leoni

Dr. Skënder Demaliaj: Akademiku Bedri Dedja – Profesori im i paharruar (20 nëntor 1930 - 13 prill 2004)

Dr. Skënder Demaliaj: Akademiku Bedri Dedja – Profesori im i paharruar (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)

KUJTIME, nga Dr. Skënder Demaliaj – ish studenti i Tij

Ngjyra  e shkencëtarëve është po aq e çmuar sa gjaku i martirëve

(Fjalë e urtë arabe)

Profesor Bedri Dedja është dekani dhe veterani i psikologjisë shqiptare, publicist i njohur dhe kritik i letërsisë, përkthyes, shkrimtar i madh dhe i dashur i fëmijëve, pedagogu i paharruar për qindra e qindra studentë, të cilët në çdo moment, në auditore e jashtë tyre ndien dorën e ngrohtë të Tij prej prindëri, mësuesi dhe shkencëtari. Me profesorin jam njohur prej 35 vitesh dhe ruaj kujtime të pashlyeshme. Më ka nxitur, frymëzuar, ndihmuar e drejtuar në rrugën e shkencës së psikologjisë. E ndjej veten krenar, e quaj privilegj dhe kam qenë me fat që kam qenë student i Tij.

Gjeni të mëdhenj kanë shkruar se arti të ndihmon ta jetosh më mirë jetën, ta kuptosh më mirë jetën. Pikërisht kështu ka ndodhur edhe me Profesor Bedri Deden…

Episodi i parë: Në kursin pasuniversitar për psikologji profesori na jepte lëndën e Psikologjisë sociale. Kjo lëndë ishte semestrale dhe nuk ishte provim (ishte firmë). Programin dhe leksionet i kishte hartuar vetë ai. Në këtë kohë ai po punonte për tekstin “Psikologji sociale”. Pati jo pak probleme për variantin e parë. U akuzua “për gabime të rënda ideologjike, për pikëpamje revizioniste”. Mëkati i tij ishte se citatin e Karl Marksit nuk e kishte marrë direkt nga veprat e tij, por nga një autor “revizionist sovjetik”. Mbledhje pafund në katedër, në dekanat, në organizatën e partisë… E mori në mbrojtje profesor Hamit Beqja. Në vitin 1990 do të botonte tekstin “Psikologji sociale”. Në orën e profesorit të gjithë ndjeheshin mirë. Të krijonte një mjedis të ngrohtë, ku secili shprehte lirshëm mendimet. Të gjithëve na bëri përshtypje mënyra e vlerësimit që do të aplikonte. Nuk do të na pyeste në fund të semestrit, siç vepronin të tjerët… Që në fillim të vitit na ndau në grupe dhe secilit i dha një temë nga etnopsikologjia shqiptare, ku vend të rëndësishëm zinte epoka e Rilindjes sonë Kombëtare. I donte shumë, por edhe i njihte shumë mirë rilindasit. Na mësoi dhe na futi në rrugën e kërkimit shkencor, na dha metodologjinë e punës në grup. I njihte shumë mirë metodat pedagogjike bashkëkohore. Në vitin 1967 ai kishte botuar dy libra të rëndësishëm: “Rreth metodave problemore” dhe “Shënime mbi problemin e përvojës së metodave të mësimit”. Në vitin 1987 e ripunoi dhe pati shumë sukses. Studentët ndienin kënaqësi në orën e tij, nuk stresoheshin kur pyeteshin e vlerësoheshin. Përfitonin shumë prej tij.

Me temat e përgatitura organizoi një sesion shkencor në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Të gjithë e përgëzuam profesorin dhe ai na përgëzoi ne. “Më nxorët faqebardhë!”- ishin fjalët e tij gjithë ngrohtësi. Fjalë zemre. Fjalë të një pedagogu me shpirt të madh… Vlerësimi i kumtesave ishte vlerësim i lëndës së “Psikologjisë sociale”.

Episodi i dytë: Profesori mbeti përherë i ri në metodat e stilin e punës, kishte horizont të gjerë dhe interesa të shumanëshme. Euridit i vërtetë. Njihte shumë mirë letërsinë botërore dhe letërsinë shqipe, historinë, folklorin, etnografinë, arkeologjinë, fiziologjinë, mjekësinë. Libri i tij “Drejt enigmave të psikikës së njeriut” e vërteton më së miri këtë. Botimi i parë doli në dritë në vitin 1989, kurse botimi i dytë, i ripunuar daton në vitin 2002. Ka qenë karakteristikë e punës së tij rikthimi tek veprat e tij. I pasuronte me fakte të reja, hulumtonte, hulumtonte, punonte vazhdimisht rreth një çështjeje. Vazhdimisht theksonte: “Që të bëhesh shkencëtar duhet të dëgjosh, të meditosh, të studiosh dhe të veprosh”. Ky ishte parimi bazë i punës së tij shkencore. Nuk harronte të na përsëriste fjalët e psikologut të madh Eduard Jung: “Pasuria mund të vijë tek ne, por tek shkenca duhet të shkojmë vetë”.

Më janë ngulitur në mendje dhe i kam  kujtuar shpesh, veçanërisht në këto vitet e tranzicionit, në të cilat po kalon vendi ynë.

Kishte marrëdhënie shumë të mira me fakultetet e tjera dhe institucionet më të rëndësishme shkencore kombëtare. Kishte autoritet dhe respektohej nga profesorët e shkencëtarët e huaj e të vendit. Leksionet për fiziologjinë e trurit i bëmë tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës me profesor Et’hem Rukën. Ishte bërë i njohur me librin “Të fshehtat e trurit”. I ndiqnim me interes leksionet e tij. Ishin konçize, të qarta, emocionuese dhe shumë tërheqëse. Për vendbanimet dhe kulturën ilire na solli arkeologun Neritan Ceka. Për arsimin në Elbasan një pedagog të universitetit të këtij qyteti. Dëgjonte bashkë me ne. Të bënte përshtypje me sa vëmëndje i ndiqte leksionet e tyre. Misioni i tij ishte, jo vetëm të mësonte të tjerët, por të mësonte, të mësonte, të mësonte gjithnjë, çdo ditë edhe nga të tjerët.

Episodi i tretë: Ishtë maji i vitit 1985. Në Mamurras u zhvillua një mbledhje e zgjeruar për të analizuar punën një vjeçare në fakultet, në të cilën mora pjesë edhe unë. (Në Mamurras ishte qëndra stërvitore dhe në këtë periudhë edhe studentët, edhe pedagogët ishin në zbor). Atë ditë luante kombëtarja jonë me kombëtaren polake për eleminatoret e botërorit 1986. Ndeshja kishte ngjallur interesim pas fitores së ekipit tonë me belgët dhe barazimit në Poloni me polakët. Shefi i Katedrës së Psikologji-Pedagogjisë e akuzoi pa të drejtë Profesorin sikur ky i kishte nxitur pasuniversitarët, ku bëja pjesë edhe unë të bënin vërejtje për të. Nuk kishte të drejtë. Ky person kishte shumë mangësi në punën e tij. Ishim të pakënaqur me mënyrën se si komunikonte me ne. Vërejtjet ia kishim bërë miqësisht dhe pa tendencë dhe pa u shtyrë nga askush. I kishim bërë për të mirën e punës së tij dhe tonën.

Profesor Bedriu ishte model i pedagogut që komunikonte me studentët e tij, bazuar në marrëdhënie partneriteti, larg stilit komandues, urdhërues e dominues, krejt i kundërt me atë që e akuzonte pa të drejtë, me tendenca dhe me qëllime të caktuara politike… Akuzuesi ishte edhe xheloz pse Profesorin e donin dhe e respektonin të gjithë. Profesori Bedriu i meritonte lëvdatat. I kishte lënë vend vetes tek të gjithë ne… Profesori e dëgjonte në heshtje, ruante gjakftohtësinë. Ishte mësuar me sulme të tilla e intriga. Ai ishte në shënjestrën e burokratëve të paaftë dhe smirëzinjve. Bile si rezultat i tyre e kishte pësuar. E kishin dërguar nga Tirana gjoja për qarkullim pedagog në Universitetin e Elbasanit për ca kohë. E pikërisht kjo kategori njerëzish të ligj, ambiciozë e karrieristë, shumë më pak të aftë se Profesori e kishin akuzuar “për ndikime nga literatura borgjezo-revizioniste”. Salla kishte rënë në heshtje. Vështrimet e të gjithëve u drejtuan nga unë. Nuk durova më. U ngrita. Thashë të vërtetën dhe e vërteta ishte me Profesorin. Akuzuesi u bë dhe`, ziente nga brenda, fliste me veten, diçka belbëzonte, por kjo nuk më shqetësonte. Profesori ishte moderator. Ishte për ndryshime. Si psikolog e sociolog e kishte kuptuar prej kohësh se ne ishim të vonuar… Së bashku me intelektualë të tjerë, ai bëri apel për ndryshime, për një demokraci të vërtetë. Për profesorin rëndësi kishte meritokracia, aftësitë profesionale, figura morale, interesi dhe niveli i punës studimore shkencore i pedagogëve dhe studiuesve. Në vlerësimin e njerëzve nuk nisej nga biografia e tyre, posti politik apo shtetëror. I mbështeste të gjithë pa dallime krahinore, fetare, race dhe klanore. Ai kishte udhërrëfyese idenë e Frojdit: “Ja vlen për të sakrifikuar, qoftë edhe tërë jetën për të ndihmuar e bërë të lumtur, qoftë edhe një njeri të vetëm”. Ishte idealist dhe humanist i paparë…

Episodi i katërt: Sapo kisha mbaruar kursin pasuniversitar për psikologji dhe po pinim kafe në një lokal në Rrugën e Elbasanit, ballë për ballë me urën. Aty afër e kishte shtëpinë profesori në atë kohë. Kam qenë disa herë aty. Ai bashkë me bashkëshorten, Pandorën ishin shumë miqësorë, mikpritës dhe të dashur. Ndihesha si në shtëpinë time. Më pyeti për punën dhe m’u drejtua me buzën në gaz, gjithë dashamirësi: “Përse Skënder nuk bën dokumentat për t’u regjistruar për të marrë gradën “Kandidat i Shkencave”? “Nuk di a do të më regjistrojnë dhe a do t’ia dalë mbanë” – iu përgjigja. “Do të të ndihmoj!” – më tha me një zë të butë e të vendosur. Fjalët e tij më dhanë shpresë e besim. Më ndihmoi në Ministrinë e Arsimit, në Komitetin e Shkencës për t’u regjistruar, më orientoi për temën, bashkëpunoi me mua për të përgatitur platformën e punimit (edhe pse nuk ishte udhëheqësi im). Sapo mbaroja një kapitull ia jepja atij dhe reflektoja ndaj vërejtjeve e sugjerimeve të tij… Derisa e përfundova dhe e mbrojta me rezultatin shumë mirë. E mbrojta titullin në fushën e psikologjisë sociale, aty ku Profesori ishte Njësh i padiskutueshëm në vendin tonë. Profesori tek çdo bashkëbisedues përcillte mesazhe besimi dhe optimizmi.

“Ju duhet t’i çoni më tej studimet në fushën e psikologjisë” – ishte këshilla e tij. E si për të plotësuar më tej mendimin e Tij kujtonte një fjalë të urtë afrikane: “Shkenca është si trungu i baobabit, nuk mund të rroket nga një njeri i vetëm”.

Episodi i pestë: Në fillim të viti 2004 Profesori më foli për një Konferencë Ndërkombëtare që do të zhvillohej në muajt në vazhdim me temë Kosovën. Tema e Konferencës lidhej me zhvillimet atje në vitet 1998-1999, parë në këndvështrimin socialpsikologjik. Më propozoi të paraqitesha me një punim në Konferencë. Unë zgjodha si temë: “Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëveçare në Verën e vitit 1999”. E bëra gati temën, e cila trajtonte dy çështje të rëndësishme:

  1. Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në Verën e vitit 1999.
  2. Faktorët etnopsikologjikë, historikë dhe politikë që mundësuan kthimin e shpejtë të shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare.

Profesori vdiq papritmas dhe Konferenca nuk u realizua. Vite më vonë unë iu ktheva kësaj teme dhe botova librin: “Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëveçare në Verën e vitit 1999”. Pra Profesori u bë nismëtari dhe ideatori i realizimit të këtij libri. Edhe tematika e librave të tjerë që kam botuar në këto vite lidhet me bisedat, këshillat, orientimet e Tij, veçanërisht botimet në fushën e didaktikës e të psikologjisë sociale. Profesori ishte dhe mbetet mentori im i pazëvendësueshëm. Ai ishte vizionar. Meditues dhe ëndërrimtar i madh. Psikolog dhe pedagog i madh, babai i librit për fëmijë në Shqipëri. Është vlerësuar nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në vëllimin XVI të biografive si autor i shquar i shekullit XX.

Epilogu: Me Profesorin takohesha vazhdimisht dhe këmbeja mendime me të për psikologjinë, për pedagogjinë, për letërsinë, për politikën e probleme të tjera. Më kanë mbetur në mendje fjalët e tij në bisedën e fundit tek kafja pranë Lidhjes së Shkrimtarëve. Më citoi psikologun Leo Buscaglia: “Duhet të merrni përgjegjësinë të zgjidhni dhe të përcaktoni jetën tuaj! Të jetosh do të thotë të biesh e të thyesh hundën. Të jetosh do të thotë të synosh të shkosh larg mundësive tua, të fluturosh mes yjeve”. E Profesori fluturoi, fluturoi lart në qiellin shqiptar si një yll që vezullon e nuk shuhet kurrë…

Mesazhet e Nënë Terezës: “Jeta është dhimbje, përballoje! Jeta është tragjedi – kaloje! Jeta është këngë – këndoje! Jeta është jetë – jetoje!” – ishin lajtmotivi i punës së tij krijuese. Njerëzit e mëdhenj kanë gjëra të përbashkëta… i bashkon misioni fisnik për njerëzit. I bashkon përkushtimi për popullin e atdheun e vet… Lum kombi që i ka! Sa mirë do të ishte të kishte shumë, shumë, shumë!!!

Fjalët në librin e Tij me kujtime “Le të na presë kokën kombi shqiptar nëse nuk i kemi shërbyer Atij”. (f.205) – janë emocionuese, frymëzuese… Shprehin qartë misionin e tij… Mesazhin e jetës dhe të veprës së tij…

Unë bashkohem me mendimin e kolegëve dhe studiuesve të veprës së Tij, se nëse do të kishin qenë të gjithë komunistët shqiptarë si Bedri Dedja do të ishin shmangur shumë të këqija që regjimi komunist u solli shqiptarëve.

Filozofi Niçe theksonte: “Me të drejtë thuhet se një popull karakterizohet jo aq nga njerëzit e tij të mëdhenj, se sa nga mënyra se si sillet ndaj tyre”.

Mirënjohja, respekti, vlerësimi për Bedri Deden e të tjerë si ai nuk duhet të vdesin kurrë!

Autori është  Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin “Mesdhetar” të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …