia apo tipizimi i këtyre pelivanëve kacavjerrës, që thithin gjoksin e politikës dhe braktisin nënat e tyre.

 

Qëllimi i problemit është brendia e tij. Është tendencë alarmante, dëshira ose qasja e sharjes dhe mohimit të vlerës në Shqipëri.

Është e papranueshme për çdo komb, prekja e ndjenjës së krenarisë kombëtare nga disa njerëz, që turpërojnë të qenët njeri.

 

Këta robotë të bërë keq, turpi i fabrikës që i prodhoi, nuk janë tjetër, veç copa parazite, që nuk kanë dalë nga dashuria e dy prindërve, por nga aksidenti dhe instinktet…

 

Udha e tyre është e prerë nga dështimi intelektual, pasi bota e zhvilluar e provoi këtë lloj moderniteti dhe është në kthim të kësaj udhe të gabuar, që i çorientoi dhe i dëmtoi shumë.

 

Shumë shtete që u mbytën në këtë lloj intelektualiteti po hedhin miliarda për të krijuar “heronj”, ndërsa ne i kemi dhe këta na i gjuajnë me gurë.

 

Fryma kombëtare, vlerat dhe përvoja e mbijetesës që na lanë të parët, krenaria për ta, është gjëja më e shtrenjtë që kemi.

 

Fijet e bashkimit, origjina dhe qëndresa, toleranca dhe bashkëjetesa në këtë vend të bukur dhe të pasur, na jep të drejtën e bashkimit të padallimtë, në mbrojtjen e tërësisë, natyrës, pasurive, identitetit dhe kulturës sonë të përbashkët.

Na duhet të mbrojmë, ç’ka nuk shitet, dashurinë për kombin të fituar me sakrifica. Na duhet të mbjellim në pasardhje, shembullin e shqiptarëve, që u preu krahun kufiri dhe mbijetuan duke përkundur djepat me emrat: Vlora, Mirdita, Shkëlzen, Vjosa, Dibran, Myzeqar, Saranda, emra që tregojnë Shqipërinë “e ndaluar” dhe patriotizmin e tyre të madh. Dua të ngacmoj një mendim që sot nuk po zen vendin që i takon në edukimin patriotik. Shqipsharësit dhe shqipmohuesit pretendojnë se për arsye “të zhvillimit të avancuar” që kanë, janë më realistë në përcaktime larg folklorizmave…

 

Shqiptarët e shëtitur që në vitin 1945, si mund të jenë më qorra se “filozofët” mjeranë, që hapën sytë në vitin 1990?!

 

Atëherë, më rezulton se shqiptarët jashtë kufijve pas vitit 1945 janë më patriotë, më të shëtitur e më të ditur.

 

Halli dhe malli ndikoi, por hallin dhe mallin e patëm më të fortë ne që udha jonë mbyllej në “doganën” e ndarjes për së gjalli.

 

Duke mbyllur këtë shkrim, më mjafton të them se sharjet dalin nga një gojë e keqe dhe mendim i shthurur, mohimi vjen nga ata që në punë, nuk u tha kush “puna e mbarë”, në shkollë, nuk e njohën dhjetën, në luftë mbeten thirrje pa përgjigje.

 

Na duhet t’i duam edhe këta mjeranë, që koha i ka marrë “peng”, na duhet të vlerësojmë e të duam prindërit dhe paraardhësit tanë, se janë nderi dhe pragu i patriotizmit…

 

Na duhet t’i duam, t’i mbrojmë dhe t’i vlerësojmë shqiptarët kudo që janë, përkatësitë politike, fetare, krahinore mos t’i marrim seriozisht…

 

Na duhet të dalim mbi fobitë, pasi nuk ka popull armik, por këmisha të përgjakura, që i qep politika, nuk ka popuj vëllezër, por lajthitje të politikës, nuk ka urrejtje kur zotëron dashuria, nuk ka sharje në asnjë gjuhë, kur goja është e ëmbël. Të gjitha në vend të vet vlejnë, të gjithë në vend të vet janë të domosdoshëm, të ndryshmit janë pasuri shtesë, kjo sipas meje është formula e përafërt e rregullit, pasi “çdo gjë në vend të vet përbën atë”.

 

Shqipsharësit dhe shqipmohuesit në vend të vet duhen, por kur flasin dhe imponojnë, janë në vend të huaj dhe në vend “të keq”…

28. 3. 2014

(Gazeta Shqip)

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmitari amerikan, Shon Bërns, shpjegon para trupit gjykues përmbajtjen e Komunikatës numër 63 të SH të UÇK-së

Në një dëshmi përpara trupit gjykues në Hagë, dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka …