Edi Rama

Edi Rama: Këtu, në Shqipëri, në mes të Evropës, janë disa, që duan me çdo kusht ta kthejnë përmbys vendin

Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama, ka  deklaruar   se lufta e Putinit synon gjunjëzimin e bashkësisë euroatlantike, të cilës i përkasim dhe ne, me dy armë, inflacionin dhe krizën energjetike, të krijuara enkas për të goditur çdo familje në të gjithë hartën e Evropës. Gjatë një takimi me qytetarë në Berat, në kuadër të llogaridhënës që po zhvillon në gjithë vendin, kryeministri Rama u shpreh se “kush thotë se nuk ka luftë dhe se këtu problemi është se Shqipëria është në rrezik për shkak të qeverisë, ose nuk di çfarë flet, ose është nën efektin e propagandës së shfrenuar të atyre që e dinë shumë mirë se çfarë flasin, por që nuk punojnë për interesin e vendit. Sepse që ka luftë, kjo nuk diskutohet. Dhe nuk diskutohet që kjo luftë është konceptuar për të hedhur bombat dhe shkatërruar Ukrainën me arsyet e mos arsyet, por njëkohësisht për të gjunjëzuar gjithë perëndimin e Rusisë, ku jemi dhe ne dhe e gjithë bashkësia euroatlantike të cilës ne i përkasim, me dy armë të krijuara enkas për të goditur çdo familje në të gjithë hartën e Evropës”. Kryeministri theksoi më tej se këtu, në Shqipëri, në mes të Evropës, janë disa, që duan me çdo kusht të kthejnë përmbys vendin me pretendimin se nuk ka luftë.

“Dhe është e njëjta gjë që thotë ai që ka nisur luftën në Kremlin, Vladimir Putin: s’ka luftë, është operacion ushtarak për ca nazistë në Ukrainë, ç’lidhje ka Rusia me çmimin e energjisë apo inflacionin. Ka lidhje, të dyja janë të krijuara, fabrikuara enkas për të krijuar një turbullirë e çuar në stres ekstrem popujt, komunitetet, opinionet publike dhe për të goditur qeveritë demokratike nga brenda. Imagjinoni tani kur nga brenda gjenden shërbëtorët të gatshëm të vihen në dispozicion për interesat e tyre personale, njerëz pa fe, pa atdhe”. Ekzistenca e këtyre njerëzve në mesin tonë nuk është më një hipotezë, por fakt.

“Këta njerëz kanë marrë para nga ai vendi që ka nisur këtë luftën, për të rrëzuar qeverinë e vendit të tyre. Për çfarë arsyeje, një vend tjetër jep gjysmë milionë dollarë, sepse ka pasur një garanci, që do të thotë që këta kanë dhënë prova. Dhe sot është shumë e qartë, të paktën njëra nga provat, se si kur ishin në qeveri bashkuan forcat me atë vendin atje, bashkuan votat me përfaqësues të atij që sot ka hapur luftë me perëndimin për të goditur Kosovën dhe Shqipërinë. Kush e mbron me krenari Shqipërinë nuk mund të përzihet me këtë lloj fare të keqe që ka mbirë në 1912 dhe nuk i ndahet këtij vendi dhe nuk i ndahet deri kur jo një shumicë, por të tërë t’i ndahen kësaj fare”, deklaroi Kryeministri.

Ka 1001 arsye për të qenë të pakënaqur, por, theksoi ai, nuk ka asnjë arsye për t’u ndarë me thikën e një konflikti ekstrem: a ka luftë a s’ka luftë dhe a duhet të jemi krenarë për Shqipërinë dhe a duhet ne të jemi një për Shqipërinë.

“Kur flasim atje në gjuhën e tyre, nuk duhet të merremi me çfarë na ndan këtu. Ne atje duhet të merremi me atë që na bashkon ne, me krenarinë e të qenurit shqiptar dhe t’u themi se kur vjen puna popull me popull apo shtet me shtet, ne duam po atë respekt që japim dhe ne nuk pranojmë kurrë që njerëzit tanë të trajtohen si njerëz të dorës të dytë dhe aq më pak të quhen pushtues. Qeveritë shkojnë e vijnë, ndërkohë që emri i Shqipërisë mbrohet dhe lartësohet. (ATSH)

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …