DRITAN GOXHAJ: ZAHIRI, UÇK-JA DHE ZPS-JA

Një shok i luftës nga Kukësi më pat treguar menjëherë pas lufte një bisedë që e kishte bërë me një nga heronjtë e luftës së UÇK-së. Biseda ishte zhvilluar në vitin 1993 në Kukës. Gjatë asaj bisede heroi e pyet shokun e luftës: “A e di ti, Naz, se çfarë është UÇK-ja?”

Këtë pyetje e bënte në atë kohë një nga themeluesit e UÇK-së, shumë më parë se një formacion politik ilegal të merrte më pas autorësinë e formimit të kësaj ushtrie, Zahir Pajaziti.

M’u kujtua kjo pyetje e Zahirit në datën 1 Nëntor, datë në të cilën heroi ka edhe datëlindjen. U nisa të shkruaj një shkrim për këtë djalë të Kosovës, hero të Shqipërisë. Them dhe kam vendosur që t’u drejtohem të gjithë heronjve të rënë në luftën e UÇK-së si heronj të Shqipërisë, pasi për mua dhe veçanërisht për ta Kosova ishte dhe është Shqipëri.

E nisa këtë shkrim për të kujtuar veprën e këtij heroi pasi për heronjtë na ka marrë malli. Ndoshta edhe i nxitur nga kohërat që po jetojmë ku vlera për të cilën ata spikatën në jetën e tyre po venitet dita me ditë, ashtu si shkruan edhe Dritëroi:

“Ç’digjeni nga malli për heronjtë?

Kushedi kur kthehen nga kjo anë…

Por nuk arrita të shkoj as deri në mes të mendimeve të mia kur dëgjova lajmin që Gjykata Speciale dhe ZPS-ja kish nisur fushatën e tyre të radhës të “gjuetisë së shtrigave”, e cila tashmë ka harruar statusin e saj Special e ka vendosur të merret, më tepër për frikësim, me vepra juridike të juridiksionit të përgjithshëm – me pengim të aluduar të drejtësisë.

Të ndodhura në një ngërç të vërtetë juridik në proceset të cilat po i zhvillon në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ata janë të detyruar që të prodhojnë lajme të tjera dhe të tërheqin vëmendjen nga proceset e tyre të montuara. Siç po del përditë, dëshmitarët e saj ose po pësojnë kriza nervore për arsye të presionit të prokurorisë për të dëshmuar kundër dëshirës së tyre, ose po dalin bllof me dëshmitë e tyre, të cilat në asnjë rast deri më tani nuk kanë qenë në asnjë mënyrë relevante me çështjet për të cilat akuzohen ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Edhe ai proces që ndoshta për ZPS-në duket se po ecën mirë, procesi ndaj Pjetër Shalës, është një proces i gjithi i montuar me dëshmitarë të cilët janë të gjithë të rremë.

Këta janë po ata dëshmitarë që morën pjesë në gjyqin e vitit 2011 në Mitrovicë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, prej të cilëve tani prokuroria përmend vetëm Xhemshit Krasniqin dhe Sabit Gecin. Por në atë kohë u arrestuan edhe Riza Alia e Haki Hajdari, të gjithë këta u dënuan atëherë nga një gjykatë e Kosovës.

Gjatë dëshmive të tyre në atë gjykatë atëherë u bë e qartë nga pyetjet e tyre se dëshmitarëve ju ishin paraqitur foto të personave të akuzuar për t’i identifikuar ata dhe gjatë seancave u pa qartësisht (kush ka dyshime mund t’i referohet shtypit të atij viti) se dëshmitarët në asnjë rast nuk arrinin të përcaktonin të akuzuarit kush- cili ishte e as t’i identifikonin ata, me përjashtim vetëm të një prej dëshmitarëve që atëherë në sallën e gjyqit nuk pranoi të mbante statusin e dëshmitarit të fshehur. Ai ishte Ymer Ymeri.

Atëherë asnjë nga këta dëshmitarë nuk e identifikuan në asnjë moment prezencën e Pjetër Shalës, as gjatë dëshmive të tyre dhe as gjatë identifikimit nëpërmjet fotografive.

Kështu, llogjikisht, i bie që ose këta dëshmitarë kanë gënjyer atëherë, ose po gënjejnë sot.

Kur nuk kanë mundur të identifikojnë Pjetër Shalën atëherë, si kanë mundur ta identifikojnë sot, kur ai ka ndëryshuar fizionomi totalisht?!

Dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë pasi Pjetër Shalën e kam njohur personalisht kur u ndalua më datë 2 maj të 1999-ës nga Policia Ushtarake e UÇK-së së bashku me Ruzhdi Staramatën në Burrel, në Shqipëri, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Pjetër Shala u mbajt tek hotel Drenica në Durrës deri në fund te majit nga Policia Ushtarake e më pas ai është lejuar të vazhdojë dhe është dërguar ushtar i thjeshtë, me detyrën snajperist në forcat e UÇK-së që kishin filluar luftimet në Gorozhup.

Ata që sot deklarojnë se e kanë parë Shalën të hyjë e të dalë lirisht tek Fabrika e Përpunimit të Metaleve në Kukës jam i bindur se janë duke gënjyer për hesap të ZPS-së dhe Gjykatës Speciale që, në perfiditetin që i karakterizon, duke qenë se nuk mund të marrin të akuzuar ata që janë dënuar njëherë për të njëjtat akuza në vitin 2011, pasi nuk ua lejon ligji, kanë vendosur të fabrikojnë të njëjtat akuza por mbi një person tjetër, në mënyrë që këtë proces ta përdorin më pas ndaj procesit tjetër në të cilin janë akuzuar Thaçi e Krasniqi, mbi të cilët ekziston një akuzë e njëjtë dhe, mbi bazën e procesit ndaj Shalës, ata të akuzohen nesër për përgjegjësi komanduese.

Ata që sot po gënjejnë në procesin ndaj Shalës, dje në 2011 prezantoheshin nga prokuroria si dëshmitari L,M,N,E, e kështu me rradhë. Plot 16 dëshmitarë.

Të gjithë këta që atëherë pretendonin se ishin mbajtur nga UÇK-ja, për interesa dhe përfitime të tyre të mëvonshme, para se të largoheshin nga Shqipëria, kanë bërë edhe nga një denoncim në policinë e Kukësit në atë kohë.

(Dëshmi të tilla në Policinë Shqiptare nuk hyjnë as te të mbrojturat e as te konfidencialet, plus që ka kaluar edhe koha e sekretit të tyre, plot 24 vjet).

Megjithatë, në asnjë nga dëshmitë e tyre në polici atëherë nuk kanë dhënë as edhe një emër personi se kush i ka ndaluar dhe kush i ka mbajtur.

Kanë thënë se janë ndaluar te fabrika, asgjë më shumë.

Ndërsa më vonë, në 2011, çuditërisht këtyre personave ju erdhi kujtesa dhe mbanin mend se ishin mbajtur edhe në Cahan.

Dhe tani, 12 vjet pas gjyqit në Mitrovicë dhe 24 vjet pas Luftës, atyre ju është kujtuar se paskësh qenë edhe një person tjetër me emrin Pjetër Shala.

Do bënte sens kjo dëshmi e tyre në rastin se Pjetër Shala do kish qenë me detyrë komandant ose diçka tjetër por, ashtu si edhe ata vetë e deklarojnë, ai ka qenë thjesht një ushtar i thjeshtë i UÇK-së.

Ajo që e hedh poshtë gjithë këtë proces dhe që tregon se është thjesht një proces totalisht i fabrikuar është fakti se Shala është dënuar në vitin 2002 nga një gjykatë në Prizren për ngjarjen e ndodhur në bazën ushtarake të UÇK-së në Burrel.

Gjatë atij procesi është shpjeguar me detaje vendndodhja e Shalës gjatë periudhës kohore për të cilën akuzohet nga ZPS-ja.

Dhe për këtë padrejtësi nuk ndihet as për një moment Avokati i Popullit në Kosovë.

Nuk e di se cilin popull përfaqëson ai.

Apo ndoshta vetëm partinë e radhës?!

Ndaj, ashtu si nisa të tregoj, nuk munda të mbaroj shkrimin për Zahirin.

Nuk munda pasi tani, ashtu si thotë edhe Dritëroi me vargjet e tij:

S’ka heronj.

Heronjtë i përzumë.

S’ka heronj.

Heronjtë u mërzitën

Prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan

Duke pritur, heshtën e dremitën.

Dhe ashtu si Dritëroi, edhe unë mendoj në vargun e tij:

Kush e di kur kthehen nga kjo anë.

 

4 nentor 2023

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …