Dren Sh. Brahimaj: Masakra e Novosellës - 5 janar 1945

Dren Sh. Brahimaj: Masakra e Novosellës – 5 janar 1945

Sot, 75 vite më parë ndodhi njëra ndër masakrat më të mëdha ndaj popullatës shqiptare të rrethit të Podgurit në komunën e Pejës. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 janarit 1945, fshati Novosellë u rrethua nga ushtria serbe e cila kishte synim të kryente misionin e saj shovenist duke përcjellur vendosjen e pushtetit të saj me krime e terror.
Regjimi që po vinte pas Luftës së Dytë Botërore nuk ishte një regjim i panjohur për shqiptarët madje ai ishte vazhdimsi i të vjetrit dhe ideologjia e tij që i kishte rrënjët që nga projekti “Naçertania” e vitit 1844, e i plotësuar nga të ashtuquajturit “Akademik” si Vaso Çubrilloviç, që nxirrni helm e urrejtje ndaj popullit shqiptar kishin synime të çarta për të bërë spastrimin etnik të Kosovës.
Plani ishte organizuar që me 4 janar 1945 dhe do ta realizonte rrethimin brigada famëkeqe e Bokës “Treça Bokelska Brigada” me komandant Tomë Zhariqin. Kjo tentonte që krahas vrasjeve të popullatës civile shqiptare të ndjellte frikë edhe tek grupi i nacionalistëve shqiptar të cilët po luftonin duke mbrojtur çështjen shqiptare dhe rezistenca e tyre ishte shtrirë që nga bjeshkët e Sejnovës, Rosulisë, Lipës e Shtedimit, që me luftimet e tyre ishin bërë pengesë synimeve ekspansioniste Jugosllave. Rrethimi ishte bërë rreth e përqark fshatit Novosellë nga “Ura e Mahajve” në Dubovë të Vogël në drejtim të Vitomericës e deri tek rruga Pejë-Rozhajë e në lindje të fshatit në rrjedhjen e Drinit të Bardhë u pozicionuan forcat ushtarake serbe.
Ajo që është e rëndësishme të theksojm është beteja që u zhvillua në lagjen Podrimçaku, ku atdhetarët si Zenel, Mehmet, Jahë e Binak Podrimçaku luftuan duke mbrojtur me nder pragun e shtëpisë së tyre dhe njëkohësisht i shkaktuan dëme të mëdha grupeve çetnike serbe të cilat ishin në numër dhe në armatim dominuese, aty bien edhe dëshmor Mehmet e Jahë Podrimçaku kurse djali i Jahës, Idriz J. Podrimçaku vritet vetëm 16 vjeçar. Rrethimin arrijnë ta çajnë Zeneli e Binaku të cilët i bashkohen grupit të Ballistave të Radacit e Rosulisë. Binaku vritet në Maqedoni gjatë rrugëtimit në drejtim të Greqisë kurse Zeneli vritet në Greqi pas një luftimi të ashpër me forcat serbe të cilat kishin arritur të futeshin në territorin e Greqisë dhe kishin synim likuidimin e këtij grupi atdhetarësh.
Kurse popullatën që kishin arritur ta grumbullonin me dhunë e kishin dërguar në shkollën e fshatit Novosellë, pasi i regjistruan i lidhin rreth Dardhës që gjindej në oborr ( shih foton ) të shkollës ku edhe sot e kësaj dite qëndron si dëshmi e krimeve serbe dhe fare lehtë në trupin e saj vërehen vrimat e plumbave.
Në atë ditë mbetën të vrarë këta martirë të kombit shqiptar:
 Idriz J. Podrimçaku (1929)
 Fekë H. Nimanaj (1900)
 Halit F. Nimanaj (1925)
 Ramadan Zymeri (1905)
 Shaban R. Nimanaj (1926)
 Tahir R. Nimanaj (1928)
 Isa H. Bellopoja (1885)
 Isuf B. Bajramaj (1895)
 Arif Mujeviq (1927– nga Rozhaja)
 Malë M. Ramaj (1900)
 Xhemë M. Ramaj (1885)
 Ali M. Ramaj (1905)
 Osman I. Ramaj (1905)
 Shaban H. Zenunaj (1909)
 Hajdin I. Sefaj (1903)
 Rexhë H. Mulaj (1926)
 Niman R. Muriqi (1904)
 Rexhë H. Thaçi (1905)
 Shukria Juka (1920) dhe
 Një muhaxher i strehuar në Novosellë (emri nuk i dihet ).
Kurse në lagjen Podrimçaku mbetën të vrarë sipasoj e luftimeve Mehmet H. Podrimçaku (1880) e Jahë H. Podrimçaku (1885). Po ashtu nga dëshmit e banorëve të fshatit thuhet se u morrën gjatë tërheqjes së trupave ushtarake serbe edhe dy fshatar të tjerë, që për fatin e tyre nuk kemi të dhëna madje trupat e tyre nuk u gjendën asnjëherë.
Masakra e Novosellës e 5 janarit 1945, ishte dëshmi se ky regjim i egër Jugosllavë po vazhdonte me politikat e hapura antishqiptare që kishin synim të shfarosnin popullin shqiptar dhe në masë të madhe ti detyronin të migronin për në Turqi.
E qka është edhe dhimbja më e madhe, se si politika e sotme e Shqipërisë dhe Kosovës nuk ngritën zërin për gjenocidin serbë ndaj shqiptarëve gjatë shekullit XX që u përcjellë me dhunë, terror, spastrim, plaqkë, vrasje, internime, burgosje e krime kundër popullsisë shqiptare.
Sot, kujtojm martirët e vitit, 1945 të Novosellës së Pejës ata të cilët me gjakun e tyre trasuan rrugën e lirisë!

Me respekt: Dren Sh. Brahimaj- Fierzë, 5 janar 2020.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …