Elife Luzha: Mohimi i së drejtës për trashëgimi, formë primitive e diskriminimi të femrës shqiptare

Elife Luzha: Mohimi i së drejtës për trashëgimi, formë primitive e diskriminimit të femrës shqiptare

E drejta fondamentale e posedimit të pronës dhe e trashëgimisë, është  kusht i fuqizimit ekonomik të gruas, me këtë edhe i pjesëmarrjes së saj më aktive në sferat tjera shoqërore. Por, përkundër të drejtës ligjore dhe njerëzore, qasja e grave dhe vajzave në trashëgimi mbetet tepër e kufizuar, sepse zakoni tradicional edhe sot e kësaj dite vazhdon të dominojë në shoqërinë tonë.

Është pikërisht ky zakon tradicional, apo Kodi kanunor, sipas të cilit gruaja shqiptare është  “tepricë” në familje. E në anën tjetër, Kanuni “gruas shqiptare i ka dhënë mos vdekjen” (meqë sipas tij gruaja nuk përfshihet në hakmarrje), “për t’i kërkuar përjashtim nga gjithçka, por që në këtë rast është vështirë ta dallosh të humburin prej fitimtarit” thotë, Ismail Kadare.

Fjala “Kanun”, rrjedh nga latinishtja “canon”, dhe e ka kuptimin e rregullit apo ligjit. E rregullat apo ligjet kanunore shqiptare, në një mënyrë e kanë zëvendësuar kushtetutën që nga ilirët e deri në Luftën e Dytë Botërore, duke dëshmuar për kulturën tonë të hershme juridike, por dhe qëndresën shqiptare (me të drejtën paralele) kundër pushtuesve të huaj. Megjithatë e drejta myslimane e Sheriatit, apo ligjit të shenjtë, veproi gjatë pushtimit osman dhe pati ndikim sidomos në mohimin e të drejtës së grave në trashëgimi.

Ka shumë rëndësi njohja e këtyre normave të së drejtës zakonore shqiptare edhe për faktin se ashtu të pashkruara u transmetuan gojarisht brez pas brezi, duke u rezistuar edhe rregullave të shkruara të së drejtës pozitive, madje në ditët tona. Se sa janë rrënjëzuar këto zakone në mendësinë e shoqërisë sonë, na e dëshmon fakti se 90 % e pronës në Kosovë është e regjistruar në emër të burrave, pavarësisht Ligjit në fuqi për Trashëgimi, i aprovuar më 2004, i cili në nenin  3.1 përcakton: “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi.”

Sipas studiuesve njohim disa kanune të krahinave shqiptare që kanë vepruar në kohë  të ndryshme, por Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut, një tjetër i Lumës dhe ai i Dibrës, janë pesë kanunet themelore të së drejtës zakonore shqiptare dhe të gjithë ngjasojnë, kur është fjala për mosnjohjen e të drejtës së gruas në trashëgimi. Sipas Kanunit të Lumës, vajzat nuk kanë të drejtë ta trashëgojnë pasurinë e babait, as pas vdekjes së tij. E nëse nuk ka burra tjerë në shtëpi, trashëgimia u takon kushërinjve meshkuj nga ana e babait. Shembull tipik në ditët tona kemi rastin e një femre kosovare, e cila përkundër se të drejtën në pronë e kishte fituar me gjyq, kushërinjtë, edhe pas shumë vitesh, vazhdonin të pretendonin se ajo u takonte atyre.

Edhe në kanunet tjera dominon qëndrimi se “gruaja nga shtëpia e babait duhet të merr vetëm ‘teshat e shtatit’”. Përderisa në Kanunin e Lekë Dukagjinit që vlerësohet të jetë “modeli më i plotë i organizimit tradicional të jetës shqiptare”, gruaja nuk ka të drejtë në trashëgimi as me testament. “Kanuja njef për trashëgues djalin e jo vajzën” (neni 88). E në rast se babai nuk ka djem por vetëm vajza, atëherë mashkulli duhet të kërkohet deri në shokën e 12, vetëm që pasuria të mos i jepet vajzës. Është e tmerrshme vetëm kur i lexon këto norma zakonore, e jo më edhe t’i përjetosh, siç po ndodh me shumë gra e vajza në vendin tonë.

Megjithëse Kushtetuta e Kosovës si dhe një varg aktesh ndërkombëtare e garantojnë të drejtën e gruas në trashëgimi, hulumtimet tregojnë se mbi 16.81 % e familjarëve burra thonë se “jo ligji, por unë do të vendos që pasurinë t’ua jap djemve të mi”. Shikuar nga këndvështrimi sociologjik, ky privim i të drejtës së gruas në trashëgimi nuk ka të bëjë vetëm me mentalitetin e rrënjëzuar tradicional të gjykimit, por edhe me fuqinë fizike të burrave. Do kujtuar një zë gruaje të përvuajtur, e cila nën lotët e dhimbjes nga diskriminimi tragjedindjellës thoshte: “Nëse prindërit e mi që më lindën e më rritën nuk kanë mëshirë për mua dhe më përjashtojnë nga e drejta në trashëgimi, atëherë pse duhet të pres që burri im i dhunshëm të më ndajë hise”.

Problematika e njohjes së të drejtës së gruas në trashëgimi duket të jetë e hershme dhe siç shpjegon Ismail Kadare në analizën për veprën e Eskilit “Orestia”, e ka zanafillën në “grindjen midis hyjnive dhe gjyqtarëve athinas lidhur me parësinë e gjakut atëror apo mëmësor”. Sipas Kadaresë në pyetjen që shtrohet në “Orestia” se nga rrjedh fisi, “Hyjnitë e vjetra ishin për nënën, ndërsa Apoloni dhe Atena ishin për atin”.

 Çështja e parësisë së gjakut në Kanunin e Lekë Dukagjinit shpjegohet nëpërmjet nenit 699, ku thuhet: “Brezat e gjakut rrjedhin prej anët të babës  (dhe thirret Lisi i gjakut), e brezat e gjinisë rrjedhin prej anët të nanës (dhe thirret Lisi i tamblit)”. Në këtë rast trashëgimia me çdo kusht i takon mashkullit sepse “as te prindja as te burri grueja s’hin në pjesë të trashëgimit”, thuhet aty.

Këto norma të rrënjëzuara thellë në mendësinë shqiptare e të ruajtura me aq fanatizëm deri në ditët tona, për mendimin tim, përbëjnë bërthamën e diskriminimit të grave në shoqërinë tonë, që e ka burimin në familje, e pastaj vjen duke u shtresëzuar edhe në të gjitha nivelet tjera shoqërore. Prandaj, jo rastësisht Kosova renditet e fundit në Ballkan, me vetëm 15.24 % të pronës së regjistruar në emër të grave, prej të cilave vetëm 3.8 % trashëgojnë pasuri familjare.

Ashtu siç dallon sistemi i rregullimit të të drejtave në shoqëritë e caktuara, natyrisht dallon edhe tradita zakonore e tyre, që  është proces normal në historinë e zhvillimeve njerëzore. Por, e përbashkëta e mohimit të të drejtës së gruas në trashëgimi është ndërhyrja mashkulloriste që përbën shkeljen më të rëndë në të drejtën që asaj i takon. Kjo është edhe arsyeja që sot gratë zotërojnë vetëm 1-2 % të të gjithë tokës së regjistruar në botë.

Shqipëria, sa i përket avancimit të drejtës së grave në trashëgimi, për shkak të influencës së traditës zakonore, ka pasur pothuajse një zhvillim të njëjtë me atë në Kosovë. Megjithëse Shqipëria ka një legjislacion të kompletuar lidhur me të drejtat pronësore e trashëgimore të grave dhe ka ratifikuar  akte ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj gruas (CEDAW) që sipas nenit 122 të Kushtetutës shqiptare, kanë epërsi mbi ligjet e vendit, sot atje vetëm 27 % të pronave janë të regjistruara në emër të grave. Në Mal të Zi meshkujt zotërojnë pronë 3 here dhe në Maqedoni pesë herë më shumë se gratë. Një përparim i dukshëm duket të jetë në Slloveni dhe Kroaci, me arritjet më të avancuara ligjore në Ballkan.

Edhe në Kosovë, jo se mungojnë ligjet e avancuara për barazi pronësore e trashëgimore mes grave e burrave, por tradita zakonore po e sfidon zbatimin e tyre në praktikë. E “nëse ne mund ta ndryshojmë traditën, ajo do ta ndryshojë shoqërinë”, thotë një londineze.

Kushtetuta e Kosovës, Ligji për familje, Ligji për barazi gjinore dhe Ligji i veçantë për trashëgimi, duhej të ishin garantues të barazisë në Kosovë. Pastaj, në nenin 22 të Kushtetutës, Kosova garanton edhe zbatimin e drejtpërdrejtë të normave ndërkombëtare, siç është Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj gruas (CEDAW). Për mosfunksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, shpeshherë kemi dëgjuar t’u vishet faji “mangësive ligjore që lënë hapësirë për dykuptimësi”. Në një mënyrë kjo ndoshta edhe qëndron, por në realitet para këtij korpusi ligjor faji duhet orientuar jo kah ligjet, por udhëheqësit e “qullur” shtetëror, sepse “një shtet qeveriset më mirë nga një njeri i shkëlqyer, se sa nga një ligj i shkëlqyer”, thoshte Aristoteli.

Në nenin 7 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se “barazia gjinore është vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë”. Përderisa në 149 artikujt e Ligjit për Trashëgimi është shpjeguar qartë se trashëguesit marrin hise të barabartë të trashëgimisë, që do të thotë se e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë anëtarëve të familjes. Madje duhet kujtuar se në Ligjin për Trashëgimi gruaja bën pjesë në radhën e parë të trashëgimtarëve, por shumica e grave dhe vajzave as që guxojnë ta kërkojnë të drejtën që u takon. Përkundrazi nën presionin e vëllezërve apo meshkujve tjerë, ato janë të detyruara të heqin dorë nga trashëgimia, sepse sipas të drejtës zakonore “vetëm vëllezërit (apo meshkujt tjerë), janë të denjë të trashëgojnë pasurinë e babait”.

Në raste shumë të rralla gratë e marrin guximin ta kërkojnë pjesën e tyre të trashëgimisë, por pastaj pason dhuna, stigmatizimi dhe izolimi i tyre nga familja. Madje, viteve të fundit është vërejtur edhe fenomeni i privimit nga jeta i grave dhe vajzave, vetëm e vetëm që pasuria familjare të mos u lejohet atyre. Kjo na bënë të dyshojmë thellë në atë që quhet familje e “shenjtë” shqiptare, duke parë se meshkujt edhe me çmimin e gjakut duan ta ruajnë epërsinë. Me një fjalë përkundër kontributit të dhënë në ekonominë familjare, kur është fjala për ndarje të pasurisë, sipas mentalitetin zakonor, gruaja nuk ka të drejtë ta kërkojë atë. Tërë ky diskriminim ndaj grave dhe vajzave në Kosovë thuhet të jetë “pasojë e ligjeve kanunore”, që tanimë do të duheshin zhdukur.

Nuk ka dyshim se zakonet e pashkruara po i predominojnë ligjet e shkruara, përderisa institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta ndryshuar gjendjen. E Kanuni nuk do duhej përdorur si alibi për mosfunksionimin ligjor të shtetit, në kohën kur për realizimin e shtetit ligjor në Kosovë, mungon vetëm dëshira dhe vullneti politik i vendimmarrësve që kryesisht janë burra. Dominimi mashkullorist kudo nëpër institucionet tona, pra edhe në familje, të krijon bindjen se në dy dekadat e demokracisë, Kosova nuk është demokratizuar por ripatriarkalizuar, apo rikanunizuar. E drejta e grave në pronësi, respektivisht në trashëgimi, është kushti për funksionimin e barazisë dhe demokracisë në një vend. Respektimi i të drejtës së grave në trashëgimi në rend të parë është respektim i dinjitetit dhe personalitetit të femrës. E kjo duhet të ndodhë edhe për hir të sakrificave të saj shekullore, për liri, barazi dhe shtet të së drejtës. Në të kundërtën, për të arritur synimin e caktuar, na duhet përshkuar një rrugë tepër të gjatë, që shumë popuj e kanë kaluar qindra vite më parë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …