leoni

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë falënderon përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit në shënim të 25-vjetorit të kryerjes së misionit të luftës

Ju falënderojmë nga zemra të gjithë Juve që dje, më 21 qershor 2024, morët pjesë në shënim dhe përkujtim të 25-vjetorit të kryerjes së misionit të luftës të Radios-Kosova e Lirë.

Më 4 janar në acarin e ashpër të dimrit të vitit 1999 kishim lajmëruar publikisht se Kosova kishte hyrë thellë në rrugëtimin drejt çlirimit, me luftën e saj të armatosur  dhe me gjakun e lirisë që po derdhej nga dëshmorët e dëshmoret, kudo në trojet tona.

Më 21 Qershor të atij viti kishim dhënë edhe lajmin historik, për dëbimin e të gjitha forcave okupatore serbe nga Kosova.

 

Ju, që dje erdhët në Shtëpinë-Muze, e dinit se po bënte një vapë e padurueshme, madje edhe  e rrezikshme për shëndetin, por duke ndier në zemër e shpirt sesa kanë sakrifikuar dëshmorët e çlirimtarët, në acar dhe në vapë, nuk ndaluat, sepse në zemër mbani të pashuar idealin e lirisë, atë ideal që e mbanë gjallë frymëmarrjen e kombit, atë ideal që ka përjetësuar kryekomandantin e UÇK-së, Adem Shaban Jashari dhe të gjithë dëshmorët e martirët.

 

Andaj nuk u hamendët, por erdhët për ta nderuar kujtimin e një çerek shekulli të Radios-Kosova e Lirë, për të na nderuar edhe ne,   që asnjëherë nuk kemi ndaluar në rrugën e lirisë, të pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, gjithnjë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë sonë më të re, pavarësisht, vështirësive, injorimeve, pengesave, ndasive, përçarjeve, ne iu kemi përmbajtur dhe i përmbahemi motos: Ecim para vëlla, kthim prapa nuk ka!

Kemi qenë dhe kemi mbetur zë i amanetit të dëshmorëve dhe i çlirimtarëve idealistë, zëri më i fisnikëruar i lirisë, zë i cili është mbrojtur me gjakun e dëshmorëve e martirëve dhe po arrin të mbijetojë me ndihmën e përkrahjen Tuaj.

Të gjithëve edhe njëherë, përshëndetje nga zemra.

Përshëndetje e veçantë për luftëtarin e lirisë,  Muhamet Kuka, flamurtarin dinjitar dhe idealist  të   UÇK-së, i cili për një orë mbajti lart flamurin, pa i dridhur as një çast dora, pa lëvizur asnjë hap nga vendi, nën diellin përcëllues…

 

 

Përzemërsisht

Respekt, shëndet e suksese, ju dëshiron

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë

Kontrolloni gjithashtu

Plakja e popullsisë në Kosovë, tregon se mosha mesatare është rritur për pesë vite, krahasuar me 2011

Të dhënat preliminare të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2024, të publikuara nga Agjencia e …