Dr. Skënder Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Roli vendimtar dhe përcaktues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Në 100 vjetorin e vendosjes së marrёdhёnieve diplomatike Shqipёri-Amerikё

Që në presidencën e Bushit të Parë, SHBA-të u pozicionuan qartë dhe me vendosmëri në mbështetje të popullit shqiptar të Kosovës, duke dënuar heqjen e autonomisë, më 28 mars 1989, dhunën policore dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive të tyre atje. George H. W. Bush i dërgoi një letër Sllobodan Millosheviçit në vitin 1992: “Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”.

Në cilësinë e senatorit në vitin 1995 Xhon Biden deklaronte: “Të mos heshtim para krimeve që ushtria serbe po kryen mbi popullsinë civile… Nëse ajo që po ndodh atje nuk përfaqëson interesat dhe vlerat tona, atëherë nuk kemi bërë asgjë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk përfaqëson vlerat tona”.

SHBA hapën Zyrën e Shërbimit Informativ në Kosovë në vitin 1996. Në vitin 1998 njohën UÇK-në, dënuan të parët Masakrën e Reçakut me ambasadorin William Walker. Më 6 shkurt 1999 bashkë me vendet më të fuqishme të BE-së dhe Rusinë organizuan Konferencën e Rambujesë. I bënë thirrje regjimit të Millosheviçit të ndërpriste represionin ndaj popullsisë shqiptare, të tërhiqte forcat e policisë e të ushtrisë, të kthente autonominë e vitit 1974…, por këto thirrje ranë në vesh të shurdhër. Kjo bëri që më 24 mars 1999, NATO me në krye SHBA të ndërmerte sulmet ajrore ndaj Beogradit, sulme që zgjatën 78 ditë dhe që e detyruan Millosheviçin të kapitullonte. Kosova u çlirua, më 12 qershor 1999. 50 mijë paqeruajtës me në krye NATO-n dhe SHBA-të hynë në këtë ditë në Kosovë dhe që nga ajo ditë janë garant për sigurinë dhe paqen në Kosovë. Presidenti Klinton në ditën e sulmit ajror të NATO-s iu drejtua kombit amerikan: “Ne po veprojmë për të mbrojtur njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake në rritje. Duke vepruar tani, ne mbrojmë vlerat tona, mbrojmë interesat tona dhe çojmë përpara çështjen e paqes”. Pa çlirimin e Kosovës nuk do të kishte pavarësi të Kosovës. Roli i SHBA është vendimtar.

Për Shtëpinë e Bardhë, ndjekja masive dhe sistematike e kosovarëve përfaqësonte në vetvete krim kundër njerëzimit. Shqetësimi i saj i madh ishte se në qoftë se zjarri nuk shuhet në Kosovë, konflikti përhapet dhe i kalon kufijtë shtetërorë.

Qëllimi i fushatës që ndërmori NATO kundër Jugosllavisë (i bombardimeve) ishte: ose të thyhej vullneti i Millosheviçit (apo vullneti i përkrahësve të tij), ose që atij t’i shkatërroheshin kapacitetet për të vazhduar spastrimet etnike  në Kosovë… Pas Samitit të NATO-s, pesë kushtet e parashtruara nga ministrat e jashtëm ishin: armëpushim, tërheqje e të gjitha forcave serbe nga Kosova, kthimi i të gjithë refugjatëve dhe i personave të zhvendosur, prania e një force ndërkombëtare e kryesuar nga NATO.

SHBA që në shtator 1998 paralajmëruan për një zgjidhje politike dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër popullatës civile nga regjimi i Millosheviçit, duke kërcënuar edhe me ndërhyrje ushtarake të NATO-s. Në memon e Këshilltarit të Bill Klintonit për çështjet e sigurisë, Samuel Berger thuhet: “Me të afruar dimri e me rezistencën e mëtejshme të Sllobodan Millosheviçit është arritur pajtimi se ka ardhur koha, ku duhet mbështetur kërkesa ndërkombëtare për zgjidhje politike dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër popullatës civile nëpërmjet kërcënimit me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s”.

Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999 e përshpejtoi nevojën për një zgjidhje politike. Kjo është edhe arsyeja  përse u thirr Konferenca e Rambujesë, e cila dështoi sepse nuk u firmos nga delegacioni jugosllav. Përballë refuzimit kategorik të Millosheviçit për zgjidhjen e krizës në Kosovë me mjete politike, nuk pati zgjidhje tjetër përveç sulmit ushtarak të NATO-s. Diplomatët perëndimorë theksuan se diplomacia pa forcën ishte bërë një armë e zbrazët, e pafuqishme dhe qesharake. Spastrimet etnike në Kosovë shkaktuan reagimin e menjëhershëm të Fuqive të Mëdha të Perëndimit. Drejtuesit më të lartë të administratës së Klintonit dhe udhëheqës të vendeve kryesore të NATO-s treguan vendosmëri dhe ndërmorën aksione konkrete e vendime të rëndësishme për të mos lejuar spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Presidenti Klinton deklaronte: “Qëllimi i vetëm i aleatëve të NATO-s është të ndalojmë barbarinë serbe”.

Në këtë linjë ishin edhe pas çlirimit të Kosovës. Madeleine Albright thekson: “Angazhimi im ishte strategjik. Europa nuk kishte për të qenë kurrë në paqe, për sa kohë Ballkani do të ishte i paqëndrueshëm dhe Ballkani nuk do të ishte kurrë i qëndrueshëm për sa kohë Millosheviçi do të ishte në pushtet. Motivimi kryesor gjithsesi ishte i moralshëm: “Unë nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mundësinë për të ndalur spastrimin etnik, kjo do të ndihmonte në parandalimin e mizorive të tilla diku tjetër”.

William Kohen, Sekretar Shteti i Mbrojtjes, SHBA: “Kjo është luftë midis të mirës e të keqes, nuk do të lejojmë që e keqja të mund të mirën”. 

Kongresmeni amerikan Frenk Wolf, më 5 prill 1999 në Kukës: “Askush nuk duhet të pajtohet me dëbimin nga shtëpia e vet, qoftë edhe të një njeriu të vetëm”.

Shtëpia e Bardhë akoma pa u çliruar Kosova deklaronte se objektivat tona janë që të ndalojmë barbarinë serbe dhe kosovarët të kthehen në shtëpitë e tyre: “Tregues i suksesit është kthimi i refugjatëve në shtëpi. Këtë nuk mund ta bëjë kush tjetër, përveç NATO-s dhe SHBA”. Lidershipi amerikan u premtoi shqiptarëve në Kosovë siguri, rihapjen e shkollave shqipe, të flasin gjuhën e tyre, të ushtrojnë fenë e tyre, të zgjedhin liderët e tyre dhe të farkëtojnë fatin e tyre. Kryefjala e fjalimit të Bill Klintonit në takimin me kosovarët e dëbuar, të cilët ishin vendosur në kampet e ngritura në Maqedoni ishte: “Aleanca nuk do të lejojë më spastrimin etnik”.

Sekretarja e Departamentit të Shtetit amerikan, Zonja  Albright iu drejtua kosovarëve me këto fjalë: “Kosova do të jetë përgjithmonë shtëpia juaj dhe njerëzit e armatosur nuk do t’iu vijnë kurrë më natën në shtëpi me armë. Kurrë më nuk do t’iu digjen shtëpitë dhe fshatrat dhe asnjëherë nuk do të ketë masakra dhe varre masive”. Betim solemn!! Betim për një kauzë të drejtë!!! Betim, të cilin SHBA do ta mbronin me sakrificat më sublime!!!

George W. Bush, më 24 korrik 2001 vizitoi Kosovën. Ai theksoi idenë që kosovarëve t’u jepeshin më shumë përgjegjësi, për të qeverisur ata atje. Çka linte të kuptohej se duhej të ishte shtet i pavarur. UNMIK-u, në vitin 2002 doli me propozimin “Standardet përpara statusit”. Nuk kishte një qartësi rreth këtyre standardeve. Gjithashtu kishte përpjekje veçanërisht nga Ruisia dhe Serbia për ta vonuar e penguar pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Bush dhe sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice, në vitin 2005 të pakënaqur me progresin drejt pavarësisë, duke parë edhe përpjekjet e Rusisë e të Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta penguar atë, vendosën ta shtyjë më përpara këtë proces. Ndërmorën nisma të reja diplomatike dhe ligjvënëse. Kongresmeni Joe Dio Guardi u bë nismëtar për të paraqitur një rezolutë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Kjo rezolutë u paraqit dy herë nga ligjvënësi Tom Lantosh, në vjeshtë të vitit 2004 dhe në janar të vitit 2005. Të dy partitë politike, si republikanët dhe demokratët arritën konsensusin për pavarësinë e Kosovës. SHBA-të dhe Fuqitë e Mëdha si Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca deklaruan se nuk do të kishte një kthim të Kosovës nën kontrollin serb, hodhën poshtë propozimin serb “për më shumë autonomi, por jo pavarësi”. Gjithashtu përjashtonin çdo ndryshim kufijsh dhe çdo ndarje të Kosovës. Siç e theksuam edhe më lart viti 2005 shënon kthesën e madhe të politikës amerikane për fillimin e një procesi që do të përcaktonte statusin e Kosovës. Kjo lidhet me nismën e re politike që paraqitit para Kongresit Amerikan, nënsekretari i shtetit Nicholas Burns, më 18 maj 2005. Ambasadiri i dikurshëm amerikan në Rusi dhe shefi aktual i CIA-s William J. Burns, në memoaret e tij (“The Back Channel”) do të kujtonte se në vitet 2007-2008 marrëdhëniet SHBA-Rusi kishin dy çështje të mprehta: Pavarësinë e Kosovës dhe zgjerimin e NATO-s. 

Në vizitën e George W. Bush në Tiranë, më 10 qershor 2007, ai deklaroi se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe vetëm shtet i pavarur. “Ajo që mund të bëjmë ne është që të lejojmë që së bashku me kolegët rusë dhe të BE-së të kërkojmë një kompromis, një bazë të përbashkët, të cilën ta mbështesin të gjithë. Por në qoftë se ata nuk do t’ia dalin mbanë atëherë, në një moment në kohë më herët sesa vonë të detyrohesh të thuash: Durimi arriti deri aty sa nuk mban më. Kosova është e pavarur!”. Porosia e tij ishte: “Duam që Serbia të dëgjojë që Amerika mbështet pavarësinë e Kosovës. Udhëheqësit kosovarë të mbajnë qetësinë në këta hapa të fundit.” Dhe erdhi dita e shumëpritur: Shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Gëzimi në Prishtinë e në gjithë vendin ishte i paparë. Flamujt amerikanë valëviteshin kudo. Njerëzit thërrisnin: “ Faleminderit USA!” , “Zoti e bekoftë Amerikën, Klintonin e Bushin!”

Një nxënëse e klasës së gjashtë atë ditë shkruan: “Pritëm me vite, me shekuj, por e arritëm ditën e 17 shkurtit 2008. Ditë e shumëpritur nga të gjithë ne. Nuk do të harrojmë asnjeherë dëshmorët që dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë. Jemi të lirë. Flamuri ynë valon krenar në qiellin e Kosovës. E ardhmja jonë në këtë ditë nuk ka qenë kurrë më e ndritshme, liria nuk ka qenë kurrë më e madhe dhe mundësitë kurrë më të mëdha për të ecur përpara, për t’u zhvilluar e për t’u gëzuar si vendet e tjera”.

SHBA-të e njohën pavarësinë e Kosovës në ditëtn e dytë të saj. Ato e kanë parë dhe trajtuar pavarësinë e Kosovës si udhëdalje nga rrethi i mbyllur, ku qëndronte ajo. Ndërmjet viteve 1999-2008, Zyra e SHBA-së në Prishtinë ka vepruar në cilësi të misionit diplomatik të SHBA-së në Kosovë. Në shtator të vitit 2012, SHBA-të iu bashkuan partnerëve në Grupin Drejtues Ndërkombëtar në njohjen e progresit që kishte arritur Kosova, duke deklaruar kështu fundin e pavarësisë së mbikqyrur dhe shpërbërjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Nga viti 1999-2019, SHBA-të kanë investuar rreth 2 miliardë dollarë, kanë ndërtuar bazën ushtarake në Ferizaj, kanë ndihmuar në ngritjen e Ushtrisë së Kosovës, në modernizimin dhe armatosjen e saj. Më 4 korrik 2019 në ditën e pavarësisë së SHBA-vë përuruan ndërtesën e re të Ambasadës: 12.4 hektarë në lagjen Arbën të Prishtinës. Kjo ndërtesë shumëfunksionale, me një arkitekturë të përparuar – tregon vëmendjen që ato kanë ndaj Kosovës, rolin e saj, fuqinë diplomatike për ta ruajtur e mbështetur pavarësinë e Kosovës. 

Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish presidenti Bill Klinton mbajti një fjalim në Prishtinë: “Unë gjithmonë do të jem krenar me faktin se unë isha President i SHBA në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngrihet e të thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm”. Pothuasjse një vit më vonë, më 11 maj 2020, në diskutimin e Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, Madeleine Albright i bënte thirrje administratës së Trump-it: “Kosova është një vend për të cilin ne kemi punuar për shumë vite me radhë dhe e kemi mbështetur faktin që Kosova duhet të jetë e pavarur. Çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht është se tani ka keqarrdhje që SHBA-të nuk po ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Por edhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë gjenocidin, gjë e cila është dënuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar.Gjithnjë në këto vite SHBA-të kanë deklaruar se do të ndihmojnë Kosovën, se pavarësia është e pakthyeshme dhe SHBA-të do të jenë në Kosovën e lirë dhe të pavarur në çdo hap të saj. 

Administrata e Presidentit Xhon Biden ia ka bërë të qartë Serbisë, presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç se kërkohet sa më shpejt “arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqëndrohet në njhojen e ndërsjelltë”. 

Në nderim të rolit përcaktues, vendimtar të SHBA-ve për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, Presidenti Bill Klinton është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë”, Bulevardi në Prishtinë mban emrin e tij, statuja e tij ndodhet në qendër të Prishtinës, një rrugë atje mban emrin “George W. Bush”, një rrugë tjetër “Presidenti Woodrou Wilson”. Në Prishtinë është busti i Madeleine Albright.

Më datën 6 korrik 2022, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkohet që marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjelltë”. Për Serbinë kjo  është e papranueshme. Përgjigja e presidentit Vuçiç e shpreh qartë: ‘Bukur, dinjitetshëm dhe me mirësjellje, nuk do ta nënshkruajmë. Nuk na shkon mendja, nuk do ta konsiderojmë”.

Nuk kastabilitet ne Ballkan pa normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. 

Pavarësia e Kosovës ka rëndësi të trefishtë po të kemi parasysh: raportet shqiptaro-serbe në Kosovë, shqiptaro-serbe në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe të kombit shqiptar me kombin serb.

Çështja e Kosovës paraqet “çështje më vete” dhe nuk mund të krahasohet me çështje të tjera të hapura e të pazgjidhura dhe të shërbejë si një “precedent negativ”, siç thotë Vladimir Putini. Krahasimi i rastit të pavarësisë së Kosovës me Osetinë Jugore, me Abkhazinë, Transnistrinë në Moldavi dhe Donbass-in e Luhansk-un në Ukrainë nuk qëndron. Rusia e ka kundërshtuar njohjen e pavarësisë, duke e paraqitur Kosovën si një shtet të prapambetur islamik dhe mesjetar, në çdo dimension: atë ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Sipas ish ministrit të jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, Putin e ka përdorur dhe po e përdor rastin e Kosovës si antitezë ndaj Perëndimit. Gjithashtu faktorizimi i shqiptarëve nëBallkan ishte dhe është shqetësim për interesat e Rusisë. Qëndrimi i Putinit: ishte Kosova ajo që kishte nxitur rritjen e separatizmit brenda vetë BE-së, se Kosova hapi Kutinë e Pandorës, lista ishte e gjatë: kurdët (Irak), Skocia, Krimea, Kebek, Kanada  – është i pavërtetë, i mirëllogaritur politikisht dhe në përputhje me doktrinën e tij. 

Dr. Skënder Demaliaj, Pedagog nё Universitetin Mesdhetar tё Shqipёrisё

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – XII

-130- Konfidenciale Kërkesë e ambasadorit jugosllav për Z. Bullard,  23 dhjetor 1981 Kërkesa e Z. …