Bajram Curri

Dr. Skënder Demaliaj: Bajram Curri në këngët e popullit

Me rastin e 95 vjetorit të vrasjes së tij në Shpellën e Dragobisë

Kënga e popullit ka qenë dhe është bashkëudhëtare e heroizmit të shqiptarëve në shekuj. Ky heroizëm vjen deri në ditët e sotme, i përjetësuar nga gjeniu krijues, populli dhe është pasqyruar me vërtetësi e mjeshtëri të lartë artistike. Në këngët popullore të Malësisë së Gjakovës e të Kosovës figura e Bajram Currit – Heroit të Popullit zë një vend të rëndësishëm. Që në moshë të re ai është bërë i njohur për trimëri e luftë kundër pushtuesit turk, jo vetëm në vendin e tij, por edhe në Stamboll – Kryeqëndra e Perandorisë Turke: “N’atë Stamboll gazetat knojnë”. Urrejtja e popullit për pushtetin turk do të shpërthejë fuqishëm në luftra e beteja të përgjakshme kundër tij, ku një vend të veçantë zë Beteja e Qafë Prushit dhe e Ram Ahmatit, (qershor 1912), të cilat përfunduan me disfatën e plotë të katër batalioneve turke, duke lënë në fushën e betejës mbi 300 të vrarë e të plagosur dhe 200 robër:

“U çue Has, u çue Malsi,

U çue Kosova bytevi.

Bajram Curri para u ka pri,

Qafën e Prushit, ma kanë msy…

Kadal turk pritna nji herë,

N’daç me burra me u ndesh,

Qafa e Prushit u ba jezer,

Me pushkë e gur aty janë ndesh”.

Gëzimi i fitores ishte shumë i madh, siç shkruan Hasan Prishtina: “Gjallnimi ynë ishte aq i plotë sa ai i dha shpirt e zemër krejt popullit”.

Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, në krye të të cilave ishte edhe Bajram Curri, sollën Ditën e Madhe të Pavarësisë. Më 22 korrik 1912 Bajram Curri në krye të 12.000 kryengritësve hyri në Prishtinë, më 12 gusht 1912 në krye të 30.000 luftëtarëve u fut triumfalisht në Shkup. Gazeta “Shkupi” shkroi: “Atë manifest që e bani Bajram Curri se ban tjetër shqiptar, u çue n’kamb Shkupi i madh e i vogël, sheshazi dukej se u ngjall Shqipnia e shqiptarët e dashuria ishte e pakallzueshme ke mileti shqiptar”. Populli e shprehu këtë moment përmes vargut lapidar:

“Krejt Shqipnia n’Shkup a hi”.

Në shtypin shqiptar të kohës gjejmë vlerësime të larta për Bajram Currin, vlerësime që i meritonte: “… të mos ishte Hasan Prishtina e Bajram Curri me disa shokë të tjerë, s’do të bëhej kurrgjë as për gjuhë, as për Shqipëri”. Shqiptarët ngritën flamurin në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Fituan pavarësinë, por ajo ishte e cunguar. Konferenca e Londrës, më 1913 i coptoi tokat shqiptare. Në tetor 1913, nën komandën e Bajram Currit 3.000 malësorë filluan luftën në Qafë të Morinës e në Qafë të Gjone. Lufta vazhdoi 4 ditë dhe ishte e ashpër. Armiku, pushtuesi serb u thye keqas. U çliruan katundet: Morinë, Botushë, Molliq, Ponashec. Në ballë të luftës ishin edhe prijësit: Azem Hoxha, Bek Ahmeti, Bajram Daklani, Hoxhë Myrto (Zogaj), Haxhi Mehmeti (Pac), Avdyl Qerimi (Vlad), Ram Mehmeti (Zherkë). Në këngë shprehet vendomëria e popullit të Malësisë së Gjakovës për të mbrojtur trojet e tij.

“Ne nuk duam krajl me hi,

Dom flamurin kuq e zi,

Emnin tonë e kem Shqipni”.

Orekset e Serbisë ishin të mëdha. Ajo ishte e pakënaqur që Fuqitë e Mëdha i kishin dhënë vetëm Kosovën, kërkonte edhe Shqipërinë e Veriut, nga Lumi Drin e sipër. Bajram Curri me trimat e tij nuk do ta pranonte këtë:

“Bajram Curri ç’ka po thue?

Kët’ kufi në Dri s’e due”.

Pikërisht për ta realizuar këtë lidhën besën. Lufta e tyre ishte luftë edhe për mbrojtjen e çlirimin e Kosovës:

“N’Qafë t’Morinës të janë bashkue,

Besa-besë janë besatue,

Gjithë Kosovën me e çlirue?”

Bajram Curri nuk u pajtua asnjëherë me disa krerë të parisë në Malësinë e Gjakovës e në Kosovë që për para, poste e grada e shesin atdheun:

“Ju ju plaçin sytë e ballit,

Qysh i muertë paret e sllavit?

Me ja shitë vatanin djalit,

Me i marrë ftyrën qeti plakit!”

Pashiqi i ofron Bajram Currit 2 milion dinarë dhe banim ku të dëshirojë në Jugosllavi, vetëm të heqë dorë nga lufta për Kosovën. Me vendosmëri e përbuzje i përgjigjet atij: “I thuani dhelprës së Shumandisë se Bajram Curri nuk e shet atdheun për pare”. Kënga thotë:

“Bajram Curri po flet një fjalë:

Kurrë Serbisë sherre s’ia ndaj.

M’la pa tokë, pa shpi, pa djalë”.

Pashiqi me anë të njerëzve të tij: Ahmet Zogut e Cano beg Kryeziut e vrau Bajram Currin. Në një intervistë, dhënë gazetës jugosllave “Novosti”, Cano beg Kryeziu pohon me plot gojën dhe i kënaqur për shërbimet ndaj Serbisë: “Unë e kam xanë dhe e kam vra armikun tuaj Marko Rospopoviçin… Unë kam vra Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin – për paqen tuaj e tonën”. Shërbimet e Bajram Currit për atdheun nuk kanë të mbaruar. Ai është në krye për shpartallimin e forcave esadiste, për shuarjen e lëvizjes separatiste të Mirditës, e cila ishte gatuar në guzhinën e Beogradit. Sulejman Delvina – kryeministër, i dalë nga Kongresi i Lushnjës i shkruan: “Shërbimet tuaja t’nalta që bëtë këtë herë, s’ka për t’i harrue Kombi Shqiptar”.

Në ndihmë e pranë tij janë kurdoherë trimat e Malësisë së Gjakovës…

E jo vetëm ata, por nga të gjithë viset e Shqipërisë.

“Bajram Curri para u ka dalë:

“Moj Malsi mirë se ke ardhë!

Mirë se erdhe, moj Malsi!

Me Esad Pashën dom me u gri,

Për me e ruajtë ktë Shqipni,

Mos me shit n’kurrnji Krajli”.

Nga të gjitha anët i vijnë telegrame, letra, mesazhe, ku i shprehin ndihmë, mbështetje dhe përgëzime. Në letrën që 18 përfaqësuesit e Bytyçit drejtuar Bajram Currit thuhet: “Po iu bajmë me ditë se ne përfaqësuesit e Bytyçit po iu shënojmë ju si përfaqësuesi i plotfuqishëm për shka i përket fatit të Bytyçit e ju lutem që t’keni nderen me e marrë përsipër këtë detyrë atdhetare (vijojnë emri, mbiemri i secilit dhe gishti i madh në vend të firmës). Kënga e popullit e ka fiksuar këtë moment:

“Asht mbledh Bytyçi në Kuvend,

Kanë dhanë fjalën, janë besatue,

Besnik Bacës me i qëndrue”.

Në një këngë tjetër evidentohen dy prijësit e bytyçasve përkrah Bajram Currit:

“Haxhi Mehmeti trim i rrallë,

Hoxhë Zogut po’ i çon fjalë:

“Mbi zogistët t’fillojmë sulmin!

Prijës ne njohim veç Bajram Currin”.

Për Bajram Currin këndohet, jo vetëm në Tropojë, në Kosovë, por edhe në Gjirokastër, Tepelenë, Shkodër, Kukës e Vlorë… Figura e Heroit lartësohet nga kënga në këngë dhe është dhënë në shumë plane, është një figurë shumëdimensionale. Në një këngë jepet roli i tij në Revolucionin e Qershorit 1924:

“Bajram Bege burrë dai,

Na luftojke për Shqipni.

Me Fan Nolin asht besatue:

“S’e lamë Zogun me na sunue”.

Rapsodi nga Kukësi shpreh përmes vargjeve të tij mirënjohjen e popullit për udhëheqësin e tij të shquar:

“Kush luftoi për t’mirën tonë?

Bajram Curri të gjithë thonë.

Ai luftoi për fukaranë,

Për drejtësi e për vatan”.

Bajram Curri dhe pas dhjetorit 1924 (riardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, me ndihmën e Beogradit) vazhdoi luftën, nuk i lëshoi armët dhe u bëri thirrje malsorëve të ishin përsëri me të, të vazhdojnë luftën:

“Bajram Curri trim drague,

Brof ia bani, n’kamë u çue.

O ju malsorë, hajdeni me mue…

Fill për bjeshkë a fillue

Kundra Zogut me luftue”.

Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si: Hoxhë Zogu, Gjelosh Rama, Taçuk Rama nuk e kallzojnë, nuk e tradhëtojnë. Ata qëndrojnë të fortë, të paepur para vdekjes e litarit, duke sfiduar vdekjen. Bajram Curri është idhulli i tyre:

“Bajram Begun, Gjelosh me e kallzue,

Për pa m’gri e me m’coptue

Bajram Currin s’kam me e kallzue”.

Ose   “Taçuk Ramën e kanë nxanë,

E kanë shti në një burg t’ranë,

Tridhjet okësh prangat n’kamë,

Te konopi foli burri:

“Rrnoftë Shqipnia e Bajram Curri!”

Hoxhë Zogu, me gjakftohtësi dhe guxim i drejtohet xhelatëve qw “të çojnë ma nalt konopin” dhe tregon se cilët janë ekzekutorët e tij:

“Cana Begi, po m’vjerr mue,

Halil Hoxha, tuj nimue…

Ai n’vllazni po e qet konopin,

E paska vjerrë këtë Hoxhë Zogin”

Bajram Curri lufton deri në minutën e fundit (29 mars 1925):

“Çka Kollata si po dridhet?

Bajram Curri i gjallë s’po lidhet”.

Ndërsa Koço Kota i telefononte Prefektit të Kosovës, Hasan Kryeziut, duke e përgëzuar në emër të qeverisë shqiptare për veprën patriotike që kishte kryer, duke zhdukur nga faqja e dheut “njeriun e shpellave që kërcënonte qetësinë e Shqipërisë”, ky i fundit (vllai i Cane beg Kryeziut), më 6 prill 1925 i kërkonte Ministrisë së Punëve të Brendëshme 500 napolona ari, të premtuara për atë, që ka dhënë njoftime se ku gjendej Bajram Curri, si dhe kërkonte gradime për vrasësit e tij. Xhevapi (lajmi) për vrasjen e Bajram Currit shkon fillimisht në Tropojë, pastaj tek nënprefekti i Tropojës, në Krumë tek prefekti dhe tek Cano beg Kryeziu, në Tiranë, në 7 krajlit… edhe në Beograd:

“Në Tropojë xhevapi a shkue,

Shkoi xhevapi tu nënprefekti…

Nënprefekti rrehi telin,

Flet në Krumë me Cana Begin.

E kanë vra Bajram Begin.

Në Tiranë na shkoi haberi,

Ka marue Bajram Begi!

Shtatë krajlive iu dha haberi”.

I gjithë shteti shqiptar zogollian, bashkë me të gjitha qendrat antishqiptare jashtë vendit ishin të interesuara ta vrisnin Bajram Currin, sepse ai ishte kundërshtar i rrezikshëm dhe pengesë për realizimin e planeve të tyre antishqiptare. Është kjo arsyeja që e pritën me gëzim e brohoritje lajmin e vdekjes së tij.

Në antitezë me qëndrimet e tyre, populli shprehu dhimbjen për humbjen e madhe. Xhufe Sylja, nuse në Viliq (Bytyç), e njohur për vajet e saj, vajtoi:

“Ajo pushkë Bajram që t’muer ty,

Muer Malsinë shpi për shpi,

Muer Kosovën bytevi (në kuptimin gjithë Kosovën),

Muer Shqipninë në përgjithësi”.

Plaku i Maleve, Trimi i paepur, Heroi i Popullit, emrin e të cilit e mban qyteti rrëzë Alpeve të Veriut vazhdon të këndohet në telat e çiftelisë e të sharkisë:

“Bajram Curri, o zog petriti

Lum Malsia si e rriti,

Për Kosovë e për shqiptarë.

Vdiq e shkoi me faqe t’bardhë”.

Vrasja e Bajram Currit në shpellën e Dragobisë ka mbetur enigmë, si shumë vrasje e ngjarje të tjera historike. Kënga popullore thotë se nxuer alltinë e i ra vetit. Po të vështrosh me kujdes një fotografi të Bajram Currit të vrarë e dallon lehtësisht se plumbi e ka marë nga prapa dhe i ka dalë në gjoks. Kjo e përjashton vetëvrasjen. E vërteta për vrasjen e Bajram Currit është mbajtur sekret, nuk është thënë asnjëherë, ndonëse është ditur. Është mbajtur si e tillë për qëllime politike, klanore dhe krahinore, edhe në kohën e Zogut, edhe në kohën e Enverit, edhe sot. Në Kosovë, ku ka dokumente që tregojnë se si është vrarë, relacione për momentet e fundit të jetës së tij, përsëri nuk është thënë e vërteta e vrasjes së tij. Kjo për përfitime personale dhe nisur e frymëzuar nga qëndrimet nepotiste të një grupi studiuesish e historianësh… Po të dalë e vërteta duhen rrëzuar mite, duhet rishkruar historia. Këtë e kanë të vështirë ta bëjnë politikanët dhe studiuesit, këtu dhe matanë kufirit. Po një ditë do të dalë e vërteta… Vonë, vonë, por askush nuk mund ta pengojë atë përjetësisht.

 

S. Demaliaj është Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Medhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …